Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Vendimi për protestat është marrë pas takimit me kryetarët e degëve të OVLUÇK-së. Protestat do të zhvillohen të premten, më 25 shtator 2026, duke filluar nga ora 17:00, ndërsa dega e Prishtinës do t’i bashkohet protestës në orën 21:00. OVLUÇK-ja u ka bërë thirrje institucioneve komunale dhe qytetarëve që t’u bashkohen protestave, të cilat, sipas organizatës, synojnë shprehjen e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së dhe vlerat e luftës çlirimtare. Organizata ka theksuar se do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës, me kusht që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të mos cenojnë rendin kushtetues. Në të njëjtën kohë, OVLUÇK-ja u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore që të bashkohen në hartimin e një strategjie kombëtare për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së deri në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
