Tensione para selisë së LDK-së, Molliqaj akuzon partinë për “mashtrim opozitar”

Një aksion i Partisë Socialdemokrate para zyrave të LDK-së, është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe ish-deputetit të LDK-së, Paris Guri. Gjatë aksionit, PSD akuzoi LDK-në për mungesë të një qëndrimi të qartë politik lidhur me skenarët paszgjedhorë, ndërsa Paris Guri kërkoi që aksione të tilla të zhvillohen para zyrave të partisë në pushtet dhe jo ndaj opozitës. Ai akuzoi PSD-në se po vepron me direktiva të Lëvizja Vetëvendosje. Pas përplasjeve verbale, Molliqaj deklaroi se “sikleti i partive opozitare, në veçanti i LDK-së, është i papërmbajtshëm”, duke hedhur akuza të ashpra ndaj drejtuesve të kësaj partie. “Kurrgjë më shumë PSD-ja s’ka kërkuar përveç një përgjigjeje të qartë: a janë për qeveri me Kurtin apo pa Kurtin, a janë për president me Kurtin apo pa Kurtin”, deklaroi Molliqaj. Ai akuzoi LDK-në për, siç tha, “mashtrim opozitar”, duke pretenduar se partia kërkon vota si opozitë ndaj Albin Kurti, ndërsa në prapavijë negocion me të. Molliqaj tha gjithashtu se zgjedhjet e reja erdhën si rezultat i kalkulimeve politike të LDK-së, duke përmendur emra të figurave të partisë si Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani. Sipas tij, PSD po kërkon vetëm një zotim publik nga partitë opozitare për pozicionin e tyre pas zgjedhjeve, ndërsa paralajmëroi se aksione të tilla politike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Kontrolloni gjithashtu

PDK merr epërsinë në Malishevë, bastionin tradicional të Nismës

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në epërsi në Malishevë, një komunë që tradicionalisht është …