U mbajt nata e parë e festivalit “Oda e Llapushës”

Mbrëmë në Malishevë, është mbajtur nata e parë e festivalit “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt me radhë. Ky festival organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe mbahet në kuadër të shënimeve të “Ditëve të Diasporës”. Në këtë festivalin, marrin pjesë rapsod, grupe dhe ansamble nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa festivali është hapur me këngën “U plaka unë, u plak sharkia” e kënduar nga rapsodi i ndjerë, i madhi Osman Sefë Gashi, i cili ndërroi jetë muaj më parë. Fillimisht, grupet dhe ansamblet pjesëmarrëse, ashtu sikur edhe është bërë traditë, kanë defiluar rrugëve të qytetit në Malishevës, ndërsa më pas, festivalin e ka hapur i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, i uroi të gjithë pjesëmarrësit e festivalit dhe ju dëshiroi suksese. Kryetari Begaj, gjithashtu në mënyrë të veçantë i ka përshëndetur të gjithë mërgimtarët nga Komuna e Malishevës, të cilët kanë dhënë aq shumë për vendin dhe vazhdojnë të japin edhe sot. Po ashtu, kryetari Begaj, gjatë fjalimit të tij, ka kujtuar edhe rapsodët e trevës së Malishevës, të cilët me këngët e tyre, ju kanë mësuar historinë dhe të kaluarën, brez pas brezi të gjitha gjeneratave, deri në ditët e sotme. “Ne do të jemi gjithmonë në përkrahje të rapsodëve tanë dhe do ti kujtojmë gjithmonë rapsodët dhe këngëtarët tanë, në veçanti nga Malisheva, të cilët i dhanë aq shumë kulturës shqiptare, duke korrur suksese edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Begaj, duke përmendur disa nga perlat e muzikës nga treva e Malishevës, si Sali e Feriz Krasniqi, Nexhmije Pagarusha, Sefë Mleqani dhe bijtë e tij, e shumë e shumë të tjerë, që e bëjnë Malishevën, si treva që më së shumti i ka dhënë kulturës, e në veçanti muzikës folklorike dhe asaj popullore dhe që kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare. “Kanë qenë këta këngëtar, këta rapsod që neve na kanë shtyrë të mbajmë një festival të tillë”, tha në fund kryetari Begaj. Më pas, në festival janë paraqitur grupet dhe ansamblet e ndryshme, nga të gjitha trevat shqiptare, që kanë prezantuar këngë, valle dhe lojëra të ndryshme popullore, përmes së cilave i kanë prezantuar më së miri vlerat e mirëfillta të kulturës shqiptare, të trashëguara brez pas brezi. Sonte, mbahet nata e dytë e festivalit dhe pas paraqitjes së pjesëmarrësve tjerë, juria profesionale, gjithashtu e përbërë nga profesionit e të gjitha trevave shqiptare, do të bëjnë përzgjedhjen e prezantimeve më të mira, në të gjitha aspektet, duke filluar me këngët, apo lojërat dhe instrumentalet, e deri te paraqitja e jashtme, si veshja dhe të gjitha karakteristikat e vlerave të mirëfillta të kulturës dhe folklorit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …