Tomë Gashi

Tomë Gashi thotë se misioni i EULEX-it do të mbetet në Kosovë edhe për një kohë të gjatë

Avokati Tomë Gashi ka paralajmëruar se misioni i EULEX-it do të mbetet në Kosovë edhe për një kohë të gjatë. Ai ka bërë me dije se një mision i huaj për sundim të ligjit në Kosovë do të jetë deri në përfundim të mandatit të Gjykatës Speciale. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Gashi ka vlerësuar se kjo gjykatë nuk do të mund të funksionojë pa një mision të tillë. “Besoj se derisa ta kemi Gjykatën Speciale do të kemi misione të huaja këtu me emrin EULEX apo edhe me emra të tjerë. Këtë që po e them nuk do ta gjeni askund të shkruar, por është e paevitueshme që misione të huaja të sundimit të ligjit në Kosovë me emrin EULEX apo me emra të tjerë do të kemi gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë Gashi. Ai ka treguar se këtë fakt e ka treguar rasti i Azem Sylës. “Është shumë e qartë se Gjykata Speciale nuk mund të funksionojë dhe nuk dëshiron të funksionojë pa një mision të huaj të sundimit të ligjit në Kosovë. Kjo më së miri është vërtetuar me rastin e z. Azem Syla”, është shprehur ai, duke shtuar se Gjykata Speciale urdhëresat për arrestim do t’ia dërgojë EULEX-it për ekzekutim e jo Policisë së Kosovës.

Avokati i njohur, Tomë Gashi, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që këtij misioni t’i hiqen kompetencat ekzekutive që i ka pasur deri më tash. “Meqenëse këta do të mbesin, atëherë do të duhej ta mbikëqyrnin punën e institucioneve të Kosovës, do të duhej që më tepër të ishin këshillëdhënës e jo urdhërdhënës. Mirëpo, sido që të jetë, ata në mënyrë direkte apo indirekte do të kenë mundësi dhe ingerenca ekzekutive, sepse vetëm në atë formë ata pranojnë të jenë këtu”, ka deklaruar Gashi. Ai është shprehur kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it, duke thënë se dështimi më i madh i tij gjatë këtyre tetë vjetëve është se Kosova nuk ka mundur ta shtrijë sundimin e ligjit në veri.

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …