Historia e gjatë e robërisë së popullit shqiptar në trojet e veta nën pushtimin serb, ka bërë që secili brez i tij të identifikohet me ngjarje të rëndësishme të lëvizjes për çlirim kombëtar. Brezi i 68tës; brezi i 81-tës, apo i Republikës; brezi i 98-99, apo i UÇK-së,- janë gjeneratat më të reja, emri i të cilave simbolizon jehonën dhe kuptimin e ngjarjeve e të kthesave të mëdha të atyre viteve. Një ngjarje e kohës u fiksua edhe në emrin, me të cilin u pagëzua fëmija i katërt i Isuf e Vahide Elshanit nga fshati Ozdrim i komunës së Pejës, në pranverë të vitit 1981. Demonstratat popullore të kësaj pranvere, në Kosovë, hapën një faqe të re të përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi kombëtare. Zjarri i luftës për liri, i ndezur në këtë pranverë nuk do të shuhet për asnjë moment, deri në përcëllimin e pushtuesit serb, nga arma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në mposhtjen e tij, në pranverë të vitit 1999.
Demonstratat e marsit e prillit të vitit 1981, gëzonin mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë politike. Këtë mbështetje shtetërore e personifikonte shumë mirë komentatori i Radiotelevizionit shqiptar, i cili herë pas here paraqitej në rolin e zëdhënësit të politikës së shtetit, me komentet politike në përkrahje të kërkesës Kosova-Republikë. Pamja madhështore e zëri i tij kushtrim, e kishin bërë Komentatorin Virgjil Kule, idol të shumë familjeve në Kosovë. Kështu ishte bërë edhe në familjen Elshani, prandaj fëmijës së lindur i la emrin Virgjil.
Virgjil Elshani ka lindur më 15 qershor të vitit 1981. Ai ishte një fëmijë i mirë, i qetë e i shëndetshëm. Kështu do të jetë edhe në moshën e rinisë. Duke kujtuar fëmijërinë e tij, e ëma, Vahidja, thotë: “Me sjelljet si të Virgjilit nuk mund të rritet fëmijë tjetër. Ai ishte i urtë, por me zemër të zjarrtë”.
Virgjili kreu shkollën fillore në Ozdrim. Pastaj ndoqi mësimet në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahija”, në Pejë. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Kur UÇK-ja filloi luftën e armatosur për çlirim nga pushtuesi serb, më 1998, ai ishte në klasën e tretë të kësaj shkolle. Pjekuria dhe edukata kombëtare e kultivuar nga babai, Isufi e nga tërë rrethi i gjerë familjar, nuk mund ta lejonin atë ta vazhdonte shkollimin, përderisa për të gjithë shqiptarët e aftë për luftë, tashmë, ora për t’i dalë zot Kosovës kishte rënë. Pra, tash në rend të parë ishte lufta, e jo shkolla. Pjesën e mbetur të shkollës së mesme e vijon pas luftës, por nuk do ta mbarojë atë. Ishte maturant, kur më 11 nëntor të vitit 2000, vritet në pritë, nga një dorë mizore, në fshatin Arbnesh (ish-Vitomiricë) afër Pejës.
Dëshmori Virqjil Elshani kishte disa tipare të veçanta, sikurse fizike, ashtu edhe ndjenjore. Ai ishte fizikisht i zhvilluar dhe i fuqishëm. Parapëlqente të qëndronte në mjedis burrash dhe adhuronte armën. Ndonëse me një temperament të qetë, para uniformës së pushtuesit serb ishte i papërmbajtur. Është simbolike ngjarja e 24 marsit të vitit 1998, ditën kur nis lufta në zonën e Dukagjinit, në Gllogjan. Atë ditë Virgjili, nxënës i klasës së tretë të shkollës së mesme, në një punkt policie në afërsi të shkollës së mesme ekonomike të Pejës, bie në konflikt me një polic serb. Ai e godet disa herë policin dhe arrin të largohet nga vendi i ngjarjes. Një javë më pas, në afërsi të stacionit të autobusave në Pejë, bie në duart e policisë serbe, me ç’rast maltretohet fizikisht.
Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familja Elshani e Ozdrimit e përqafoi me ideal të lartë çlirimtar. Ajo veshi në armë dhe angazhoi në detyra të caktuara në shërbim të luftës çlirimtare dhjetëra burra e djem të rinj të saj: Dautin, Shabanin (i vrarë aksidentalisht më 1998, me armën e sjellur për luftë, nga Shqipëria), Sadriun, Isufin, Ahmetin e Nexhmedinin (dëshmor),-të gjithë vëllezër,- dhe bijtë e tyre, Virgjili, Përparimi, Vetoni, Blerimi, Gëzimi, Neziri, Vehbiu, Esati e të tjerë. Pothuajse tërë rrethi i gjerë i kësaj familjeje angazhohet në luftë. Me bijtë e kësaj familjeje organizohen e luftojnë dhe nëpër derën e saj hyjnë e dalin dhjetëra luftëtarë të lirisë, ushtarë të UÇK-së, si Azem Veseli, Naim Gjura, Myrvete Maksutaj, Besnik Shala, Naim Lushi e të tjerë. Strehë dhe bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë tërë kohës së luftës ishte edhe shtëpia e Isuf Elshanit, babait të Virgjilit. Aty luftëtarët e lirisë gjenin edhe bukën, edhe armën, edhe bujarinë. I zoti i shtëpisë, Isufi, kishte qëndruar disa kohë në mërgim në Zvicer. Atje zhvillon një aktivitet të dendur në dobi të çështjes kombëtare. Së bashku me dëshmorin Skënder Çeku, organizon bartjen e llojeve të ndryshme të armëve nga Zvicra në Kosovë. Ndihmon edhe financiarisht organizimin e luftës së armatosur, pasi atje kishte në punë edhe dy djemtë, Ademin e Selimin. Me fillimin e luftës, kthehet në Kosovë dhe angazhohet në detyra ushtarake: bart armatim nga Shqipëria, ndihmon logjistikën e UÇK-së dhe merr pjesë në luftime. Meqenëse fshati Ozdrim ishte si pikë e korridorit që lidhte trevat e dy anëve të Drinit, të zonës së Dukagjinit, pas formimit të Brigadës ushtarake, numër 133, Isufi me bashkëluftëtarë ndërton urën e improvizuar mbi lumin Drin, pasi vendkalimet në këtë lum kontrolloheshin rreptësisht nga focat serbe. Kur forcat serbe ndërmarrin sulmin e ashpër kundër popullatës së shumtë të strehuar në Ozdrim, më 7 maj të vitit 1999, me ç’rast vriten 10 civilë, kurse rrëmbehen pa gjurmë 3 të rinj, Isufi bën të gjitha përpjekjet për ta mbrojtur popullatën e sulmuar. Në luftimet e zhvilluara në fillim të majit të vitit 1999, te Ura e Drinit në Dubovë, ai plagoset me armë zjarri.
Isufi ishte burrë me autoritet të fituar me punë të palodhshme, me angazhim të përkushtuar në dobi të çështjes kom- bëtare e me gjakun e plagëve të marra në luftë e me sakrifica të tjera. Kështu njihet ai edhe në vitet e pasluftës. Mirëpo, figura dhe autoriteti i tillë do ta pengojnë dikë, prandaj, më 23 shtator të vitit 2004, në fshatin Arbnesh (ish-Vitomiricë), derisa po udhëtonte me autoveturë, bie në pritë dhe goditet për vdekje nga një dorë makabre. Ai vritet kur në trup kishte ende plagët e luftës. Pak ditë më parë, nga trupi kishte hequr plumbat e marrë te Ura e Drinit në Dubovë, ku ndodhej stacioni famëkeq i forcave serbe, me rastin e sulmit të ndërmarrë nga forcat serbe, në fillim të majit 1999.
Së bashku me Isufin vritet edhe bashkudhëtari dhe bashkëluftëtari i tij, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Thaçi, me vendbanim në Arbnesh (ish-Vitomiricë).
