Temperaturat ekstreme të të nxehtit dhe të ftohtit, shkaktojnë më shumë se 5 milionë vdekje çdo vit në tërë botën

Sipas një studimi të ri, bëhet e ditur se temperaturat ekstreme të të nxehtit dhe të ftohtit, shkaktojnë më shumë se 5 milionë vdekje të tepërta çdo vit në të gjithë botën. Studimi në fjalë shqyrtoi “temperaturat jo optimale të ambientit”, duke iu referuar ekspozimit ndaj temperaturave ekstreme mbi dhe nën një interval të pranuar.

Këto nivele temperaturash dhe nivelet e vdekshmërisë u lokalizuan për secilën prej 750 vendndodhjeve anembanë globit për të vlerësuar vdekjet shtesë. Të dhënat mbi vdekshmërinë dhe temperaturat u analizuan përgjatë viteve 2000-2019, me temperaturat globale që kanë ndryshuar mesatarisht me 0.26 gradë Celsius për 1 dekadë.

“Ky është studimi i parë që ofron një pasqyrë globale të nivelit të vdekshmërisë për shkak të kushteve jo optimale të temperaturës midis viteve 2000-2019, periudha më e nxehtë që nga epoka para-industriale”- thotë epidemiologu i mjedisit Juming Guo nga Universiteti Monash, në Australi.

Studiuesit përdorën të dhënat bazë të 43 vendeve në 5 kontinente me klimë të ndryshme, kushte socio-ekonomike dhe demografike të ndryshme, dhe nivelet të ndryshme të infrastrukturës dhe shërbimeve të shëndetit publik.

Statistikat zbuluan një situatë shqetësuese, me 9.43 për qind të vdekjeve globale që i atribuohen temperaturave ekstreme të ulëta dhe të larta. Një studim i mëparshëm që përdorte një grup të dhënash më pak gjithëpërfshirëse,e përcaktoi atë në nivelin 7.71 përqind.

Tani për tani, rreth 9 në 10 nga këto vdekje të tepërta janë për shkak të të ftohtit. Por kjo gjë do të ndryshojë teksa planeti ynë po ngrohet. Ndërkohë ne e dimë se ngrohja globale po shkakton valë të të ftohtit dhe të nxehtit ekstrem.

Azia dhe Afrika mbanin barrën më të rëndë të vdekjeve të lidhura me të ftohtin, respektivisht 2.4 milionë dhe 1.18 milionë vdekje çdo vit. Kur bëhej fjalë për vdekjet e lidhura me të nxehtin, shifrat më të larta vinin nga Azia me 224.000 dhe Evropa me 178.700.

Evropa ishte kontinenti i vetëm ku vdekjet e lidhura si me të ftohtin ashtu edhe me nxehtin ekstrem, ishin më të larta sesa mesatarja globale. Në përgjithësi, vdekshmëria e lidhur me klimën ra gjatë periudhës së studimit, por tendencat janë shqetësuese.

Vdekjet e lidhura me të ftohtin ranë me 0.51 për qind gjatë viteve 2000-2019, ndërsa ato të shkaktuara nga i nxehti u rritën 0.21 për qind. “Në periudhën afatgjatë ndryshimi i klimës pritet që të rrisë barrën e vdekshmërisë, pasi vdekshmëria e lidhur me të nxehtin do të vazhdojë të rritet”- thotë Guo.

Për ta shpjeguar këtë statistikë në një mënyrë tjetër, po flasim për 74 vdekje të tepërta për çdo 100.000 njerëz në të gjithë botën. Në kushtet kur vdekjet që lidhen me temperaturat jo optimale, janë aktualisht një nga 10 shkaqet kryesore të vdekshmërisë në të gjithë botën, ky është tashmë një problem i madh.

Por nuk janë vetëm nivelet e vdekshmërisë nga temperaturat në rritje. Ndërsa planeti ynë po ngrohet, ne do të shohim zona të caktuara që të bëhen jo mikpritëse apo të padobishme për rritjen e të korrave, ndërsa edhe kafshët do të gjenden nën një kërcënim të madh. Studimi është botuar në “The Lancet Planetary Health”. (Science Alert – Bota.al)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …