Tefta Cani: Jeta ime gjatë viteve II

Tefta Cami-Cani: Jeta ime gjatë viteve II

SHKOLLIMI DHE NGRITJA IME NE PERGJEGJESI

    Unë s’arrita ta njoh babain tim, sepse babai ishte në luftë dhe ne si familje jetonim në fshatin Lubalesh tek Ali Kotili, ose në Sopot tek daja Islam Kamberi, sepse përndiqeshim si familje komuniste nga regjimi kollaboracionist i atyre viteve të luftës. Mbarova shkollën fillore në fshatin Viçisht dhe vazhdova shkollën 7-vjeçare e të mesmen pedagogjike në Peshkopi si konviktore. Jam një nga 14 vajzat e para në Dibër, që kemi mbaruar shkollën 7-vjeçare e të mesme në konvikt. Në vitin 1955 kam qenë caktuar si nxënëse me rezultate shume të mira për të marrë pjesë në mbrëmjen e Vitit të Ri në Pallatin “Ali Kelmendi” në Tiranë, ku ka përshendetur Enver Hoxha dhe na dhuruan nga nje pako të gjithë nxënësve të dalluar.  Në vitin 1959 kam marrë pjesë në Konferencën Kombëtare të korespondetëve vullnetar të “Zërit të Popullit”. Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike kam qenë e zgjedhur si sekretare e rinisë të gjithë shkollës pedagogjike të Peshkopisë me 400 të rinj e të reja të ardhur si nxënës nga zonat Veri Lindore.

   Për rezultate shumë të mira që arrita me përfundimin e shkollës së mesme pedagogjike, ” Me Vendim të Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës Nr.22, datë 13.4.1959 vendosi për të vazhduar studimet e larta jashtë shtetit Tefta Cami dhe Fanije Hoxha nga maturantët e shkollës pedagogjike. (Arkivi Qëndror i Dibrës, Fondi nr.87, Dosja nr.57, Viti 1959, fl.1).

     Me që po prisheshin marrëdhëniet me BS, na pranuan kandidate partie “Me Vendim të Byros së Partisë të KP të rrethit të Dibrës Nr.23 vendosi që Tefta Cami dhe Fanije Hoxha  të pranohen kandidate partie”. (Arkivi Qendror Dibër, Fondi nr.87, Viti 1959, Dosja 57, fl.11). Sipas njoftimit, shkova në Durrës, për t’u nisur me anije. Por mua dhe Fanijes nuk na doli emri dhe, kur shkuam në Ministrinë e Arsimit, na thanë, se do të vazhdonim në degën për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji me bursë shteti. Fillova studimet në atë degë dhe jetën e partisë e bënim me pedagogët, të cilët diskutonin probleme shkencore, që për mua qe një fakultet i dytë. Personin që më ka hequr nga lista për të studjuar në BS e kam mësuar pas ndërrimit të sistemit nga studimi në AQSH dhe ka qenë Haxhi Lleshi, që e ka pohuar në bisedën me prof. Kristo Frashërin, i cili ka qenë pyetur për gjithçka për Dibrën dhe mua më ka cilësuar me biografi të keqe. Në vitin e parë të studimeve mua dhe vajzës së xhajës Sabire Fasli Cami na pritej bursa çdo 3 muaj në Fakultet, megjithëse ishim studente të rregullta. Vëllai im Moisi, që kish mbaruar Institutin e Lartë 4-vjeçar të shkencave, u interesua dhe na doli pensioni si fëmij dëshmori, që ishte i barazvlefshëm me bursën.

    Pasi mbarova Fakultetin, u emrova mësuese e gjuhës dhe letërsis shqipe në Shkollën 11-vjeçare “Demir Gashi” me gjimnaz të sapo hapur dhe për të plotësuar normën jepja mësim edhe në klasën e 6-të e të 7-të të shkollës 7-vjeçare. E mora një klasë të 6-të kujdestari që si klasë vazhdoi edhe në shkollën e mesme. Një ekip i MAK, ku bënin pjesë specialistët e shquar të arsimit Qemal Xhomo e Qemal Mandia, më nxorri mësuese të dalluar. Klasa ime, ku isha mësuese kujdestare u përfshi në nismën me kalueshmëri 100% dhe nxënësit e gjimnazit në lëndët e mija kishin kalueshmëri 100%. Për klasët me kalueshmëri 100% të Shqipërisë është bërë një dokumentarë nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” nga regjizorja Xhanfize Keko, ku është filmuar edhe klasa ime që isha kujdestare në vitin 1966. U emrova n/drejtoreshë e drejtoreshë e shkollës 11-vjeçara “Demir Gashi”.

    Në maj të vitit 1967 me klasën time si kujdestare morëm një punë me akord në Ndërmarrjen e Ekonomisë Komunale për shtrimin e rrugës të Llixhave, ku punuam nga 2 ore në ditë për 10 ditë dhe fituam 50 mij lekë. Me këto të ardhura bëmë një eskursion në fund të muajit majë të vitit 1967 në Durrës, ku vizituam Bigën “Adem Reka”, që ishte shdërruar në një qendër pelegrinazhi e vizitash nga e gjithë Shqipëria. Na ftuan për të vizituar edhe një anije kineze drejtuesit e anijes dhe na shtruan një koktej, si dhe bëmë foto, që po ia bashkëngjis këtij materiali.

   Pastaj shkuam në Tiranë me tren dhe vizituam Muzeun Historik të atyre viteve dhe Institucionet kryesore të kryeqytetit si Komitetin Qëndror e Kryeministrinë, Ministritë, Ndërtesën kryesore të Univetsitetit etj. Ditën e tretë u kthyem me autobuz në Peshkopi. Eskursioni ndikoi shumë mirë tek të gjithë nxënësit, që m’u dukeshin si më të rritur dhe më optimistë. Unë u lidha shumë me ta, sikur t’i kisha fëmijët e mij. Kishim një dashuri e besim reciprok me nxënësit, që i shikoja e më shikonin në dritën e syrit dhe prisnin akoma më shumë prej meje si mësuesja e tyre. Shokët e miqtë më të mirë edhe tani kam ish-nxënësit e mij.

    Në tetor të vitit 1967 u emrova redaktore në gazetën lokale të KP të rrethit të Dibrës me kryeredaktor, Esat Basharin një gazetar i shquar i Zërit të Popullit, që mësova shumë në fushën e gazetarisë prej tij. Në atë periudhë ndoqa e pasqyrova në gazetë vizitat e udhëheqësve te partisë e të shtetit në Dibër si të Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut dhe të Adil Çarçanit e të Kadri Hazbiut në të gjithë sektorët, që po punonin për zhdukjen e pasojave të tërmetit 9 ballësh të 30 tetorit të vitit 1967, ku qenë ngritur e muarrën pjesë specialistë nga e gjithë Shqipëria dhe ndihmuan për ndërtimin e shtepive e të institucioneve arsimore e kulturore dhe shëndetësore në rrethet Dibër e Librazhd. Me 15 dhjetor u deklarua zhdukja e plotë e pasojave të tërmetit.

    Në vitin 1968 pata ndjekur diskutimin e madh popullor për revolucionarizimin e shkollës dhe i kisha pasqyruar në faqen time të gazetës lokale. Në fund të diskutimit mblidhet plenumi i KP të rrethit të Dibrës, ku ishte i deleguar sekretari i KQ të PPSH-ës, Hysni Kapo. Por si nga raporti ashtu edhe diskutimet nuk jepej një tabllo e plotë e diskutimit popullor për revolucionarizimin e shkollës. Unë po e ndiqja mbledhjen e pleniumit nga ana e gazetës dhe kërkova fjalën, sepse nuk isha e zgjedhur dhe e planifikuar për diskutim. Sipas kërkesës time, ma dhanë fjalën dhe fola për mënyrën e organizimit të diskutimit popullor e propozimet e bëra nga institucionet arsimore dhe për konkluzionet e rëndësishme që ishin nxjerrë. Kur foli në fund Hysni Kapo tha:”Mësova, se është zhvilluar diskutimi popullor për revolucionarizimin e shkollës nga diskutimi i gazetares, që foli si të ishte ministre e arsimit”.

