leoni

Viktor Mala: Një shkarje intelektuale: Ne që nuk ndalojmë Big Brotherin e Përputhen, duhet të ndalojmë shaminë në kokë?

Viktor Mala: Një shkarje intelektuale: Ne që nuk ndalojmë Big Brotherin e Përputhen, duhet të ndalojmë shaminë në kokë?

“Feja e vërtetë është jeta e ndershme”- Thënie skoceze

Kohët e fundit u rihap në Kosovë, por edhe në Shqipëri, debati nëse duhet lejuar mbajtja e shamive nga femrat që punojnë në administratën shtetërore, si dhe nga nxënëset e shkollave të mesme e të larta në Kosovë. Siç ndodh vazhdimisht, dhe me të drejtë, palët u ndanë kryesisht në dy grupime, ku njëra pohon të drejtën kushtetuese të femrave të mbajnë shamitë në kokë si e drejtë e shprehjes së përkatësisë së vet fetare, ndërsa grupimi tjetër, ku duket se përfshihen edhe shumica e qeverisësve të Kosovës, shprehen kundër mbajtjes së shamive dhe, madje, e kanë ndaluar atë me një akt normativ nënligjor sikundër janë vendimet qeveritare.

Argumentet kryesore të grupimit të dytë sillen rreth pretendimit se “ne jemi si gjithë Evropa”, “duam të shkojmë në Evropë”, “Në Perëndim nuk lejohet një gjë e tillë”, etj.etj. Ky grupim njerëzish, herë të paditur, herë hileqarë dhe herë të tjera ksenomanë të pashërueshëm, nuk shpjegojnë asnjëherë se çfarë  dëmesh mund të sjellë mbajtja e shamisë nga femrat dhe nëse është apo jo kushtetuese t’iu ndalohet atyre një gjë e tillë. Personalisht nuk e pëlqej mbajtjen e shamisë në kokë nga femrat dhe do të dëshiroja që nxënëset e shkollave, sidomos të mesme, të mos e mbanin atë dhe të kishin njëfarë “uniforme” dinjitoze shkollore, siç ka qenë dikur në Shqipëri dhe siç e kanë sot disa shkolla në vendet perëndimore.

Pretendimi, më tepër hipokrit dhe servil, se mosmbajtja e shamisë na bën më shumë evropianë është i rremë. Mosmbajtja e shamisë në kokë na bën evropianë po aq sa mbajtja e saj na bën besimtarë fetarë. E vërteta është se përkatësia e njeriut, sidomos sot në kohët moderne, përcaktohet më shumë dhe më mirë nga ato që njeriu ndien shpirtërisht, “bluan” mendërisht dhe demonstron moralisht në sjelljet e tij në familje e shoqëri, dhe jo nga fakti se çfarë vesh apo mban në kokë.

Kur Fan Noli i madh ishte drejtues i Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA, dikush shkoi dhe e pyeti, në emër të shumë grave shqiptare të Bostonit që frekuentonin kishën, nëse lejohej mbajtja në kokë e kapelave nga gratë që shkojnë të ndjekin meshat kishtare dhe a përbënte kjo mëkat. Fan Noli u përgjigj: Iu thoni grave besimtare se ka rëndësi çfarë kanë në kokë dhe jo çfarë vënë mbi kokë.

Mania e klasës politike shqiptare, këtej e andej kufirit me Kosovën, për t’u dukur “evropianë” në formë dhe moskokëçarja e tyre për t’u sjellë si “evropianë” në përmbajtje është ulëritëse. Sikur drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm politikë të të dy shteteve shqiptare të kishin bërë përpjekje serioze dhe të sinqerta për t’u sjellë si evroperëndimorë me njëri-tjetrin dhe me popullin e tyre, aq sa kanë bërë e bëjnë përpjekje hipokrite e sipërfaqësore për t’u dukur të tillë, populli shqiptar dhe dy shtetet e tij do t’i kishin punët shumë më mirë se ç’i kanë.

Nga ana tjetër, shumica e vendeve perëndimore nuk e ndalojnë mbajtjen e shamisë nga femrat në rrugë, punë apo shkollë. Ajo që është më e rëndësishmja, siç e shpjegonte me të drejtë konstitucionalisti Klodian Rado, mbajtja e shamisë nga femrat e Kosovës është një e drejtë kushtetuese dhe si e tillë nuk mund të shkelet apo abrogohet me akte nënligjore apo ligjore. Dhe, në fund të fundit, pse iu duhet ndaluar?! Ne që nuk ndalojmë lakuriqësinë komerciale dhe amorale në mjetet e informimit viziv publik, që nuk ndalojmë pornografinë dhe imoralitetin ekstrem të programeve “artistike” antietike si “Big Brother”, “PërPuthen” etj.etj., u dashka të ndalojmë mbajtjen e shamisë në kokë?! Ne, që nuk ndalojmë, por, përkundrazi, reklamojmë dhe lartësojmë çdo ditë ekspozimin e pjesëve “mëkatare”, epshndjellëse dhe instinktnxitëse të femrave të harbuara, u dashka të ndalojmë mbulimin e kokës nga disa femra që vërtetë besojnë se ashtu po i shërbejnë “Fjalës së Zotit”?!

Cila pjesëtare e shoqërisë tonë është më e dëmshme dhe e rrezikshme, ajo që mban një shami në kokë dhe sheh punën e saj pa u ekspozuar apo “shitur” si VIP, apo ato femra që na zhvishen përditë dhe pohojnë se “fitojnë” mijëra euro duke postuar fotot nudo ose gjysmë nudo në rrjetet sociale (në të vërtetë, antisociale), që shkojnë e zhgërryhen nëpër rrugët e Perëndimit apo pallatet e sheikëve arabë të Lindjes dhe pastaj mjetet tona të informim- degjenerimit ia shesin brezit të ri si modele “suksesi”, pra modele që duhen ndjekur në jetë?!

Në diskutimin e problemit të lejimit ose jo të mbajtjes së shamisë më bëri përshtypje prononcimi i publicistit shqiptar nga Shkupi, z. Kim Mehmeti, i cili pohonte se “Kur i shoh fotot e largëta të nënës dhe motrave të mija, më kujtohen kohërat kur qarqet sllavo-komuniste donin të na nxirrnin nga prapambeturia duke ua heqë grave shqiptare shaminë. Më faniten pra heroinat tona të atyre kohëve, të cilat “duke e mbuluar” identitetin kombëtar e fetar me shami, duke “e mbuluar” me shami gjuhën tonë amtare, ia dolën të mbronin shqiptarinë në vitet kur komunistët e Titos donin që nga ne shqiptarët këtej kufirit “të prodhonin” një popull të ri, të quajtur “shiptari”, me një gjuhë të re, të emëruar gjuha “shiptare”. Dhe, andaj e ndjej mungesën e një përmendoreje të femrës shqiptare me shami në kokë, përmendore të krenarisë time, të femrës së kohëve të socializmit, të atyre grave që ia dolën të pengonin asimilimin tonë, që nuk lejuan që edhe ne shqiptarët myslimanë, njësoj si ata ortodoksë, “të civilizoheshim” duke e flakur shaminë shqiptare, që pastaj të humbnim gjuhën, të asimiloheshim, të turpëroheshim”.

Sikur t’i marrim pa rezerva dhe të drejta pohimet e z. Mehmeti, do të na rezultonte se shamia është simbol i identitetit shqiptar dhe atij mysliman dhe se mosmbajtja do t’i rrënonte këto dy identitete (përkatësi), do të na asimilonte, turpëronte etj.etj. Në fakt, nuk është kështu. Mbajtja e shamisë në kokë nga femrat daton qysh në kohën e Mesopotamisë së lashtë dhe është karakteristike për shumicën e popujve, të Lindjes e Perëndimit, madje deri në fillimet e shekullit XX. Shikojmë foto të panumërta që i përkasin fillimit të shekullit XX dhe fundit të shekullit paraardhës të grave gjermane, holandeze e të kombësive të tjera evropiane me shami në kokë, shikojmë në galeritë e arteve të vendeve perëndimore portrete grash me shami në kokë, shikojmë edhe portretin e nënës e Van Gogut etj. etj. Pra përkatësia kombëtare, lindore apo perëndimore, e krishtere apo myslimane nuk është përcaktuar nga shamia. Mbajtja e shamisë nuk është “normë” vetëm e fesë islame, por atë e gjen edhe në Bibël, ndonëse jo në formën e urdhërimit.

Shaminë e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë ndonëse në pakicë edhe femrat izraelite dhe mijëra gra të tjera nëpër botë, pa qenë të fesë islame. Madje dhe shumë të njohura si aktorja Elizabet Tejlor, mbretëresha Elizabetë e Dytë e Anglisë, herë pas here, jashtë ceremonive zyrtare etj.

Po t’i merrnim si të vërteta pohimet e z. Mehmeti do të arrinim në përfundimin se asnjëra nga femrat shqiptare në Shqipëri dhe, sidomos, në ish-Jugosllavi, të cilat nuk mbanin (apo nuk mbajnë as sot) shami as ndiheshin myslimane dhe as shqiptare. Gjyshja ime, ashtu si mijëra gra të tjera shqiptare, megjithëse i përkiste fesë së krishterë, ka jetuar dhe vdekur me shami në kokë, por kjo nuk do të thotë as se ajo ndihej myslimane dhe as se ndihej shqiptare vetëm për shkak të shamisë. Kjo nuk do të thotë gjithashtu se pasardhëset e saj nuk ndihen shqiptare vetëm pse nuk mbajnë shami. Mbajtja e shamisë të bën shqiptare dhe besimtare myslimane po aq sa të bën besnike ndaj burrit thjesht mbajtja e unazës në gisht.

