Fëmijë refugjatë

UNHCR: Zhvendosjet në botë tejkalojnë 70 milionë, shefi i OKB-së për Refugjatë bën thirrje për më shumë solidaritet

“Jemi duke parë një angazhim të paprecedent nga akterë të rinj, përfshirë këtu akterët zhvillimor, bizneset private dhe individët, që jo vetëm pasqyron, por edhe zbaton frymën e Marrëveshjes Globale për Refugjatët” tha Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi.

 Gjatë vitit 2018, numri i njerëzve që ikin nga lufta, përndjekjet dhe konfliktet tejkaloi shifrën prej 70 milion. Kjo është shkalla më e lartë që UNHCR-ja, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka parë përgjatë afër 70 viteve.

 Të dhënat nga Raporti Vjetor i UNHCR-së për Trendet Globale, i cili u publikua sot, tregojnë se tani janë të paktën 70.8 milion persona të zhvendosur me dhunë. Kjo shifër është dyfishi i nivelit që ishte para 20 viteve, është 2.3 milion më e lartë se ajo e vitit.

Shifra prej 70.8 milion është më konservative, pasi që kriza në Venezuelë ende është pasqyruar vetëm pjesërisht në këtë numër. Në përgjithësi, afër 4 milion venezuelas janë larguar nga vendi i tyre që nga viti 2015, duke e bërë këtë një nga krizat e fundit më të mëdha botërore të zhvendosjes. Megjithëse shumica prej tyre kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare të refugjatëve, deri më sot vetëm rreth gjysmë milioni kanë ndërmarrë hapat zyrtar të aplikimit për azil.

 “Ajo që po shohim nga këto shifra është konfirmimi i radhës i një trendi më afat-gjatë të rritjes së numrit të njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje nga lufta, konflikti dhe përndjekja. Përderisa gjuha e përdorur për refugjatët dhe migrantët shpesh është jo e pranueshme, ne jemi po ashtu dëshmitar të një vërshimi të zemërgjerësisë dhe solidaritetit, sidomos nga komunitetet që vet kanë akomoduar numra të mëdhenj të refugjatëve.

“Po ashtu jemi duke parë një angazhim të paprecedent nga akterë të rinj, përfshirë këtu akterët zhvillimor, bizneset private dhe individët, që jo vetëm pasqyron, por edhe zbaton frymën e Marrëveshjes Globale për Refugjatët” tha Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi. “Duhet të ndërtojmë mbi këta shembuj pozitiv dhe të dyfishojmë solidaritetin tonë me mijëra njerëz të pafajshëm që çdo ditë detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre”.

Në kuadër të shifrës prej 70.8 milion të raportit të Trendeve Globale janë tri grupe kryesore. Grupi i parë janë refugjatët, përkatësisht njerëzit që janë detyruar të largohen nga shtetet e tyre për shkak të konfliktit, luftës apo përndjekjes. Gjatë vitit 2018, numri i refugjatëve arriti në 25.9 milion në të gjithë botën, përkatësisht 500,000 më shumë se në vitin 2017. Këtu janë përfshirë edhe 5.5 milion refugjatë palestinez, të cilët janë nën përkujdesje të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinez.

Grupi i dytë janë azilkërkuesit – njerëzit jashtë shteteve të tyre të origjinës të cilëve u është ofruar mbrojtja ndërkombëtare, por të cilët janë në pritje të rezultateve të kërkesave të tyre për status të refugjatit. Në fund të vitit 2018 ishin rreth 3.5 milion azilkërkues në nivel global.

Grupi i tretë dhe më i madhi me rreth 41.3 milion është grupi i të zhvendosurve në zona të tjera brenda vendit të tyre, një kategori që zakonisht referohet si personat e zhvendosur brenda vendit  apo PZHBV.

Rritja e përgjithshme e të zhvendosurve ka vazhduar të tejkalojë normën e zgjidhjeve që po gjenden për personat e zhvendosur. Zgjidhja më e mirë për refugjatët është që të mund të kthehen në shtëpinë e tyre në mënyrë vullnetare, në një vend të sigurtë dhe me dinjitet.

Zgjidhjet e tjera përfshijnë integrimin në komunitetin pritës apo zhvendosjen në një vend të tretë. Megjithatë, vetëm 92,400 refugjatë janë risistemuar në vitin 2018, apo më pak se 7 përqind e atyre që janë në pritje të risistemimit. Rreth 593,800 refugjatë kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa 62,600 janë natyralizuar.

“Në secilën prej situatave të refugjatëve, cilado qoftë ajo dhe pavarësisht kohëzgjatjes së saj, duhet të vendoset një theks i vazhdueshëm në gjetjen e zgjidhjeve dhe largimin e pengesave që njerëzit të mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Grandi.

“Kjo është një punë e ndërlikuar në të cilën UNHCR është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme, por e cila kërkon që të gjitha shtetet të bashkohen për të mirën e përgjithshme. Kjo është një prej sfidave të mëdha të kohës tonë.”

Kontrolloni gjithashtu

Maja Vukiçeviq, deputetja malazeze shkakton polemika duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KE

Maja Vukiçeviq, deputetja proserbe e proruse e Malit të Zi shkaktoi polemika duke votuar kundër …