Profesori spanjoll i së Drejtës Kushtetuese, Joaquín Urías, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare është qasur ndaj Kosovës, veçanërisht pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një shkrim autorial, Urías ka kritikuar ashpërsinë e dënimeve, duke argumentuar se ato tejkalojnë trajtimin që, sipas tij, u është bërë përgjegjësve të krimeve të kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë. “Komuniteti ndërkombëtar e ka ndëshkuar Thaçin me një dënim më të ashpër se çdo organizator i përpjekjes për gjenocid serb”, ka shkruar Urías, duke shtuar se është e vështirë të mbështetet një vendim i tillë nëse ai shihet përmes raportit mes ligjit dhe politikës ndërkombëtare. Sipas tij, në konfliktet e mëdha politike dhe historike, ligji rrezikon të shndërrohet në “një mbulesë për politikën”, duke ngritur kështu pyetje mbi ndikimin e kalkulimeve politike në trajtimin e rasteve të tilla. Urías ka theksuar gjithashtu se veprimet për të cilat është dënuar Thaçi duhet të shihen në kontekstin e luftës së UÇK-së kundër spastrimit etnik, duke vënë në dukje dallimin mes rrethanave të konfliktit në Kosovë dhe krimeve të kryera nga regjimi serb. Deklaratat e profesorit spanjoll vijnë në një kohë kur në Kosovë dhe jashtë saj po vazhdojnë protestat kundër aktgjykimit të Hagës. Sot shënohet dita e shtatë e protestave në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nën thirrjen “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
