Joseph kritikon Prishtinën pas vizitës së Zelenskyt në Beograd: “Veproni me përgjegjësi, jo emocionalisht”

Profesori amerikan Edward P. Joseph ka kritikuar reagimet në Kosovë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, duke i cilësuar reagimet e disa liderëve kosovarë si të nxituara dhe emocionale. Joseph ka thënë se Kosova do të bënte “një gabim të madh” nëse do ta lidhte mbështetjen për Ukrainën me qëndrimin e Kievit ndaj statusit të Kosovës. “Kosova duhet ta dyfishojë mbështetjen për Ukrainën – jo t’ia kthejë shpinën!”, ka deklaruar Joseph. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të rikonfirmojë fuqishëm mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, ndërsa kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i ka kërkuar rikthimin e flamurit ukrainas.  Profesori amerikan e ka cilësuar vizitën e Zelenskyt në Beograd si një “alarm zgjimi” për Kosovën, duke kërkuar që Prishtina ta shfrytëzojë situatën për të forcuar pozicionin e saj strategjik, e jo për t’u larguar nga Kievi.  “Veproni me përgjegjësi, jo emocionalisht. Jepini fund kaosit politik. Merrini seriozisht obligimet tuaja ndaj serbëve të Kosovës. Çojini përpara interesat strategjike të Kosovës”, ka përfunduar Joseph.

Kontrolloni gjithashtu

Britania i bën thirrje politikës kosovare: Kuvendi duhet të konstituohet urgjentisht

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar lidhur me krizën e vazhdueshme institucionale …