Sociologu Gëzim Tushi: Plakja e popullsisë shqiptare me përmasa dramatike!

Sociologu Gëzim Tushi: Plakja e popullsisë shqiptare me përmasa dramatike!

(Albert Z. Zholi, intervistë me sociologun e  njohur, Gëzim Tushi)

 

Plakja e popullsisë shqiptare përveçse ka marrë përmasa dramatike, kërkon përmirësimin e politikave. I këtij mendimi shprehet sociologu i njohur, Gëzim Tushi. Duke komentuar shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave për popullsinë shqiptare, ai ka shtuar se për këtë ka ndikuar ulja drastike e lindshmërisë, por edhe emigracion.

 

  1. Tushi. Para dy ditësh, Instituti i Statistikave prezantoi shifrat më të fundit rreth popullsisë shqiptare, sipas të cilave ajo rezultonte sërish në rënie dhe duke u plakur. Si do t’i komentonit ju këto shifra?

Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri globale, e cila është kthyer në një “epidemi demografike”, që ka përfshirë të gjithë vendet. Sidomos ato të zhvilluara, europiane dhe më gjerë. Plakja me ritme të shpejta e popullsisë në Shqipëri nuk është vetëm një shqetësim demografik, por është me pasoja edhe në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Sepse, nga njëra anë ulet pasha e forcës aktive të punës në ekonomi dhe nga ana tjetër, rriten shpenzimet që duhen për të përballuar nevojat dhe kostot e shtresës së të moshuarve për sigurimet e tyre shëndetësore e shoqërore.

 

Cilat janë sipas jush shkaqet e kësaj plakjeje?

Plakja e popullsisë është një dukuri që ka shkaqet e saj. Tashmë është prezente edhe në Shqipëri, e cila nëse dikur ishte vendi europian me moshën më të re, rreth 27 vjeç, sot ka arritur mesataren e moshës 35 vjeç. Edhe pse nga pikëpamja e moshës mesatare nuk jemi ndër listën e vendeve me popullsi me moshë të plakur, shqetësues është ritmi i lartë i procesit të plakjes, që është nga më të lartit në Europë. Kjo sepse shpejtësia e plakjes së popullsisë shqiptare është akseleruar dhe shfaqet me dinamikë të lartë. Mjafton të themi se nëse në vitin 2006 mosha mesatare ishte 31.8 vjeç, tani e ka kaluar moshën 37.2 vjeç. Shkaqet janë të shumta, me natyrë materiale dhe kulturore, që lidhen me ndryshimin e konceptit për jetën, ndryshimin e tipologjisë së martesës, strukturës së familjes, kontrollin e lindjeve, etj.

Së pari, një nga shkaqet evidente është ulja drastike e lindshmërisë. Të dhënat flasin për një ulje të ndjeshme të saj. Kjo ka bërë që nga 5 fëmijë për grua që kishte shoqëria jonë në vitin 1970, sot ajo ka zbritur në 1.67. Ndërkohë që për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua. Pra, kemi kaluar në një situatë kur ndodhemi nën normën e zëvendësimit aritmetik të popullsisë.

Së dyti, zgjatja e jetës është një tjetër tregues që dëshmon për plakjen e popullsisë dhe prishjen e raporteve midis moshës së re aktive dhe të moshuarve.

Së treti, emigracioni është një nga shkaqet me peshë që akseleron treguesit mekanikë të plakjes së popullsisë. Sepse në këto tri dekada janë larguar përmes valëve të emigracionit të rregullt apo klandestin më shumë se një milion njerëz. Një fenomen që po vazhdon edhe kohët e fundit, duke u shfaqur si një lloj “emigracioni i vonuar”. Kjo dukuri, (emigracioni), ka bërë që nga Shqipëria të largohen kryesisht mosha rinore dhe njerëz të aftë për punë, duke ndikuar në prishjen e raporteve midis popullsisë së re në moshë dhe njerëzve të moshuar.

Ndikimi i emigracionit në plakjen e popullsisë duhet vlerësuar në të gjithë aspektet, sepse pasojat janë komplekse dhe afatgjata, demografike, ekonomike, sociale e financiare.

Dhe çfarë duhet të bëhet sipas jush në një situatë të tillë?

Kjo situatë kërkon përmirësimin e politikave që kanë të bëjnë me përmirësimin e mesatares moshore të popullsisë tonë, për ligje që mbështesin dhe favorizojnë lindshmërinë, mbështetjen për trajtimin e fëmijëve në institucionet e kujdesjes sociale (kopshte e çerdhe), mbështetje për nevojat e tyre, etj. Po kështu, është e nevojshme që reformat të cilat kanë të bëjnë me politikat e punësimit, duhet të jenë më efektive e dinamike, për të zbutur akoma më shumë nivelin aktual të varfërisë dhe papunësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …