Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si një verdikt të padrejtë dhe duke thënë se përmendja e emrit të tij në këtë aktgjykim nuk e frikëson dhe nuk e shqetëson. Mustafa ka thënë se pasojat e aktgjykimit dhe pesha e vendimit ndaj katër bashkëluftëtarëve të tij janë shumë më të rëndësishme sesa përmendja e emrave të tjerë në një dokument që, sipas tij, ka prodhuar një padrejtësi të rëndë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. “Verdikti i keq që u dha për bashkëluftëtarët tanë i bën të parëndësishme kush përmendet, çfarë thuhet dhe çfarë ngrihet mbi atë dokument, mbi atë urdhër aktgjykimi që u lexua më 16 shtator. Krejt rëndësitë tjera humbin, e rëndësishme është që është aktgjykim i padrejtë”, ka deklaruar Mustafa. Në aktgjykimin e 16 shtatorit, përveç katër të dënuarve, u përmendën edhe emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit. Ata nuk ishin të pandehur në këtë proces, por trupi gjykues i përfshiu në konstatimet e tij lidhur me atë që e cilësoi si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Pikërisht kjo pjesë e aktgjykimit ka hapur debat të ri në Kosovë, pasi emra të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët nuk ishin pjesë e aktakuzës në këtë rast, u përmendën në kontekstin e gjetjeve të trupit gjykues. “Nuk më bën dëm mua që u përdor emri. Unë jam mik me ata që u dënuan. Nuk kam pse të frikësohem”, është shprehur ai. “Ishte moment i shkurtër lufta e UÇK-së. Lufta jonë ka qenë më shumë politike. Që kemi pas armë, që krismat tona të nihen tek miqtë tanë, tek shtetet e qytetëruara, të cilat u përgjigjën dhe na erdhën në ndihmë”, ka deklaruar Mustafa.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
