Mediet

Shumë lexues, me apo pa vetëdije, pranojnë mashtrimin dhe fyerjen e inteligjencës së tyre nga mediet e caktuara

Një pjesë e madhe e medieve në Kosovë i  deformojnë informatat, kopjojnë, vjedhin, i përgjysmojnë,  interferojnë  dhe bëjnë punën e klaneve të biznesit, apo klaneve  politike e ideologjike nga të cilat financohen

Shumica dërrmuese e medieve  janë prodhuese dhe ricikluese të lajmeve që sajojnë e shpërndajnë pandërprerë vetëm me qëllim përfitimi, mbijetese, pasurimi dhe jo në shërbim të informimit real, apo përhapjes së diturisë dhe begatimit të dijes e vlerave qytetëruese. Këtë, nëse ende nuk e keni kuptuar duhet ta kuptoni sa herë që merrni vendim për ta shfletuar apo për të mos e shfletuar, dëgjuar, apo për ta përcjellë një medium të caktuar.

Qëllimi i çdo mediumi, në këtë konkurrencë virulente kapitaliste është që të imponohet dhe mundësisht të përvetësojë shfletuesin.

Andaj, kujdes çfarë lexoni e çfarë shfletoni, sepse jeni të rrezikuar nga ata që duan  me çdo kusht të iu shfrytëzojnë, të përfitojnë dhe më pas t’iu flakin si plaçkë pa vlerë…

Ky konstatim nuk vlen për të gjitha mediet,  por, mjerisht vlen për shumicën prej tyre.

Pretendimet se mediet e thonë të vërtetën dhe se u duhet besuar atyre, janë pretendime naive dhe këtë mund ta besojnë vetëm njerëzit naivë  me arsimim të dobët, gjysmakë dhe të tillë që nuk lexojnë,  nuk mësojnë dhe nuk arrijnë ta kuptojnë realitetin objektiv, ku jetojnë.

Mediet, të cilat pas luftës në Kosovë kanë ngalluar si hithrat  në pleh, nuk e pasqyrojnë as përafërsisht realitetin që mbretëron në publik, dhe as mund të merren si kriter për të vlerësuar një gjendje, apo një situatë aktuale. Mjafton të plasohet një gënjeshtër nga një medium dhe një lajm i tillë, sidomos nëse është sensacional, lajm i kronikës së zezë, apo lajm hiqi, por i kurdisur me një titull provokues për ta lexuar, dhe, atëherë  informata e tillë bëhet lajm për komentim. Por krejt  kjo nuk zgjat shumë, sepse sajuesit  e lajmeve të tilla, pas pak çastesh afishojnë tjetrin lajm sensacional dhe kështu me radhë. Derisa një lajm i tillë lexohet, afishohen sa e sa të tjerë dhe në këtë mënyrë krijohet kaosi informativ, galimatiasi gjuhësor,  që i përngjet  punës së Sizifit, asaj gjithçkaje që nuk ka fillim as mbarim.

Shumë nga lexuesit që kanë prirje për sensacione, që ushqehen me ëndrra e gënjeshtra, duke shfletuar lajmet, komentet, analizat bëhen edhe më trapa sesa kanë qenë, sepse në trurin e tyre përzihen të gjitha dhe ai nuk di çka zgjedh, nuk di cilës informatë t’i besojë.

Nga kjo kategori  lexuesish, mediet serioze nuk shfletohen, nëse nuk trillojnë, nëse nuk e deformojnë lajmin, nëse nuk afishojnë tituj sensacionalë e provokues, nëse nuk afishojnë pornografi dhe reklamë të dalldisur  për veten e mediumin e tyre.

Mediet serioze kanë më pak lexues, dëgjues e shfletues, sepse njerëzit seriozë edhe nuk kanë kohë të merren me mediet, meqë  ata punojnë, veprojnë, janë vetë ata, që lajmin e krijojnë me punë, me angazhim dhe afinitet në profesione të caktuara.  Mediet e tilla krijojnë opinion dhe kanë lexues seriozë, nëse kanë edhe gazetarë me kredibilitet, njohës të rrethanave dhe parashikues realistë dhe jo paragjykues naivë e injorantë, të cilët janë shumuar ashtu sikur janë shumuar portalet dhe papagajtë  medialë kudo në botën e sotme.

2.

Duke shkruar për industrinë i informimit, gazetarja dhe filozofja e mirënjohur, Antonia Case, redaktore letrare e revistës Filozofia e re redaktore e revistës “Magazina e femrave” shprehet se “Praktikuesit e marrëdhënieve publike mësuan që arti i paketimit të informacionit në medie na sjellë informata për katastrofa, luftëra, terror, vrasje, seks, ikona stili, divorc, modele, miliarderë e kështu me radhë. Brenda këtyre lajmeve vijnë gjëra të tjera, gjëra më të rëndësishme që ndikojnë në mënyrën si ju shikoni dhe perceptoni botën dhe ku e shikoni veten në skemën e gjërave”.

