Shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e më gjerë i kryejnë pushimet, në Shqipëri, ndërsa ata të Shqipërisë, rreziten në Greqi

Shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e më gjerë i kryejnë pushimet, në Shqipëri, ndërsa ata të Shqipërisë, rreziten në Greqi

Edhe pse shumë shqiptarë përdorin afatin tre mujor të Shengenit për të punuar në Greqi dhe jo për turizëm, e vërteta është se numri i shqiptarëve që zgjedhin vendin fqinj për turizëm ka shënuar rritje të madhe vitet e fundit. Bazuar në të dhënat e Bankës së Greqisë për vitin 2018-të, 1,121,472 shqiptarë hynë në shtetin fqinj për turizëm, me një rritje prej 19%. Nga 13 rajone të Greqisë, shqiptarët dominojnë si turistë në Maqedoninë Perëndimore, Epir dhe Greqinë Perëndimore. Një studim ka publikuar të dhënat edhe për shpenzimet që shqiptarët turistë bëjnë në këto rajone dhe shifrat janë të konsiderueshme.

Në Maqedoninë Perëndimore shqiptarët kanë shpenzuar në 2018-ën rreth 10 milionë euro, po aq sa gjermanët dhe bullgarët. Në Greqinë Perëndimore shpenzimet arrijnë, sipas studimit të publikuar nga media greke, në 29 milionë euro, të ndjekur nga gjermanët me 26 milionë euro dhe britanikët me 14 milionë euro. Sa i përket Epirit, aty shqiptarët renditen të dytët me 40 milionë euro shpenzime, duke qëndruar pas gjermanëve që kanë shpenzuar 52 milionë euro, por përpara italianëve me 19 milionë euro.

Përderisa shqiptarët e Shqipërisë derdhin miliona euro në Greqi, shqiptarët e Kosovës janë ata që derdhin milionat e tyre në bregdetin dhe plazhet e Shqipërisë. Në dukje këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse i përkasim botës moderne, integrimeve demokratike, zgjedhjes së lirë, ekonomisë së tregut… Por ka diçka që nuk shkon dhe që bie ndesh me interesin kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi.

Fakti se Greqia e ka okupuar Shqipërisë ekonomikisht, fetarisht, madje edhe në shumë segmente të tjera, bën që shqiptarët të mos kenë asnjë, “havale” nga greku edhe pse ai   i përçmon, i vret, i masakron, i shfrytëzon, u rrjep lëkurën dhe mbaron sholla këpucësh, i prostituon,  u vendos brenda Shqipërisë shtatore të atyre grekëve që kanë masakruar shqiptarë në të kaluarën, u ngrit monumente atyre që kanë luftuar për pushtimin e Shqipërisë, mbështet  idenë e krijimit  të një shteti grek brenda Shqipërisë, mohon fyen dhe injoron çështjen çame, u kontrollon dhe u grabit detin e shumë të tjera, nuk u bën fare përshtypje miliona shqiptarëve që atdhe të dytë, mbase edhe të parë, kanë Greqinë.

A kemi të bëjmë me mungesë të theksuar të “ndërgjegjes kombëtare”, apo thjesht kjo sintagmë nuk ka fare kuptim në mesin e shqiptarëve, në Shqipëri, madje dikujt i duket edhe primitive.

Turistët shqiptarë në Greqi zënë vendin e parë, por sa turistë  nga Greqia vizitojnë Shqipërinë. Kemi apo nuk kemi fare shifra, madje  shumica syresh kalojnë transit nëpër Shqipëri drejt Evropës.

Përderisa Greqia pasurohet nga turistët shqiptarë, Shqipëria këtë e kompenson nga turistët e Kosovës e të Maqedonisë. Në këtë rast sipas një matematike krejt të thjesht humbës janë vetëm shqiptarët, fitues grekët, me përzgjedhjen tonë. Nuk janë pak ata shqiptarë që duan një Greqi edhe më të fortë ekonomikisht. Atje e kanë kapitalin e tyre edhe magnatët shqiptarë, duke filluar nga i pari i Shtetit e me radhë.

Greqia shteti mik dhe armik i shqiptarëve, shteti fqinj që ka greqizuar arvanitasit dhe të gjithë shqiptarët ortodoksë, që ka masakruar  përndjekur, përzënë të gjithë shqiptarët e besimit islam, që mbanë ligjin e luftës, si gogol frike, i cili i jep të drejtë të intervenojë dhe ta pushtojë Shqipërinë, ka arritur të realizojë të gjitha projektet e veta, ka arritur t’ i bind shqiptarët se historikisht janë të destinuar  të jetojnë nën grekët.

Krejt këto dhe shumë fakte të tjera nuk u bëjnë fare përshtypje shqipfolësve apatridë, të cilët ndërgjegjen e tyre kombëtare e kanë vrarë me kohë dhe iu kanë përmbajtur  e i përmbahen maksimës, “atdheu im është atje ku mund të jetoj më mirë”.

Janë shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë ata të cilët ende e çmojnë ndërgjegjen e tyre kombëtare, ende e duan Shqipërinë edhe kështu si është, sepse gjaku nuk bëhet ujë, sepse duam të jemi vëllezër për së mbari, ndërsa ata, vëllezërit tanë, sivëllezër e kumbarë të grekëve, sidomos tani kur  disa “shkencëtarë me nam e ma namus” kanë shpikur origjinën pellazge-greke, të shqiptarëve, duan të bëhen grekë, duan ta përparojnë e ta mbështesin Greqinë, duan të tregohen më grek se greku sikur bënë arvanitasit, apo më turk se turku, sikur kishin bërë dikur shumë nga gjyshstërgjyshërit tanë.

Shqiptarët nga Kosova me shumicë, paratë e tyre të kursimit për pushime i derdhin në Shqipëri, në radhë të parë për dashurinë që kanë për Shqipërisë mëmë, sepse me ato para mund të pushojnë edhe në Mal të Zi, në Turqi, në Detin e zi dhe kudo në vendet e Ballkanit e më tej.

Shqiptarët e Kosovës për hir të çlirimit dhe dashurisë për Shqipërinë, kanë braktisur po thuajse krejtësisht plazhin e Ulqinit dhe të bregdetit të Malit të Zi.

Ata besoj se zënë vendin e parë në listën e pushuesve në Bregdetin e Shqipërisë, madje më shumë se vetë pushuesit vendorë, të cilët mjerisht paratë i derdhin në Greqi, ku pjesa më e madhe e tyre edhe i fiton…

( Ahmet Qeriqi)

gusht 2019

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …