Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Deçanit, z. Isuf Demhasaj, së bashku me bashkëpunëtorët, zhvilloi një takim pune me z. Nol Buzhala, Drejtor iAgjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) si dhe me Udhëheqësin e Sektorit për Promovim të Investimeve, z. Kushtrim Thaqi.
Në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes KIESA-s ofrohen instrumente konkrete mbështetëse për zhvillimin e bizneseve në sektorë strategjikë.
Gjatë takimit u diskutuan këto çështje kryesore:
• avancimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet Komunës së Deçanit dhe KIESA-s;
• rritja e qasjes së bizneseve lokale në skemat mbështetëse dhe thirrjet publike;
• organizimi i sesioneve informuese për aplikim;
• rritja e përfitimit të bizneseve deçanase nga grantet dhe programet zhvillimore;
• mbështetja e sektorit prodhues dhe zhvillimi i sektorit të turizmit.
Gjatë diskutimit, theks i veçantë iu dha krijimit të mekanizmave konkretë që rrisin kapacitetet e bizneseve vendore dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik të komunës.
Po ashtu, u diskutua promovimi i potencialit turistik të Deçanit në arenën ndërkombëtare përmes programeve të KIESA-s.
Komuna e Deçanit mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive konkrete për bizneset vendore dhe në ndërtimin e partneriteteve që prodhojnë rezultate të matshme.
Në fund të takimit, drejtori Demhasaj shprehu falënderim për z. Buzhala dhe stafin e tij për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim.