Vangjel Sako

Vangjel Sako: Si ndodhi që “çakejtë” e para zgjedhjeve, u bënë “pula të lagura” pas zgjedhjeve

Fushata zgjedhore e 25 prillit të këtij viti pati protagonistë të tjerë, ndryshe siç ka ndodhur këta 30 vjet kur hanin kokat PS – PD dhe LSI si vëzhguese e vëmendshme, shkonte nga frynte era. Ishte kjo e fundit që këtë fushatë mori rolin e protagonistit kryesor me sigurinë se do të thyente hegjemoninë e Edi Ramës dhe do ta largonte atë nga pushteti. Padyshim që në aleancë me forcën kryesore opozitare, PD me të cilën më shumë se aleancë praktike realizuan një aleancë teorike kur firmosën edhe një memorandum bashkëpunimi me 13 pika që me të drejtë u quajt i barazvlefshëm me Manifestin 13 pikësh Komunist të Karl Marksit.

Në fushëbetejën zgjedhore, Basha që i takonte roli i kryegjeneralit si kryetari i opozitës më të madhe zgjodhi të bëjë një fushatë moderne dhe europiane, larg sharjeve dhe përplasjeve të dhunshme, çuditërisht të miratuar në heshtje nga “eminenca e tij gri”, Berisha, ndërkohë që llavat e vullkanit që shpalosnin objektivat e opozitës ishin Ilir Meta, presidenti i vendit, por që “de fakto” mori edhe rolin e drejtuesit të opozitës, deklaruar edhe nga vetë ai disa herë dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, “de jure” kryetarja e LSI. Ilir Meta doli jashtë kontrollit të vetvetes dhe ndërkohë që ishte shkelësi më i madh i Kushtetutës, kërkonte figurativisht të bëhej mbrojtësi i saj.

Me të në dorë dhe me shqiponjën që nuk e ndante në çdo dalje televizive për të cilat duhet thënë se i shpeshtoi si kurrë më parë dhe si kurrë ndonjë udhëheqë tjetër edhe dy herë në ditë, ai gënjente veten duke besuar se edhe ne që e ndiqnim nga ekrani do bindeshim se ai vërtet e donte Kushtetutën. Dashurinë për të nuk e bëjnë daljet e shpeshta në ekranet televizive dhe deklaratat e vetë bëra për të, por veprimet praktike në zbatim të neneve të saj, gjë që presidenti kishte abuzuar ndër vite, ndaj u bë i pabesueshëm.

Në të vërtetë lufta e tij bëhej vetëm kundër një emri, Edi Ramës që nga kolltuku i kryeministrit dhe si kryetari i mazhorancës ia kishte tundur me tërmet mbi 7 ballë karrigen presidenciale. Me fjalor krejt ordineri dhe me paraqitje agresive siç nuk i shkon roli i presidentit, ai nuk la fjalë nga fjalori i gjuhës shqipe pa e akuzuar bash kryeministrin e vendit të tij. Thirrjet e tij histerike që populli të bënte gati sfurqet e sëpatat për të mbrojtur sipas tij votën legjitime, sepse ai kishte informacione për vjedhje masive u bënë të përnatshme dhe përveç neverisë që ngjallte kur përmendej aq shpesh, tek shumë votues ngjalli edhe frikën se mund të ndodhte edhe ndonjë rrëmujë që kishte kohë që ishte harruar në skenën politike shqiptare.

Vajtjet e përnatshme në Vlorë dhe lëvizjet në orare jo të përshtatshme në shtëpi të dyshimta aty, të shtynin të besoje se LSI në këtë qytet do të bënte namin e fitores, ndërkohë që në përfundim nuk mori asnjë deputet. Jehonën e një rrëmuje politike ai e linte pas edhe kur deklaronte se nuk do të ishte e lehtë firmosja prej tij e Edi Ramës si kryeministër të paszgjedhjeve, nëse sipas tij fitorja nuk do të ishte e ndershme. Rezultantja e gjithë veprimtarisë së presidentit të vendit në fushatën parazgjedhore që u gërshetua edhe me dhënien me shumicë të dekoratave që ai ka në kompetencën e tij ishte një qëndresë historike e tij ndaj shkelësve të Kushtetutës dhe për këtë ai mund të bëhej edhe një Avni Rustem apo edhe Salvador Alende.

Nuk e mbante më poshtë stekën e kërcënimeve edhe bashkëshortja e tij, që nuk e kishte pranuar në fakt rolin si Zonjë e Parë e vendit, Monika Kryemadhi. Ashtu si i shoqi edhe ajo mbeti çdo natë në ekrane televizive dhe e bëri listën e kërcënimeve të gjatë sa distance Tokë – Hënë. E kishte startuar këtë kërcënim pa humbur mandatet teksa në mes të Parlamentit gjuajti me çizme vetë kryeministrin. Pastaj e kërcënoi hapur se do t’i kafshonte atij veshin që për vetë konstruktin fizik të të dyve, zgjoi humorin popullor që i kujtonin asaj se veshi i kryeministrit, siç veshi i gjithë njerëzve në botë është në të dy anët e kokës, ku ajo nuk arrinte dot. Bënte edhe karagjozen teksa qante hallet e popullit që merrte shuma qesharake në asistencë, kjo ishte e vërtetë në fakt, por thënë prej saj që deklaronte se kishte në vilën e Lalzit 12 banjo, edhe për macet, tingëllonte si gënjeshtër dhe më keq akoma teksa deklaronte se të rinjtë nuk duhet të largoheshin nga Shqipëria, ndërkohë që fëmijët e vetë i kishte sistemuar prej kohësh në Londër.

Ndante me publikun edhe intimitete teksa deklaronte se nuk e ndante shpesh krevatin me presidentin, për të lënë përshtypjen se edhe mendimet i kishin të ndara. E kishte lëshuar kaq shumë gjuhën zonja sa asnjë politikane shqiptare më parë dhe të bëheshe skllav i thënieve të saj duhet të bindeshe se vendi ynë ishte një pako plastelinë dhe merrte formën që do të donte Monika.

Aq në delir kishte kaluar sa deklaronte se bashkë me PD do të merrte deri 94 deputetë. Por siç thuhet “ëndërr është edhe nuk del”. LSI e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit katandisi në 4 deputetë dhe Edi që do t’i hanin veshin mori më shumë se 70 deputetë. Ajo që ndodhi i bëri “çakejtë” të bëhen më 26 prill si “pula të lagura”.

Të dyve iu mbaroi karikimi i baterisë së trimërisë dhe ata u kthyen në normalitet. Ajo u zhduk pak kohë nga skena politike. Nuk po i dukej më fytyra nëpër ekrane dhe shtonte kuriozitetin e njerëzve për qëndrimin që do të mbante. Më troç, çdo të bëhej me ato kërcënimet e para 25 prillit. Edhe ai më i moderuar. Nuk shante më dhe nuk përmendte më sfurqet dhe sëpatat. Pritej se çdo të bënte me firmat që do të duhej të hidhte për të legjitimuar qeverinë e re. Kur edhe ato i hodhi si një qengj i butë, u qartësua se nuk do të kishte më luftë. Të dy luftëtarët më të zjarrtë ndaj Edi Ramës ishin shndërruar në dy njerëz paqësorë, siç u pa edhe në daljen e parë të Monika Kryemadhit në podiumin e Parlamentit. Kishte ndryshuar lukun, por kishte ndryshuar edhe mendjen. Do të donim të besonim se të dy i kanë thirrur mendjes dhe janë zgjuar nga ëndrra e keqe dhe u bindën se jemi 30 vjet pas viteve ‘90. E vërteta është ndryshe. Ilir Meta duket me veshë ngrehur se çdo të ndodhë me atë kërcënimin “non grata” që thonë se e ka gati, ndaj rri e rri dhe i çon ndonjë mesazh dashurie dhe aleance, kolegut Berisha. Megjithëse të dy janë të bindur se po ta vuri syrin “ustai” është më mirë të nënshkruash vetë me dëshirë perëndimin e karrierës politike. Ndryshe, kur e ke mbushur kupën, siç ka ndodhur me dy të lartpërmendurit, e nënshkruan atë me “revole” tek koka. ( SOT)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …