akp deri me 4 nentor
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Besnik Liman Begunca (21.7.1972-10.8.1998)
Besnik Liman Begunca (21.7.1972-10.8.1998)

Besnik Liman Begunca (21.7.1972-10.8.1998)

Besniku lindi në Kaçanik më 21 korrik të vitit 1972. Ishte pjesëtar i një familjeje të varfër ekonomikisht, por me tradita atdhetare. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Ka mbaruar degën e tregtisë.
I edukuar në frymë patriotike, Besnik Begunca qysh i ri angazhohet në radhët e forcave militante, të cilat organizuan demonstrata e protesta kundër dhunës që ushtronte okupatori serb. Mori pjesë në shumë aktivitete atdhetare, që u zhvilluan në Kaçanik, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar.
Në mesin e shokëve shquhej për tirmëri, solidarësi dhe guxim. Kishte shpirt sakrifice dhe kurdoherë ishte në radhët e para gjatë protestave.
Në kohën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besnik Begunca, ashtu sikurse edhe shumë liridashës nga të gjitha viset e robëruara të Shqipërisë, tanimë ishte i përgatitur për të marrë pjesë aktive në luftë. Policia serbe dy herë i kishte bastisur shtëpinë me pretekst të kërkimit të armëve, mirëpo Besniku kishte marrë masat me kohë. Ai kishte fshehur armët në vend të sigurt. Policët serbë, meqë kishin dyshime të bazuara se Besniku posedonte armë dhe merrej me veprimtari ilegale, dy herë e marrin në të ashtuquajturën “bisedë informative”.
Besniku mbante lidhje me Agim Bajramin, veprimtarin e shquar të Lëvizjes kombëtare dhe luftëtarin e radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili asokohe ndodhej në Zvicër.
Më 5 mars të vitit 1998, në kohën kur kishte filluar lufta heroike dhe titanike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e Jasharëve të tjerë kundër shtetrrethimit serb, Besnik Begunca bëhet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Meqë në shtëpi fshehtas mbante armë, në përgatitjen e armëve dhe në pastrimin e tyre merrnin pjesë motra e tij, Merita dhe nusja e Besnikut, Luljeta, të cilat edhe ishin në dijeni të aktivitetit luftarak të Besnikut. Qysh prej pranverës së vitit 1998 lidhi dhe mbajti kontakte me luftëtarët e njësiteve që vepronin në Jezerc. Në mesin e bashkëluftëtarëve me të cilët ishte prore në veprim kanë qenë: Skënder Sopa, me të cilin ishte i pandashëm, pastaj Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj, Misim Sopa Kjani Bela, Nexhmedin Dema, Xhemal Burniku e të tjerë.
Më 4 gusht të vitit 1998, Besnik Begunca së bashku me Kjani Belën, Ejup Runjevën dhe me tre ushtarë të tjerë të Kaçanikut, në fshatin Duraj iu bashkuan njësitit, që përbëhej nga 23 luftëtarë të lirisë. Nga Duraj luftëtarët e lirisë, të cilët ishin përgatitur për të marrë pjesë në luftë kundër forcave armike serbe, depërtuan në Jezerc, në Zonën Operative të Neredimes, të cilën e komandonte Shukri Buja.
Pesë ditë më vonë, më 9 gusht, komandant Agim Bajrami, i quajtur komandant “ZEFI”, së bashku me Besnik Beguncën dhe Xheladin Kurtajn duhej të ktheheshin në Kaçanik në një detyrë të rëndësishme. Në orët e vona të natës, Besnik Begunca, Agim Bajrami dhe Xheladin Kurtaj futen në shtëpinë e Xheladinit, në fshatin Gabrricë. Të tre trimat e lirisë ishin lodhur e dërrmuar nga rruga e gjatë këmbë gjatë tërë ditës. Në orët e vona të natës hetojnë se fshati ishte rrethuar. Rrethim i hekurt iu kishte bërë sidomos shtëpisë së Miftar Kurtajt.
