Profesor, Arsim Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd, ku ai tha se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke kundërshtuar njëkohësisht edhe krahasimin e Kosovës me Krimenë. Bajrami ka argumentuar se Kosova dhe Krimea përfaqësojnë dy raste krejtësisht të ndryshme, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë juridik e politik. Rasti i Krimesë lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjen ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë në vitin 2014, vendosjen e kontrollit mbi gadishull dhe aneksimin e tij nga Rusia, veprim i kundërshtuar nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. “Kosova, përkundrazi, nuk ka kaluar nëpër një proces aneksimi nga ndonjë shtet tjetër”, ka shkruar Bajrami. Ai ka rikujtuar pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, duke iu referuar veçanërisht Kushtetutës së vitit 1974, e cila, sipas tij, i kishte dhënë Kosovës elemente të rëndësishme të autonomisë dhe statusit konstituiv në federatë. Një tjetër element që Bajrami e konsideron vendimtar është administrimi ndërkombëtar i Kosovës pas luftës së vitit 1999. Ai ka rikujtuar se, përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova u vendos nën administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut. Bajrami i është referuar edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, duke theksuar se gjykata konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. “Kosova dhe Krimea nuk janë dhe nuk mund të jenë e njëjta gjë”, ka përfunduar Bajrami, duke e cilësuar të pabazë përpjekjen për t’i barazuar dy rastet në planin historik dhe juridik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
