Traktati i Berlinit

Të huajt na kanë lavdëruar por edhe na kanë përbuzur e na kanë gjymtuar territorin etnik

Në përpjekjet tona  për të treguar se kemi qenë dhe jemi popull fisnik, populli më i vjetër, se gjuha shqipe po ashtu gjuha më e vjetër në Evropë, në përpjekje për të krijuar një identitet ndryshe nga kjo që jemi, shumë studiues, hulumtues e publicistë tanë kanë gjurmuar dhe kanë identifikuar disa nga  vlerësimet e autoriteteve, shkrimtarëve, udhëpërshkruesve të huaj për popullin tonë.

Në këtë përpjekje për ta kompletuar identitetin e mirëfilltë, shpeshherë të munguar gjatë historisë, jo gjithherë të lavdishme, kemi zgjedhur e përzgjedhur vetëm ata mendimtarë e autoritete që kanë vlerësuar shqiptarët pozitivisht dhe nuk jemi marrë sa duhet edhe me ata të tjerët, që kanë mohuar dhe vazhdojnë ta mohojnë kombin tonë, racën, etninë, të drejtën historike dhe etnike në trojet tona.

Duke qenë se kemi prirje, madje shpeshherë  edhe të sëmurë për servilizëm ndaj të huajve, të mësuar  dhe të stërvitur  për mbijetesë, në shekujt e shumtë të robërisë, i kemi bërë dhe vazhdojmë t i bëjmë qejfin vetes, se si ne nuk ka askund të botë. Në këtë prirje kemi anashkaluar të gjithë ata që kanë kritikuar veset dhe dobësitë tona dhe nuk i kemi dhënë hapësirën e duhur qëndrimit konstant përbuzës të shumicës dërrmuese të shteteve të Evropës e më gjerë.

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit  19-të, kur inteligjencia shqiptare e kohës kishte bërë përpjekje të zbulonte para botës se nuk jemi turq, se jemi popull autokton i Ballkanit, se përbëjmë shumicën dërrmuese të territoreve të Rumelisë, personalitetet evropiane nuk e dëgjuan zërin tonë, sepse ata bazoheshin në emrat tanë dhe në fenë tonë. Ata mendonin se shqiptarët janë mbetje turke, aziatike, edhe pse Evropa intelektuale dikur kishte shkruar e folur me pitet për luftërat  e Gjergj Kastriotit, të cilin madje e kishin shpallur “Mbrojtës së Krishtërimit”, por kurrë dhe asnjëherë për së gjalli nuk e kishin ndihmuar, ose i kishin “ndihmuar” me cinizëm” e shpërfillje.

Në kohën kur stërgjyshërit tanë themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor të vitit 1878, ata iu drejtuan Fuqive të mëdha në Memrorandum me qëllim për t iu treguar se kush jemi dhe çka duam, por zëri i tyre ishte zë i vetmuar në shkretëtirën diplomatike evropiane.

Asokohe, më 13 qershor të vitit 1878 filloi punimet Kongresi i Berlinit, ku morën pjesë gjashtë fuqitë e mëdha botërore: Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Rusia dhe Austro-Hungaria. Edhe pse përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit u lejuan të marrin pjesë për të parashtruar kërkesat e tyre, në Kongres, Delegacioni shqiptar  që dërgoi Lidhja Shqiptare e Prizrenit  nuk u pranua të flasë as të paraqesë kërkesa.  Një muaj më vonë, më 13 korrik 1878, u nënshkrua, Traktati i Berlinit, ku u vendos që shqiptarët të mbeteshin edhe më tej nën sundimin turk, ndërsa tokat e tyre që konsideroheshin si prona të Perandorisë t’ iu jepeshin fqinjëve grabitqarë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Traktati i Berlinit legjitimoi copëtimin e tokave shqiptare. Nga 110 mijë Km2 sa kishte Shqipëria e Katër vilajeteve, asaj do t i mbeteshin vetëm 28.000, vetëm një e katërta.  Edhe tani  afër 140 vjet  më pas nga ai Kongres famëkeq, Shqipëria ka ngelur po me atë sipërfaqe, ndërsa  Kosova si shtet i pavarur është krijuar me 10 mijë km2. Trojet shqiptare ende kanë mbetur në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi.

Bizmarku, në fjalën e tij kishte konstatuar se Ballkan nuk ka shqiptarë dhe se  Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike. Po jo vetëm Bizmarku ishte i mendimit të tillë. Sot afër 140 vjet më vonë, në Bizmark tjetër, i quajtur, Johanes Jahn, zyrtar i larët i Bashkimit Evropian dhe komisar  për Zgjerim të Evropës në shtetet e Ballkanit, sado që në kushte dhe rrethana të tjera historike, thotë se  kurrsesi dhe në asnjë mënyrë nuk do të prishen vendimet e Kongresit të Berlinit dhe shqiptarët kurrë nuk mund të bashkohen. Shqipëria, të cilën e quajmë “londineze” meqë në vitin 1913, pikërisht në Londër kishte legjitimuar copëtimi i Shqipërisë, me kusht që të arrihej paqja dhe të kënaqeshin orekset e Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë të cilët aneksuar dy të tretat e territorit etnik shqiptar. Shqipëria që kemi sot është po ajo e vitit 1913. Kosova e Pavarur ende nuk është pranuar nga Bashkimi Evropian, i dalë nga kancelaritë e Evropës së shekullit 19-tp dhe sipas tyre  kurrë nuk do të pranohet, meqë politika e saj pretekcioniste ka qenë kundër intervenimit të NATO-së mbi makinerinë vrastare të Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Ja edhe disa shembuj sesi janë trajtuar dhe si nënçmohen e përbuzen shqiptarët nga evropianët e të tjerë, në mesin e tyre edhe ndonjë mik i shqiptarëve sikur historiani i mirënjohur Robert Elsie:

