Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisjes së Albin Kurtit, duke thënë se Kosova, sipas tij, duhet të rikthehet në “binarët e shtetit demokratik”. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka renditur një sërë çështjesh që, sipas tij, kërkojnë ndryshim urgjent. Në fokus të kritikave të tij janë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportet me Serbinë, energjia, ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe gjendja sociale. “E kam thënë dhe po e përsëris: rruga është e vetmja rrugë për ta rikthyer Kosovën në binarët e shtetit demokratik”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka kërkuar respektimin e SHBA-së si “aleat historik”, sanksionimin 100 për qind të Serbisë dhe rritjen e prodhimit vendor të energjisë, duke kundërshtuar blerjen e energjisë nga Serbia. Haradinaj ka kritikuar edhe trajtimin, siç pretendon ai, të projekteve amerikane, prodhuesve vendorë, punëtorëve, policëve dhe ushtarëve. Po ashtu, ka kërkuar më shumë investime në arsim dhe shëndetësi. Një tjetër pikë e reagimit të tij ishte emigrimi i qytetarëve. Haradinaj ka thënë se synimi duhet të jetë që familjet të ndërtojnë të ardhmen në Kosovë dhe jo të largohen drejt vendeve të Skandinavisë. Në fund, ai ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke paralajmëruar zhvillime politike në muajt e ardhshëm. “Pra, shtatori po vjen, Albin”, ka përfunduar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
