Viktor Malaj: Letër e hapur nga Hamza Alibegu: Një propozim antikomunist nga një demokrat 24-karatësh

Viktor Malaj: Letër e hapur nga Hamza Alibegu: Një propozim antikomunist nga një demokrat 24-karatësh

Meqenëse unë rrjedh nga një familje antikomuniste, me gjyshin të pushkatuar dhe dajat të internuar, i jap vetes të drejtë të bëj disa propozime thellësisht antikomuniste pasi kam bindjen se mosndëshkimi i komunizmit të vdekur para 32 vitesh dhe i komunistëve që na e kujtojnë atë herë-pas-here me disa parulla, flamuj, fotografi apo shkrime të rralla, është shkaku i vetëm që ne ende sot vazhdojmë të jemi vendi i fundit në Evropë sa i përket nivelit ekonomik e shtetit ligjor dhe ndër vendet e para sa i përket krimit, korrupsionit, trafikut të drogës, femrave dhe fëmijëve.

Po ta kishim dënuar komunizmin qysh në fillim, merret lehtë me mend se sot do të ishim në udhëheqje të  vendeve evropiane sa i përket arritjeve ekonomike dhe, sidomos, atyre demokratike dhe të shtetit ligjor, parime të cilat i kemi pasur në gjak prej shumë shekujsh.

Të parët e mi, megjithëse analfabetë, me intuitën dhe formimin e tyre modern e demokratik, aq sa edhe atdhetar, kanë qenë gjithmonë kundër komunizmit dhe komunistëve, prandaj edhe gjyshi im iu shërbeu me përkushtim pushtuesve italianë e gjermanë. Duke e ditur se as italianët dhe as gjermanët nuk ishin pushtues, por dashamirës të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kishin ardhur këtu për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi  i satrapit Ahmet Zogu dhe parandalimin e vendosjes së sistemit komunist, se ata lanë pas dore punët dhe hallet e popujve të tyre dhe u kthyen këtej pari nga viset tona për të na shpëtuar ne nga dy rreziqet e lartpërmendur, të parët e mi i pritën ata me krahë hapur si çlirimtarë.

Kjo ndjenjë dhe ky qendrim përputheshin plotësisht me vizionin, idealizmin, largpamësinë dhe atdhedashurinë e paraardhësve të mi, prandaj ata nuk kursyen asgjë që t’i ndihmonin miqtë tanë nazi-fashistë në vendosjen e Rendit të Ri Botëror, një rendi demokratik, liberal dhe human.

Fatkeqësisht, aleatët dhe miqtë tanë italo – gjermanë e humbën luftën dhe kjo solli edhe ndëshkimin e padrejtë të paraardhësve të mi të cilët, thjesht dhe për hir të atdheut, kishin vrarë, spiunuar dhe syrgjynosuar ata që luftonin kundër miqve tanë të ardhur nga Italia e, më pas nga Gjermania, vetëm për të mirën tonë si komb. Meqënëse gjatë këtyre tri dekadave e kanë qeverisur Shqipërinë komunistët dhe pasardhësit e tyre, nuk është bërë i mundur sa duhet dekomunistizimi i vendit dhe i popullit.

Për ta realizuar këtë me sukses, unë propozoj miratimin e një ligji, i cili do t’i detyrojë të gjithë shqiptarët të unifikojnë mendimet, ndjenjat dhe gjykimet e tyre rreth sistemit totalitar komunist, duke e shpallur atë unanimisht si kriminal dhe duke e ndëshkuar publikisht. Kur të arrihet kjo, atëherë edhe ne që e ulëm kokën për pesëdhjetë vjet do të lartësohemi dhe kalojmë në histori si elita intelektuale, morale dhe atdhetare e vendit.

