Pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, debati për Gjykatën Speciale është zhvendosur edhe në Kuvendin e Kosovës, ku Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. PDK-ja ka deklaruar se ndryshimet e propozuara nuk nënkuptojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nismën do ta shqyrtojë nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që mund të ketë në procedurat që po zhvillohen në Hagë. Nismën e PDK-së e ka mbështetur Aleanca, ndërsa diskutimi për ndryshimet e propozuara ka hapur çështje që lidhen me kompetencat e Speciales, kohëzgjatjen e proceseve dhe mënyrën e ekzekutimit të dënimeve. Në këtë debat janë përfshirë edhe juristë, të cilët kanë diskutuar mundësinë e ndryshimit të ligjit përmes procedurave parlamentare, por edhe çështjet juridike e kushtetuese që mund të lindin nga ndryshimet konkrete. Nisma e PDK-së vjen në kohën kur në Kosovë po vazhdojnë protestat kundër aktgjykimit të Hagës, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një marsh më 1 tetor, ndërsa ka bërë të ditur edhe inicimin e një peticioni qytetar, i cili synohet të dërgohet në Bruksel, Strasburg dhe Hagë. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të vazhdojë në shkallën e apelit, duke e bërë çështjen e ndryshimeve të mundshme ligjore në Kosovë pjesë të një debati më të gjerë institucional, politik dhe juridik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
