Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ftohet për intervistim nga Gjykata Speciale më 4 dhjetor në Hagë

Veseli: Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë derisa Bashkimi Evropian të na trajtoj barabartë dy shtetet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur në konferencë për media për zhvillimet e fundit politike, për vendimet e Kuvendit për Ushtrinë, bisedimet me Serbinë dhe letrën e Presidentit Amerikan, Donald Trump. Veseli tha se Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë derisa BE ta trajtoj barabartë, ndërsa bëri të ditur se reciprociteti do të jetë baza e vendimeve për ecjen përpara.

|Javën që shkoi në Kuvendin e Kosovës morëm dy vendime të mëdha: miratuam ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri dhe krijuam Delegacionin Shtetëror për Dialog. Të dy këto vendime pasqyrojnë përkushtimin tonë konkret për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në Rajonin tonë. Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet tjera anëtare të NATO-s, që mbështetën vendimin tonë për Ushtrinë. Nga 14 dhjetori, Ballkani është më i sigurt dhe më afër përmbushjes së aspiratës euro-atlantike. Votimi i Delegacionit për Dialogun – afirmon qartë përkushtimin e Kosovës për mirëkuptim dhe marrëveshje. Kemi pritur vlerësim pozitiv nga BE për këtë, së paku për korrektësi. Serbia, gjithë kohën, ka bërë obstruksione në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në Dialog. Janë shkelur marrëveshjet për lëvizjen e qytetarëve, për energjinë, dokumentacionin kadastral, në dhjetëra raste qytetarët e Kosovës janë ndaluar e keqtrajtuar gjatë kalimit nëpër Serbi dhe mallrat e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të lëvizin lirshëm në Serbi, ndërsa mallrat e Serbisë kanë hyrë në Kosovë pa respektuar ligjet e shtetit tonë. Në planin ndërkombëtar, Serbia ka vazhduar po ashtu me agresivitet të shtuar të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Rasti më i fundit ishte Interpoli. Kjo, për rrjedhojë, solli vendosjen e taksës 100 % për produktet serbe. Kjo masë ishte reagim për të treguar se bllokimi sjell bllokim të dyanshëm. Kemi pritur reflektim balancues të BE-së për këtë situatë. Që ul tensionet dhe mohon politikat bllokuese për dy palët njësoj. Nuk kemi pritur që BE të reagojë vetëm ndaj nesh. Kjo mungesë balance e BE-së, te qytetarët e Kosovës, më të drejtë, ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së BE-së. Thirrjet e Serbisë për heqjen e taksës dhe përsëritja e tyre nga BE-ja, pa i bërë thirrje edhe Serbisë që të heqë dorë nga qasja e saj bllokuese, po i shqetësojnë me të drejtë qytetarët e Kosovës. Ata kërkojnë që sovraniteti e dinjiteti i shtetit tonë të mbrohet e respektohet dhe institucionet tona shtetërore pikërisht këtë po e bëjnë. Bllokimi i lëvizjes përpara në agjendën e Bashkimit Evropian përbën shqetësim serioz. Ai mund të ketë pasoja ndëshkuese për Kosovën, por në asnjë mënyrë nuk e ndihmon stabilitetin në Rajon dhe as vetë BE-së. Izolimi i qytetarëve të Kosovës pa lëvizje të lirë vetëm sa e rëndon më shumë këtë situatë. Argumentet e tipit se me krijimin e shtetit të Kosovës, Serbia ka humbur shumë, dhe tani është koha që edhe Kosova të humbë diçka, nuk janë racionale dhe nuk i shërbejnë as paqes, as pajtimit dhe as arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë. Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë.Ne presim nga BE që në Dialog të garantojë parimin e trajtimit të barabartë të palëve dhe përfitimet e dyanshme prej tij. Ne presim nga BE që ta trajtojë seriozisht dhe në mënyrë të balancuar çështjen e bllokadave të dyanshme. Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës. Taksa nuk është problemi i vetëm dhe as më i madhi. Trajtimi i barabartë dhe reciprociteti janë rrugëzgjidhja”, ka thënë Veseli para gazetarëve sot.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova ka pranuar zyrtarisht armatim kundërtank nga Gjermania

Kosova ka pranuar zyrtarisht armatim kundërtank nga Gjermania, konkretisht sistemin e avancuar PANZERFAUST 3, si …