Tito dhe regjimi i tij nuk kanë qenë të dëmshëm për shqiptarët pse iu kërkonin femrave mosmbajtjen e shamisë por sepse, me politikën dhe qëndrimet e tyre, penguan lejimin e vetëvendosjes së popullsisë shqiptare, burgosën e vranë shumë prej tyre dhe zbatuan masa të spastrimit etnik.

Mosmbajtja e shamisë nga femrat nuk i dëmton aspak identitetin shqiptar dhe atë mysliman, ashtu si mbajtja e saj nuk i forcon ato identitete. Mbajtja ose jo e shamisë nuk ka fare lidhje me ruajtjen apo humbjen e gjuhës shqipe, siç thotë z. Mehmeti. Ne mund të mbajmë shaminë sot dhe ta përçudnojmë gjuhën shqipe duke e folur e shkruar keq, duke e përzier me fjalë angleze, franceze apo arabe, ashtu si mund të mos e mbajmë shaminë dhe ta ruajmë gjuhën të pastër. Disa publicistë dhe individë të tjerë kosovarë, të cilët nuk mbajnë shami në kokë, ka vite e dekada që flasin e shkruajnë për “komb kosovar” dhe “gjuhë kosovare apo gege”, duke dëshmuar kështu sa mendjecektësinë e tyre intelektuale, aq edhe ligësinë e tyre kombëtare.

Unë besoj fort se mbajtja ose jo e shamisë në kokë nga femrat duhet lënë në dëshirën e tyre, ashtu si pjesa më e qytetëruar e shoqërisë duhet të punojë për bindjen e femrës shqiptare se është më mirë mosmbajtja e saj. Ahmet Zogu, duke u nisur nga qëllime të mira, u përpoq dikur ta ndalonte ligjërisht mbajtjen e shamisë (mbulesës) nga femrat shqiptare, ndërsa Enver Hoxha e pati shpallur si fushatë civilizuese e revolucionarizuese heqjen e shamisë nga kokat e femrave shqiptare. Siç tregojnë më të moshuarit, dëshmitarë okularë, kur në vitet ’60, Hoxha vajti në Malësinë e Madhe për t’u takuar me popullin, një grua malësore, rreth të 60-ve, iu afrua dhe kërkoi ta takonte.

Pasi u përshëndetën, gruaja malësore i tha Hoxhës se “këta po përpiqen të ma heqin shaminë nga koka me doemos”.

Hoxha hoqi nga koka e vet kapelën që mbante dhe e pyeti gruan malësore: E shikon këtë kapelë?

– Po, e shikoj shoku Enver,- u përgjigj gruaja.

– E kujt është?- vazhdoi Hoxha.

– E juaja shoku Enver,- erdhi përgjigjja e malësores.

– Atëherë,- vazhdoi Hoxha,- po të dua unë e mbaj në kokë këtë kapele, kur të më mbushet mendja e heq nga koka ime. Unë nuk kam thënë që shamitë t’ju hiqen nga koka me pahir, por që ju të bindeni se është më mirë të mos i mbani…

Përfundimisht duhet thënë se nuk mund dhe as duhet ndaluar me ligj mbajtja e shamisë në kokë nga femrat. Ajo duhet lënë në dëshirën dhe bindjen e tyre. Është tjetër gjë mbulimi i fytyrës nga gra të veçanta që gabimisht mendojnë se mbulimi i fytyrës është urdhëresë e fesë. Këtu ka vend që kleri mysliman të bëjë detyrën e vet për të qartësuar besimtaret se është tjetër gjë mbulimi i fytyrës nga gratë e fiseve të shkretëtirave dhe tjetër gjë urdhëresa e librit të shenjtë.

Ne kemi njëqind mënyra, mjete e rrugë të tjera për t’u “evropianizuar”, ndërsa çështja e shamisë mbetet periferike dhe, me kalimin e kohës, shumica dërmuese e femrave shqiptare do të binden se ajo nuk ka arsye as dobi të mbahet. Është më mirë dhe më e dobishme të bëhemi evropianë me sjellje përpara se të bëhemi të tillë me veshje. Të pranueshëm nuk na bëjnë servilizmi dhe dukja, por thelbi, sjellja dhe shfaqja dinjitoze në marrëdhëniet me të tjerët dhe brenda vetes.  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …