U shënua 35-vjetori i rënies së dëshmorëve Hisni Mazreku dhe Ali Kryeziu

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në kuadër të shënimit të aktiviteteve të “Flaka e Janarit”,  të enjtën me një akademi përkujtimore, është përkujtuar “Masakra e Malishevës”, e ndodhur më 30 janar 1990, ku ranë dëshmorë Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, ish-kryetari i Komunës në vitin 1990, Daut Krasniqi, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, klerikë fetarë dhe shumë qytetarë. Pas akademisë, u bënë homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, në Bubavec dhe Malishevë.

“Ai popull që nderon dhe respekton dëshmorët e rënë për liri dhe vlerat e luftës e ka rrugën e trasuar për të ecur përpara. Prandaj, ne gjithmonë do t’i nderojmë dhe respektojmë dëshmorët dhe vlerat e luftës për liri. Kjo ngjarje, ndonëse e dhimbshme për ne si popull, shënon edhe reagimin e parë institucional apo kthesën e madhe historike. Për herë të parë, udhëheqësit e komunës dhe përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Kosovës e cilësuan këtë ngjarje si gjenocid dhe terror mbi popullatën shqiptare, duke kundërshtuar sistemin dhe regjimin e asaj kohe. Kjo i hapi rrugë përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – liri që sot e gëzojmë”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e tij.

Gjithashtu, në këtë akademi u paraqitën kumtesa shkencore mbi ngjarjen, ndërsa fjalë rasti mbajtën ish-zyrtarët përgjegjës të komunës në vitin 1990, Daut Krasniqi, Begzad Baliu dhe Prend Buzhala, pastaj përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta dhe përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi merr pjesë në panelin në kuadër të “Javës së gruas”

Me ftesë të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryetari Smajl latifi mori pjesë në panelin në …