Për t’ia arritur këtij qëllimi nevojitet që me ligj dhe detyrim shtetëror t’i bëjmë të gjithë shqiptarët të pranojnë me vetëdije historinë e vërtetë të regjimit komunist, domethënë atë histori që tregoj unë dhe sivëllezërit e mi që kemi qenë të rreshtuar dikur në anën e Rendit të Ri Botëror, rendit demokratik dhe antikomunist dhe jo historinë që kanë trilluar e treguar bastardët e komunizmit që, jo vetëm iu vunë pushkën shpëtimtarëve të atdheut tonë, ushtrive të ndritura të  Savojës e Rajhut të Tretë, por na burgosën, vranë e internuan edhe ne pasardhësve të antikomunistëve dhe nacionalistëve, vetëm pse ne vazhduam me pasion rrugën e të parëve tanë, duke spiunuar, terrorizuar apo sabotuar kundër sistemit të komunistëve gjakatarë.

Për të arritur suksesin e duhur në demaskimin dhe ndëshkimin e sistemit totalitar komunist ne duhet të miratojmë një ligj, i cili të sanksionojë se ” Regjimi Komunist ” ka qenë regjimi i Shqipërisë nga 30 nëntor 1944 deri 1 tetor 1991, dhe jo siç e patëm miratuar në vitin 2010, duke e caktuar datën e vdekjes së komunizmit në 8 dhjetor 1990, kur lindi partia ime, e cila u uzurpua nga disa komunistë që njihen tashmë.

Dekomunistizimi nuk mund të bëhet me fjalë por duhen vepra dhe ligje dhe, madje, ndëshkime ligjore, deri me burg për ata që s’do t’i binden këtij ligji. Organi mbishtetëror që do të merret me këtë punë dhe që do të ketë atributet e prokurorisë, gjykatave dhe policisë, duhet të jetë ” Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit “, i cili do të quhet këtej e tutje ” Autoriteti Qendror “. Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe institucionet shtetërore duhet t’i binden atij, jo vetëm lidhur me paraqitjen e historisë së vërtetë, por edhe lidhur me censurimin dhe ndëshkimin e çdo përpjekjeje pë ta paraqitur ndryshe historinë e kaluar apo, larg qoftë, për të ekspozuar ndonjë simbol, ide, teori, koncept, vepër letrare e artistike, piktura, skulptura, këngë, shpikje shkencore, lapidare, krijime popullore etj.etj. që i përkasin asaj periudhe të errët dhe mizore.

Ne vërtetë kemi luftuar për pluralizmin e mendimit, por jo për mendimin dhe shijet komuniste. Pra, pluralizmi ynë ideologjik, politik dhe artistik nënkupton shumësinë e mendimeve, gjykimeve dhe ideve të njëjta. Ne duhet të përcaktojmë natyrën e Luftës Nacional – Çlirimtare si një luftë civile dhe jo çlirimtare pasi pushtuesit e vërtetë ishin komunistët shqiptarë dhe jo nazi-fashistët e Italisë e Gjermanisë. Gjithashtu, datën e çlirimit e përcaktojmë ne, pasi, në të vërtetë, ai ishte pushtim dhe jo çlirim. Të gjithë drejtuesit e PKSH-së dhe të UNÇL duhet të shpallen kriminelë, ndërsa anëtarët e qeverive shqiptare, mikpritëse dhe ndihmëse të ushtrive çlirimtare nazi-fashiste, ashtu si shqiptarët e tjerë që iu ndihmuan miqve tanë italo-gjermanë për të gjetur, arrestuar, internuar dhe zhdukur komunistët dhe të gënjyerit prej tyre që rrëmbyen armët gjatë viteve 1939-1944, duhet të shpallen nacionalistë, idealistë, atdhetarë dhe heronj.

Duhet të dënohet me forcë Konferenca e Pezës si një mashtrim komunist dhe të ngrihet lart Konferenca e Mukjes si një arritje e madhe e Nacionalizmës, e sabotuar nga tradhëtarët komunistë.