R.Elsie: Shqiptarët janë një popull memec, një popull pa zë në Evropë, që nuk arrin të shprehë veten, sepse historia e këtij populli është zhdukur në masë të madhe.

GIBERT (1914): I quan shqiptarët të zgjuar, si fëmijë, kalorës dhe të pabesë, dorëhapur dhe hajdutë, të përshpirtshëm (pietoze) dhe prapë pa ndjenjë fetare. E duan vendin e tyre, por nuk kanë ndjenjë kombëtare. Në pikëpamjen fetare janë tolerantë dhe prapë marrin pjesë në luftëra të përgjakshme fetare. Janë shumë të zgjuar dhe të gjitha anomalitë e karakterit të tyre shpjegohen me vobekësinë, injorancën dhe impulsivitetin e tyre.

“Ata (shqiptarët) mund të jenë vetëm ushtarë, por asnjëherë mos i lerë të të ofrohen afër pjatës, dhe mos i bëj të gjunjëzohen para teje nëse nuk e ke ndërmend tua heqësh kokën.” Ka thënë Sylejman Pasha, i mbiquajturi “ i ndrituri”.

“Shteti më i varfër dhe më i prapambetur i kontinentit, Shqipëria, është pyka e territorit të Ballkanit…” (Sally B. Donelly, 21 Maj 1990)

“Çdo shtet ka mafi, mafia shqiptare ka shtet.” (FBI duke diskutuar mbi mafinë shqiptare)

“Shqipëria është një shtet qesharak gjithsesi se duhet të  ndahet sa më shpejtë që është e mundur mes Greqisë dhe Jugosllavisë.” (Malcolm Muggeridge, cituar sipas Nicholas Bethell, 1984, The Great Betryal)

Të dëbohen shqiptarët nga Kosova drejt Bjeshkëve të Nemuna, është zgjidhja e vetme afatgjate për Serbinë. ( Vuk Drashkoviq)

Shqiptarët janë lëkur-kuqët e Evropës. Shqiptari i mirë, është vetëm shqiptari i vdekur. Shqiptarët janë njerëz me bisht, si majmunët. (Vlladan Gjorgjeviq.)

Në mesin e intelektualëve evropianë ka edhe të tillë të cilët janë të paanshëm dhe njohës të mirë të shqiptarëve dhe historisë së tyre. Me këtë rast po prezantojmë disa mendime realiste dhe të çmueshme të Aleksander Lambertit:

Ai mes tjerash ka shkruar: “Është e vërtetë se gjatë pushtimit otoman shumë shqiptarë u bënë myslimanë. Por e vërteta është se kryengritjet më të shumta kundra Perandorisë Otomane janë bërë më tepër nga shqiptarët, se sa nga popujt e tjerë të krishterë. Përkundrazi, ndërrimi i fesë për shqiptarët ka qenë një mjet për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, dhe ata e kanë ruajtur këtë identitet për një kohë shumë të gjatë. E vërteta është se shqiptarët e konvertuar në fenë islame, u sollën gjithmonë si vëllezër me shqiptarët ortodoksë e katolikë, duke ndihmuar këta të fundit në zgjidhjen e drejtë të shumë problemeve me administratën turke.  Shqiptarët nuk kanë sulmuar asnjë komb tjetër dhe nuk kanë marrë pjesë në masakra. Është e njohur se shqiptarët e kanë për turp të vrasin një armik që dorëzohet. Edhe gjatë luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të Italisë fashiste, në vitin 1943, shqiptarët me traditën e tyre të mikpritjes strehuan ushtrinë italiane, edhe pse një ushtri fashiste dikur pushtuese e cila kishte vrarë, djegur e shkretuar vendin. Ata e prishën realizimin e planit nazist gjerman për internimin në Gjermani të ushtrisë italiane. Shqiptarët fill mbas luftës së II – të botërore i riatdhesuan të gjithë ushtarët italianë. Për të vlerësuar fisnikërinë dhe vlerën e këtij qëndrimi tepër humanitar ndaj ushtrisë dhe populli italian në atë epokë historike, mjafton të kujtojmë se mijëra ushtarakë italianë pas kapitullimi të Italisë (1943) u masakruan nga nazistët në ishullin grek të Qefalonisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKANËT TANË ME “TANGA ROZË” DHE….  GJYSËM EFENDIKO BEJLERI

Një prej problematikave që kanë zënë faqet e shtypit të përditshëm është dhe ngelet, për …