Kryetari i komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku përmes një postimi në facebook ka përkujtuar në 28-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, heroin e kombit, intelektualin, patriotin, bashkëluftëtarin e paepur, Fehmi Lladrovci, heroinën Xhevë Lladrovci dhe luftëtaren Fatime Hetemi.
“Feha ishte burrë i idealeve të mëdha, trim i rrallë dhe vizionar i çështjes kombëtare. Ai nuk u mjaftua vetëm me ëndrrën për liri. Ai ia kushtoi jetën organizimit, sakrificës dhe luftës për ta bërë atë realitet. Pas kthimit nga mërgimi, me angazhim e guxim të rrallë udhëhoqi Brigadën 114 të Zonës së Drenicës, duke qëndruar në ballë të luftës deri në ditën e rënies.
Më 22 shtator 1998, gjatë ofensivës serbe e cila përfshiu pjesën më të madhe të Drenicës, Komandanti Fehmi Lladrovci ra krah për krah me bashkëshorten e tij, heroinën Xhevë Lladrovci, dhe luftëtaren Fatime Hetemi tek pika e Gradinës në Gllanasellë. Ata ranë duke luftuar për tokën e tyre, për lirinë e popullit dhe për një Kosovë të lirë.
Lavdi e përjetshme Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës”, ka shkruar kryetari Lushtaku.