Vlora Çitaku kundërshton “asimetri dënimesh”: “Problemi është çfarë po dënohet”

Zyrtarja e lartë e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve për “asimetri dënimesh” lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çitaku ka kritikuar deklarimet për krahasimin e masës së dënimeve, duke argumentuar se, sipas saj, debati nuk duhet të përqendrohet te numri i viteve të burgimit, por te përmbajtja dhe interpretimi i aktgjykimit. “Amani ju koftë, mos flisni për ‘asimetri dënimesh’, siç paska folur Kryetari i LVV-së. Sepse kjo i bie me thënë: dënojini, por jo bash kaq shumë, sepse këta katër burra nuk kanë bërë masakra e dhunë sistematike”, ka shkruar Çitaku. Ajo ka ngritur pyetjen se cili është thelbi i aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se çështja, sipas saj, nuk lidhet me faktin nëse dënimet janë 25 vjet, më pak apo më shumë. “A po e kuptoni thelbin e këtij dënimi? Këtu nuk bëhet fjalë nëse i morën 25 vjet, më pak apo më shumë. Thelbi është shumë më i rëndë: UÇK-ja është gjykuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Është kriminalizuar vetë ideja e luftës çlirimtare”, ka deklaruar Çitaku. Sipas saj, shqetësimi kryesor qëndron te mënyra se si aktgjykimi e trajton luftën e UÇK-së dhe jo vetëm te masa e dënimeve të shqiptuara ndaj katër ish-krerëve. “Pra, problemi nuk është masa e dënimit. Problemi është çfarë po dënohet. Lufta çlirimtare është kriminalizuar”, ka përfunduar Çitaku.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi shpallet i pafajshëm në rastin “Brezovica”

Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Bedri Halimi, është shpallur i …