BE për Specialen: “Mbështetja jonë do të vazhdojë”, PDK kërkon ndryshimin e ligjit

Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se do të vazhdojë mbështetjen për gjykatën speciale në Hagë, në kohën kur në Kuvendin e Kosovës është proceduar iniciativa për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që rregullon funksionimin e tyre. Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, tha se Brukseli nuk komenton njoftimet apo planet për ndryshime ligjore, por përsëriti qëndrimin e BE-së se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të pavarura të drejtësisë, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Sipas tij, puna e tyre lidhet me llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Wigand rikujtoi gjithashtu se të dënuarit në shkallën e parë kanë të drejtë ankese dhe se aktgjykimi do të shqyrtohet nga një panel i veçantë i gjyqtarëve të apelit. “Mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, deklaroi ai. Deklarata e Brukselit vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas PDK-së, nisma synon ndër të tjera kufizimin e mandatit të Speciales dhe vendosjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi, ndërsa për krimet e luftës të trajtuara në aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së propozohet që çështjet të gjykohen në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Pandeli Majko

Pandeli Majko: Vendimi i Hagës ka pasoja përtej Kosovës, Shqipëria dhe Kosova duhet të reagojnë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-krerëve …