Duhet të shkatërrohen e zhduken një herë e mirë edhe ato pak lapidare që kanë mbetur dhe përkujtojnë betejat kundër miqve tanë nazi-fashistë, ashtu si duhet të hiqen sa më parë të gjithë emrat e rrugëve, shesheve, qyteteve, urave që tregojnë ngjarje që lidhen me luftën apo pasluftën. Veçanërisht, duhet të shpallen si të rrezikshme për vendin dhe kombin simbole të tilla si flamuri me yll, madje edhe vetë ylli, shalli i kuq me tre cepa, stemat me ” pushkë, kazmë, libër ” apo ” drapër e çekan “.

Tani është e papranueshme që të turbullojmë mendjet dhe shpirtin demokratik të rinisë tonë duke iu shfaqur atyre fantazmat e pushkës kur dihet se ne s’kemi kurrfarë ushtrie dhe as armë në duart e qytetarëve pasi na mbron NATO dhe, siç shihet përditë, qytetarët shqiptarë i urrejnë armët prandaj nuk pipëtin askund një krismë arme. Është e turpshme që tani, në shekullin e internetit t’iu shfaqim shqiptarëve, sidomos brezit të ri të përkushtuar pas  qejfit, drogës dhe lakuriqësisë, pamjet e kazmave. Kazma tregon prapambetje pasi ajo është komuniste.

Edhe paraqitja e stemave me fjalën ” libër ” është më se e papërshtatshme dhe e dëmshme për një rini që ëndërron emigracionin, bixhozin, drogën, bashkëjetesën dhe mund t’i marrë diplomat pa u stërmunduar si skllevër mbi libra, madje edhe onlajn nga Anglia duke punuar në ” shtëpitë e barit ” dhe dhënë provimet kur iu tepron koha.

Duhet të ndalohet rreptësisht transmetimi i filmave, dramave dhe komedive të periudhës komuniste, nëpërmjet të cilave ngrihej lart figura e punëtorëve e fshatarëve apo ajo e mësuesit apo mjekut që, me dhunë, shkonte e iu shërbente njerëzve deri në fshatrat më të thellë. Heronj të tillë të shpifur si Ndrec Ndue Gjoka, Shkurte Pal Vata, Isuf Emin Plloçi, ” Deda ” tek ” Rrugë të Bardha ” etj. që japin jetën për t’i shërbyer popullit duhet të mos shfaqen më në ekranet tona sepse infektojnë rininë por duhet të zëvendësohen me heronjt e ri të kohës, siç janë ata që kanë aftësinë të pasurohen pa punuar, ose me bixhoz, prostitucion e korrupsion dhe që ne i quajmë VIP-a, pra Persona Shumë të Rëndësishëm.

Jo pak prej tyre kanë dëshmuar heroizma, duke flijuar edhe jetën për të mirën vetjake, në luftë me bandat rivale. Ne duhet të varrosim një herë e mirë çdo ideal të rremë shoqëror e kolektiv dhe t’i edukojmë brezat me ndjenjat humanitare të individualizmit, komercializmit, konsumizmit etj., në mënyrë që në luftë për arritjen e ambicjeve dhe famës private të forcohet dinjiteti i njeriut tonë të ri që sakrifikon deri aty sa të zhgërryhet rrugëve të Perëndimit për para apo t’iu shërbejë si nevojtore sheikëve të Lindjes. Ky lloj heroi do ta fundosë përfundimisht heroin e shpifur të Realizmit Socialist.

Aktorë të tillë si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Serafin Fanko, Tano Banushi etj. nuk duhet t’i shohë më publiku shqiptar pasi janë vulgarë dhe kanë luajtur role sipas shijeve komuniste. Ata duhen zëvendësuar me aktorë demokratë të sotëm si ata të emisioneve ” Al Pazar “, ” Portokallia “, ” Apartamenti 2XL” etj. që demonstrojnë një nivel të paarritshëm artistik dhe, sidomos, etik. Këngëtarë si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Parashqevi Simaku, Bashkim Alibali, Anita Take, Ardit Gjebrea, Avni Mula, Bujar Qamili, Fatime Sokoli, Françesk Radi, Kastriot Tusha, Sabri Fejzullahu etj. tashmë janë të dalë jashtë mode dhe duhen zëvendësuar me brezin e ri të këngëtarëve të paarritshëm të muzikës shumë të kultivuar ” Rap ” si Stresi, Noizy, Elai, Don Xhon etj. të cilët, me këngët e tyre, megjithëse banale dhe të pakuptueshme për 90% të popullsisë, i shërbejnë demokracisë dhe atdheut, sepse me vulgaritetin e tyre i ngrejnë kult armëve, drogës, seksit, qejfit dhe shthurjes, domethënë lirisë së individit, të cilën e shtypte pa mëshirë sistemi totalitar komunist.