Në këtë segment ne jemi të bombarduar me lajme sensacionale, me gënjeshtra notorne, me shpifje, tallje, trillime, përbuzje, sharje, fyerje dhe këto informata janë krejtësisht të panevojshme t’iu bëjmë vend në trurin tonë, sepse nuk na shërbejnë për asgjë, sepse sajohen si informata të tilla për të na deformuar trurin, bindjet, besimin dhe ata për vetën e tyre krejt këtë punë e bëjnë  për të nxjerrë përfitime. Dhe mjerisht shumica edhe ia arrijnë.

Përse atëherë i lexojmë, kush është lexuesi apo shfletuesi, kërkuesi apo hulumtuesi?

Leximi është vlerë unike e mësimit dhe e pajisjes së njeriut me njohuri e dituri. Shpikja e shkronjave, në bazë të tingujve të shqiptuar nga goja, që në fonetikë quhet  “aparati i të folurit”, i ka dhënë jetës njerëzore formën e qytetërimit, që ka mbijetuar me shekuj dhe është perfeksionuar përmes mësimit e arsimimit, si përcaktues themelor i qytetërimit njerëzor.

Por për dallim nga vitet e shkuara kur pothuajse krejt çka është botuar edhe ka vlejtur të lexohet, sot raporti është krejtësisht ndryshe. Sot vetëm 10 për qind e asaj të botohet apo afishohet në medie e portale  ka vlerë të lexohet dhe mund të mësohet prej saj. Sepse sot boton libra kushdo dhe të tillët i shpërndajnë gjithandej, kudo ku arrijnë, edhe pse e dinë mirëfilli se nuk i lexon kush, përveç nëse janë politikanë, njerëz të biznesit, VIP-a, apo këngëtarë të njohur, sportistë apo artistë, të cilët sukseset e tyre i kanë arritur me meritë, ose janë pjellë e reklamës dhe mujsharisë politike.

Edvard Bernajs, personalitet i njohur marrëdhënieve me  publikun, ka thënë: “Çdo banor është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndikimit të rrjetit tonë të gjerë të komunikimit që shtrihet në çdo cep të vendit, pavarësisht sa i largët apo i izoluar është.

Fjalët godasin vazhdimisht sytë dhe veshët”.

Sot, industria e marrëdhënieve publike është një gjigant në shumë miliarda dollarë.

Një narrativë e mirë, prodhim cilësor, imazhe dhe tituj – të gjitha të lustruara dhe të përcjella me makinën mediatike.

Sukses i marrëdhënieve publike konsiderohet kur një emër, individ apo kompani, bëhet “publik”, pavarësisht mënyrës si bëhet i tillë.

Këta njerëz dhe reklamat e marrëdhënieve publike konsumojnë jetën mendore të lexuesve dhe shikuesve, të cilët thjesht nuk mund t’i rezistojnë goditjes. Dhe me rutinën e konsumit të lajmeve që është bërë pjesë e jetës së shumicës, kontrolli i mendjes publike është po aq i lehtë sa hedhja e peshkut në një fuçi.

Ata mendojnë për ju haptazi.

Mesazhi i fshehur, ose supozimi i pranishëm në shumicën e lajmeve, është që njerëzit janë të këqij, bota është jashtë kontrollit dhe se në botë ka shumë njerëz më të suksesshëm se ju. Pronarëve të pasurive që sigurojnë fitime të majme duke blerë me çmim të ulët dhe shitur me çmim të lartë – që i japin me gëzim shtëpinë një familjeje që do të jetë në borxh për pjesën tjetër të jetës – u rrihen krahët me respekt. Pronarët e bizneseve që krijojnë perandori dhe grumbullojnë pasuri masive janë ikonat tona kombëtare.

Mediet, në përgjithësi, nuk iu përmbahen kodekseve morale, andaj edhe kanë degraduar duke u bërë pjesë e politikave dhe klaneve të caktuara. Ato afishojnë pornografi, foto të femrave të përdala, merren me jetën e tyre private, me veshjet, veset, aferat, skandalet,  veturat e tyre, dashnorët e dikurshëm e aktualë, ligësitë, perversitetet e amoralitetin,  poshtërsisë e tyre.

Si të tilla, disa medie nuk kanë kurrfarë kredibiliteti, për më keq me qëllim për të mbijetuar, ato nuk zgjedhin mjete e metoda duke deformuar realitetin, duke paraqitur vetëm anët e zeza, vetëm kronikat e zeza. Në këtë mënyrë ato bëhen pjesë e babëzisë dhe nopranisë njerëzore.

(Ahmet Qeriqi)

30. 10. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …