Avokati britanik Toby Cadman ka kritikuar mënyrën se si janë trajtuar dëshmitë e mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke i cilësuar veçanërisht të zhgënjyeshme dënimet prej 25 vitesh burgim ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Cadman, i cili më herët ka përfaqësuar Nasim Haradinajn, ka thënë se në procedurën e apelit mbrojtja duhet të fokusohet te mënyra se si janë vlerësuar dëshmitë e dëshmitarëve të saj. Sipas tij, këto dëshmi janë shpërfillur dhe një argumentim i fuqishëm në apel mund të çojë në rrëzimin e aktgjykimeve. “Dëshmitë e mbrojtjes janë shpërfillur plotësisht dhe kjo duhet të argumentohet fuqishëm në apel dhe potencialisht të çojë në rrëzimin e aktgjykimeve”, ka deklaruar Cadman. Ai ka kritikuar gjithashtu faktin që Specialja ndjek penalisht vetëm njërën palë të konfliktit, duke thënë se kjo, sipas tij, ndikon në legjitimitetin e institucionit. Cadman e ka përshkruar Specialen si një tribunal ndërkombëtar “në çdo aspekt, përveç emrit”.Duke iu referuar formulimit se aktgjykimet jepen në emër të popullit të Kosovës dhe protestave me sloganin “Jo në emrin tim”, Cadman ka thënë se është e vështirë të barazohet Specialja me një gjykatë të Kosovës. Ai ka përmendur edhe mundësinë që procedurat e apelit të zhvillohen në Kosovë, duke argumentuar se ligji, sipas interpretimit të tij, nuk e përjashton një mundësi të tillë. Cadman ka thënë se çështja mund të shqyrtohet edhe në raport me marrëveshjen ndërkombëtare të Kosovës me Holandën dhe mundësinë e arbitrazhit. “Unë e kam mbështetur këtë edhe për arsyen se gjykata nuk ka qasje nga populli i Kosovës”, ka deklaruar ai
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