Këngët për nënën, gjyshen, fëmijët, ” për ty atdhe “, shokun etj. duhen zëvendësuar me ato për dashnoret, seksin, paratë etj. në mënyrë që t’i shërbehet si duhet formimit të njeriut të ri antikomunist.

Duhet sanksionuar me ligj që të ndalohet Gjuha Standarde Letrare pasi është krijim kriminal dhe i padrejtë komunist dhe duhen lënë të lirë njerëzit të shkruajnë apo flasin gjuhën e krahinës, fshatit, lagjes apo fisit sepse nga larmishmëria vjen zhvillimi dhe uniteti kombëtar. Edhe universiteti i krijuar nga ai sistem vrastar duhet mbyllur, pasi tani kemi me dhjetëra universitete private të nivelit botëror, për promovimin e të cilëve edhe neokumunisti i korruptuar Edi Rama akordoi vjet shtatë milion dollarë.

Kujdes i madh duhet bërë për ndalimin e botimit dhe qarkullimit të veprave letrare të periudhës komuniste, duke përfshirë edhe Kadarenë, Agollin etj. sepse aty lartësohet figura e Hoxhës dhe PPSH-së. Poezi të tilla si ” Nënë Shqipëri ” apo romani ” Dimri i Madh ” duhen zëvendësuar me poezitë moderne si ” Vrima ” që u shpall fituese çmimesh kombëtare para pak vitesh meqë ngrinte lart kultin e seksit dhe incestit, apo me ” letërsinë e burgjeve ” sepse ajo nuk është e politizuar dhe ka nivel të paarritshëm artistik.

Duhet ndaluar me çdo kusht  ekspozimi apo leximi i librave të kriminelit Hoxha dhe duhen promovuar botimet dhe leximet e librave të demokratëve të mëdhenj Adolf Hitler, Gebels, Çiano etj.etj.. Skulptura të tilla si monumenti ” Nënë Shqipëri ” apo ai i Pavarësisë në Vlorë duhen shembur dhe zëvendësuar me monumentet e heronjve të vrarë për trafik armësh si ai i A. Hajdarit apo me vepra të tilla arti si ” BunkArt “, ” Shtëpia me Gjethe ” etj. sepse vetëm këto paraqesin historinë e vërtetë.

Siç e dini dhe e mirëkuptoni, projektligji që propozoj mbështetet mbi parimet demokratike të ligjshmërisë, të së drejtës së informimit ( vetëm prej nesh ), garantimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut siç e thekson qartë edhe Kushtetuta jonë e cila, në nenet 22 – 24 ka sanksionuar të drejta të tilla si ” Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. Secili është i lirë të zgjedhë bindjet, ose t’i shfaqë ato individualisht, në publik ose në jetën private “. Siç e dini, megjithëse kjo Kushtetutë është meritë ekskluzive e partisë time, e cila e bojkotoi referendumin për aprovimin e saj, ne duhet të kemi parasysh që neneve të mësipërm t’iu bëjmë një interpretim demokratik kur vjen puna për ndalimin dhe ndëshkimin e simboleve, letërsisë dhe artit të para 1990.

Për të ndëshkuar regjimin totalitar komunist është e lejueshme çdo shkelje kushtetuese pasi, siç e dini, ai regjim, përveç se ishte kriminal, ishte edhe i prapambetur sepse në vitet ’40 të shekullit të kaluar ndaloi një pjesë të vogël të letërsisë së mëparshme, kurse ne duhet të ndalojmë sot çdo shenjë apo simbol të asaj periudhe. Kjo i dallon demokratët e vërtetë nga totalitaristët dhe diktatorët.

