Tirana

Vazhdon tallja e Tiranës me shqiptarët e Kosovës Lindore

Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani vetëm tani është kujtuar për problemin e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe shpërnguljen e vazhdueshme nga ky rajon. Gjatë pritjes së një grupi nxënësish dhe mësuesish nga Kosova Lindore, kreu i shtetit shqiptar ka shprehur shqetësimin për shpërnguljen e vazhdueshme të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci e Medvegja si pasojë e kushteve jo të mira ekonomike dhe sociale. Me këtë rast, ai bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare për të respektuar Kushtetutën në mbrojtje të interesit kombëtar. “Në këtë takim dëshiroj t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time personale, por edhe atë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës për gjithë çka ju dhe mbarë shqiptarët kanë arritur me punë dhe sakrifica të ruajnë dhe të mbajnë të pandryshuar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor”, ka deklaruar kryetari, Nishani. Për fat të keq, angazhimi i Tiranës zyrtare për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë administrative, fillon e mbaron me deklarata të cilat asnjëherë nuk kapitalizohen në vepra. Kryeministri, Edi Rama kur kishte vizituar Preshevën, u kishte premtuar shqiptarëve të këtyre anëve se nuk do të jenë më të shtypur e diskriminuar, ndërkohë që nuk kaloi shumë kohë dhe Serbia i ktheu prapa kamionët me libra shqip, donacion i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, duke i privuar nga një prej të drejtave elementare. Për të qenë ironia më e madhe, dy Qeveritë shqiptare kishin ndarë një shumë qesharake për ndërtimin e maternitetit në Preshevë, në një kohë kur Serbia shpenzon qindra miliona euro për t’i mirëmbajtur strukturat paralele në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Zvicra i bën thirrje Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja e Zvicrës ka bërë thirrje për …