    Më zgjodhën kryetare të BG të Dibrës dhe punova 6-të muaj. Në dhjetor të vitit 1969 më zgjodhën sekretare të dytë të KP-së të rrethit të Dibrës, ku sekretar i parë ishte Sali Stafa. Gjatë punës si sekretare e dytë e Komitetit të Partisë patëm konstatuar shifrat fiktive në fushën e ekonomisë, që i jepeshin shtetit. Shteti e merrte planin, ndërsa furnizimi i popullsisë ishte i pakënaqëshëm. Kishte edhe tejkalim të luftës së klasave. Afro 70-80 % e kulakëve e pa triska fronti ishin familje patriote. Në Dibër kishte mbetur në fuqi deri në vitin 1971 një urdhër i Koçi Xoxes, që të persekutohen të gjitha familjet antisllave. Sipas atij urdhëri edhe familja ime ka qenë pa triska fronti deri në vitin 1948 pas kthesës së partisë e prishjen e marrëdhënieve ne Jugosllavinë. Pas këtij studimi, ia paraqita Byros së Partisë dhe jua dhamë triskat e frontit pjesës më të madhe të familjeve, që nuk ishin implikuar më vonë. I patëm dërguar një raport KQ të PPSH-ës, që e kisha firmosur unë meqë sekretari i parë qe i sëmurë. Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim, ku kritikoheshin organet e partisë e të shtetit të Dibrës për shifrat fiktive e frymën e komandimit e të bajraktarizmit në parti dhe mungesën e demokracisë. U zhvillua një diskutim i gjërë në Dibër dhe u shkarkua sekretari i parë e kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe disa kuadro drejtues të ekonomisë.

    Në këtë rast u gjenda në konflikt me Haxhi Lleshin. Më kërkoi, që ta takoja dhe më tregoi, se ç’kishte kritikuar Enver Hoxha. Unë nuk isha në dijeni për fjalimin e Enver Hoxhës, sepse po vazhdoja kursin e lartë të filozofisë. Më kërkoi që, kur të punohej ky fjalim në Byron e plenumin e KP të rrethit, unët të ngrihesha e të thoja, se nuk qëndrojnë ato kritika se Dibra ishte Heroinë e Punës Socialiste.

   Unë ju përgjigja:”S’mund ta bëj, se ato probleme i kemi patur në raportin e byros, që kam firmosur unë”. Pasi më tërhoqi vemendjen, se pse vetëm unë nga Dibra nuk shkoja të konsultohesha me të, më bëri ofertën e tij, që do t’i jepte babait tim titulli “Hero i Popullit”, mua titullin “Heroinë e Punës Socialiste” dhe disa veteranëve të LANÇ-re Cami do t’u jepte 1000 lekëshen me kushtin, që unë të ngrihesha në mbledhjen e Byros e të Plenumit të Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës dhe të deklaroja se kritikat e Enver Hoxhes për Dibrën nuk qëndrojnë, sepse Dibrës i ishte dhënë titulli “Heroinë e Punës Socialiste” dhe se ishte bërë model në të gjithë Shqipërinë.

   Unë i shpjegova, se problemet, që ka kritikuar Enver Hoxha janë të drejta. Mesa kam dëgjuar Ahmeti ka qenë propozuar dy herë nga Byroja e Partisë e Dibrës për t’ju dhënë titulli “Hero i Popullit”, por nuk i është dhënë, se jugosllavët e kanë cilësuar nacionalist. Unë s’e meritoj titullin “Heroinë e Punës Socialiste”. Veteranëve Cami të LANÇ jepua vlerësimin si veteranë, se e meritojnë, por që nuk ua dha. Atëhere më kërcënoi, duke më thënë:”Nëse ti nuk e bën, unë (Haxhi Llesh) do të ta nxijë biografinë tënde e të babait tënd”. 

    Nuk shkova të informoja në KQ. Mendova, se do ta mohonte. Kur u ktheva në Dibër, ua tregova nënës time trime, Bejaze dhe vëllait tim të zgjuar, Moisit. Nëna më tha:”Mbro gjakun e babait tënd! Më mirë një ditë e shqiponjë se 1000 vjet e sorrë. Edhe po të futën në burg, do të vij nëna të të shohë”. Unë i kisha vajzat të vogla. Dihej në Dibër që kush nuk ishte dakord me Haxhi Lleshin, përjashtohej nga partia dhe disa ishin burgosur. Bashkëshortit tim, dr.Mehdi Canit nuk i kishim folur asnjëherë deri atëhere për konfliktin që kishte patur Ahmeti me Haxhi Lleshin dhe më vonë xhaxhai, Kurt Cami, vëllai, Moisi e të tjerë. Nënën, Moisin e Mehdiun dhe motrat e mija, Lirien, Dritën e Femijen me familjet e tyre, si dhe Bajram Çipurin me Sanijen, kunatin e Moisit dhe kryeredaktorët e gazetës “Ushtimai e Maleve” Esat Bashari e Velo Cfarku, Fatmir Çomon, n/kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Ndue Gjinin kryetarin e DPB dhe sektorin e edukimit e redaksinë e gazetës “Ushtima e Maleve” i kamë patur mbështetje në vështirësitë që kam kaluar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …