Smajl Latifi: Sot, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, me përkushtim të lartë, përkujtuam dy heronjë, Ilir Konushevcit dhe dr.Hazir Malaj

“Sot, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, me përkushtim të lartë, përkujtuam e u përulëm para varreve të dy heronjve, Ilir Konushevcit dhe doktorit Hazir Malaj.

Biri i Llapit të Kosovës martire, Ilir Konushevci, qe ndër të parët në krye të kolonës së çlirimtarëve, që po çante shtigjet e luftës për liri e po angazhohej fort për bashkimin e forcave atdhetare, si domosdoshmëri e kohës për ta realizuar qëllimin tonë kombëtar, çlirimin e trojeve tona.

Krijimi i frontit të përbashkët të çlirimtarëve, veçse nevojë jetike, ishte shpresë për tërë lëvizjen tonë të armatosur për çlirim, për zhvillimin, shtrirjen dhe fuqizimin e saj, si dhe porosi e qartë që përhapte frikë tek armiqtë e te qarqet që u shërbenin atyre. Prandaj, ata që ishin kundër lirisë së popullit tonë, u hodhën në sulm, e ideuan dhe e zbatuan planin për vrasjen e Ilir Konushevcit – MËRGIMIT dhe të bashkëluftëtarit të tij, dr. Hazir Malaj, në vendin e quajtur Miliskajë, në maloren mbi pendën e hidrocentralit të Fierzës, rrethi Bajram Curr, më 9 maj 1998.

Me përjetësimin e Ilir Konushevcit, dr. Hazir Malaj, Bahri Fazliut e Agron Rrahmanit, ndërmjet datave 7 dhe 12 maj 1998, lëvizja jonë kombëtare çlirimtare mori goditje shumë të rëndë, pesha e humbjes qe shumë e madhe, por mbi këto dhimbje të thella, u ngritën në këmbë me mijëra të tjerë, ngjeshën armët dhe nga krismat e pushkëve të tyre, jehoi fuqishëm në beteja zëri kushtrimtar për bashkim i Ilirit, i Hazirit, i Bahriut, i Agronit e i të rënëve ndër breza dhe thirrja e tyre për të luftuar me vetëmohim deri në çlirimin e plotë të Kosovës dhe të trojeve tona të pushtuara!

Nderime dhe lavdi për jetë e mot veprës së heronjve Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Malaj”, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi merr pjesë në panelin në kuadër të “Javës së gruas”

Me ftesë të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryetari Smajl latifi mori pjesë në panelin në …