Siç e kam theksuar më sipër, prej 32 vitesh, fatkeqësisht, qendrimet historike kanë qenë të ndryshme, duke krijuar konfuzion dhe keqkuptime rreth të vërtetës historike. Ky projektligj që do të paraqesim ne në Parlament ka si qëllim pranimin me vetëdije të detyruar të së vërtetës historike të regjimit totalitar, si dhe realizimin e paqes sociale, pajtimin dhe unitetin kombëtar, në mënyrë që në të ardhmen të ndërtohet një shtet i së drejtës, demokratik e social që ka në themel mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor, si ai që patëm nisur të ndërtonim ne në vitet ’90 por që na e penguan rebelët komunistë.

Paqja sociale, pajtimi dhe uniteti nuk mund të arrihen pa e ndëshkuar unanimisht dhe plotësisht një epokë historike dhe një formacion politik, pa zhdukur çdo shenjë të saj. Do të ketë reaksion kundrejt ligjit dhe shkelje të tij duke evidentuar ndonjë gënjeshtër historike sikur ai sistem zhduku analfabetizmin, arësimoi gjithë popullsinë, krijoi një shërbim mjekësor gjithëpopullor dhe falas, zëvendësoi bishtukun dhe flakën e pishës me energjinë elektrike, ndërtoi 700 km hekurudha dhe broçkulla të tilla, të cilat duhet të ndëshkohen shpejt dhe pa mëshirë nga Autoriteti Qendror mbishtetëror, të cilit duhet t’i binden të gjitha institucionet shtetërore.

Kriptokomunistët do të thonë se edhe ne demokratët kemi vrarë, madje pa gjyq, dhe jemi betuar se do të vrasim sërish nëse dikush na kërcënon pushtetin dhe do ta bëjmë këtë me urdhër të Babës non-grata, me autorizim të dajës plak apo thjesht për shkak të ndjenjave dhe pasioneve demokratike. Ne nuk duhet të turpërohemi dhe as të ngurojmë ta pranojmë këtë, ashtu si vrasjet që u kemi bërë partizanëve dhe komunistëve tradhëtarë, gjatë dhe pas luftës, sepse i kemi bërë dhe do t’i bëjmë këto për hir të demokracisë, lirisë dhe atdheut. Duke perifrazuar idhullin dhe Atin tonë politik, që tani po na del njerk, i cili thoshte se ” Papunësia në demokraci nuk është si papunësia në diktaturë “, më duhet të shpreh bindjen e thellë demokratike se as vrasjet dhe as censura në demokraci nuk janë si ato në diktaturë.

Megjithëse Himnin Kombëtar nuk e patën krijuar komunistët, fakti që ata e pranuan për gati 50 vjet, shërben si obligim për ne demokratët antikomunistë ta ndryshojmë atë pjesërisht. Kështu vargjet ” Prej lufte veç ai largohet, që është lindur tradhëtor ” të zëvendësohen me vargjet ” Prej lufte veç ai largohet, që është lindur atdhetar “, ndërsa si refren të Himnit propozoj të shtohen vargjet: Mua m’quajnë Alibegu/ Lum Shqipëria që më ka/  Ku shkoj unë piqet shelegu/ Kësi heroi kurrë s’është pa.

E ndjej detyrim moral, filozofik dhe demokratik të pohoj se ata që s’do ta votojnë projektligjin tonë, duhet të shpallen unanimisht neokomunistë, punistë, antidemokratë dhe tradhtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Kandidati për kryetar të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka prezantuar platformën prej 10 pikave për zgjedhjet e 24 prillit

Bujar Osmani, është personalitet i kompletuar dhe ndër më të emancipuarit në mesin e burrështetasve shqiptarë të kohës sonë

Burrështetasi, Bujar Osmani, kandidat për kryetar në Maqedoninë Veriore, është personaliteti më i kompletuar dhe  …