Në agun e parë të 10 gushtit fillojnë luftimet në mes të tre luftëtarëve të paepur të lirisë dhe forcave okupatore, të ndihmuara edhe nga mercenarë shqipfolës. Luftëtarët e lirisë, trimat e Adem Jasharit, kishin lidhur besë që të gjallë të mos i binin në dorë armikut. Mësymjen e parë të forcave armike ata e presin me zjarrin e armës çlirimtare. Edhe pse lufta ishte e pabarabartë, trimat e lirisë luftuan deri në fishekun e fundit. Nëna e dëshmorëve Xheladin Kurtaj dhe Danush Kurtaj ka qenë dëshmitare e luftës dhe heroizmit të tre dëshmorëve të lirisë. Duke rrëfyer për luftën heroike të trimave të lirisë, ajo, ndër të tjera, thotë: Forcat armike e kishin rrethuar tërë fshatin, ndërsa shtëpisë sonë iu afruan pa u vërejtur. Djemtë kishin bërë betimin që të mos dorëzoheshin, por të luftonin deri në fund. Katër orë kanë zgjatur luftimet, derisa iu mbarohet municioni. Ata ranë trimërisht, ashtu si bien trimat e lirisë, kujton ato momente nëna e dëshmorëve Xheladin Kurtaj dhe Danush Kurtaj.
Gjatë luftimeve, edhe pse me forca të pabarabarta, ka pasur të vrarë e të plagosur edhe në radhët e forcave armike. Në mesin e forcave policore serbe ishin edhe kolaboracionistët e damkosur: Avdi Bajgora, Azem Dremjaku dhe Selim Topojani.
Në ditën e rënies së tre yjeve të pashuar të lirisë, në shtëpinë e Miftar Kurtajt, në fshatin Gabrricë, kishte shkuar për të kërcënuar popullatën liridashëse kohorta bastarde e shpirtshiturve e përbërë nga: Mahmut Dardhishta, Riza Kiki, Shaip Reka, Selim Topojani e Isen Tusha. Ata kishin paralajmëruar popullatën, se kështu do t’iu ndodhte të gjithë atyre që do të merrnin guxim për t’ia kthyer armën regjimit të Milosheviqit, të cilit ata i shërbyen me besnikëri bastarde si gjatë kohës së luftës ashtu edhe pas çlirimit të vendit nga okupatori serb
Të nesërmen, më 11 gusht, familjarët e dëshmorëve dhe shumë liridashës nga Kaçaniku e rrethina varrosin trupat e dëshmorëve në varrezat e fshatit Gabrricë. Para të pranishmëve flet mësuesi Hamit Berisha, i cili ngre lart qëndresën dhe trimërinë e trimave të lirisë, që gjakun e tyre ia kishin falur çlirimit të Kosovës. Për shkak të këtij fjalimi, ai ndiqet nga policia serbe.
Pas luftës, në shenjë nderimi për dëshmorin, i cili, pos të tjerash, ishte edhe sportist i dalluar, stadiumi i qytetit të Kaçanikut mori emrin Besnik Begunca.
Besniku ka qenë i martuar me Luljetën, të cilën, përveç bashkëshorte, e kishte edhe shoqe të idealit. Ai ka lënë pas dy bijat: Eljesën dhe Blendinën, të cilat po rriten në Kosovën e lirë, falë gjakut të derdhur të babait të tyre dëshmor. Ai ka lënë pas babanë, Limanin dhe nënën, Hisnijen, motrat Meritën dhe Afërditën dhe vëllezërit Imerin e Bashkimin.
Në nderim të veprës së tij atdhetare, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i ka dhënë Mirënjohje. Po kështu familjes së tij Mirënjohje i ka dhënë edhe Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Zona Operative e Neredimes.
Trupi i dëshmorit Besnik Begunca prehet në përjetësi në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Gabrricë, aty ku luftoi dhe ra trimërisht së bashku me dëshmorët: Agim Bajrami dhe Xheladin Kurtaj. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Abedin Sokol Rexha (8.7.1969 – 8.10.1998)

Abedin Sokol Rexha (8.7.1969 – 8.10.1998)

Abedin Rexha, lindi me 8 korrik të vitit 1969 në në fshatin Vojnik, të komunës ...