Vrasja e Isufit ishte goditja tjetër e rëndë që rrethi i gjerë i familjes Elshani nga Ozdrimi, pësoi në periudhën pas luftës çlirimtare të UÇK-së. Sigurisht nuk mund të ishte rastësi që, jo larg vendit të vrasjes së Isufit dhe po nga prita, më 11 nëntor të vitit 2000 ishte vrarë edhe i biri, Virgjili. Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 16.
Në atë rast plagoset edhe vëllai i tij, Graniti, por i cili arrin ta nxjerrë Virgjilin e plagosur nga autovetura dhe e nis për në spitalin e Prishtinës, ku mbijeton deri të nesërmen në mëngjes.
Pas luftës, në afërsi të fshatit Ozdrim, në rrethana të pandriçuara plagosen edhe Visar Elshani dhe Ramadan Elshani (pjesëtar i Brigadës 133 të UÇK-së).
Kundër familjes Elshani, pas luftës u ndërmor edhe fushatë gjyqësore. Pjesëtari i UÇK-së, Ahmet Elshani u arrestua dhe u dënua me tri vjet burg, në procesin politik gjyqësor kundër gjeneralit Daut Haradinaj. Familja Elshani, po ashtu u bastis shumë herë nga policia ndërkombëtare dhe nga KFOR-i, madje deri pak ditë para vrasjes së babait të Virgjilit, Isufit.
Organizimi i luftës çlirimtare nga UÇK-ja në zonën e dukagjinit, në pranverë të vitit 1998, nuk e lë të qetë shpirtin e pastër kryengritës të të riut 17 -vjeçar, Virgjil Elshani. Ai, pa hamendje orienton tërë interesimin e vet te kjo luftë. Prandaj u bashkohet grupeve të para të të rinjve të fshatit që shkojnë për të sjellë armatim nga Shqipëria. Në librezën e tij ushtarake është e shënuar data e mobilizimit në UÇK: 20.6.1998. Në maj të vitit 1998, ai kishte shkuar për armatim, bashkë me djemtë e axhallarëve, e me kushërinj të tjerë: Përparimin, Vetonin, Blerimin, Nezirin, Vehbiun, Dritonin, Esatin, Avdiun, Beratin, Musanë, babain Isufin e të tjerë.
Këtij grupi i prin axha i tij, Nexhmedini, i cili më vonë bie në fushën e nderit. Ato ditë për armatim në Shqipëri shkojnë edhe meshkuj të tjerë të familjes Elshani: Agimi, Fatosi, Kushtrimi e të tjerë.
Më vonë, këta luftëtarë do të marrin pjesë në beteja të shumta, në të cilat do të bie Nexhmedini, kurse do të plagosen: Ahmeti, Ramadani, Isufi, Vetoni, Labinoti e të tjerë. Në një betejë te “Ura e Dubovës”, plagoset edhe Virgjili. Ai dallohet në çdo aksion, si pjesëtar i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Në maj të vitit 1999, ai bashkë me Dritonin, Luanin, Përparimin, Ramadanin, Shkëlzen Ahmetgjekaj (nga fshati Rudicë) e të tjerë, merr pjesë në sulmin kundër forcave serbe të cilat, pas shpërnguljes së popullatës, po plaçkitnin në shtëpitë e fshatit Ozdrim. Në këtë sulm, forcat militare serbe pësojnë humbje të konsiderueshme.
Në muajt e parë pas mbarimit të luftës, Virgjili angazhohet në kuadrin e policisë ushtarake të UÇK-së. Mirëpo, me demobilizimin e UÇK-së, nuk vazhdon të angazhohet në detyrat ushtarake dhe përfundon misionin e ushtarakut. Ai vazhdon të jetojë me krenarinë e të qenit pjesëtar i denjë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtar i lirisë. Ndjenjat liridashëse i kishte trashëguar nga brezat e kaluar të familjes, nga gjyshi e stërgjyshi. Stërgjyshi i Virgjilit, Arifi, ishte pjesëtar i lëvizjes kombëtare të udhëhequr nga Azem Bejta; Gjyshi, Ademi, ishte pjesëtar i lëvizjes kombëtare NOSH, pas Luftës së Dytë Botërore (i dënuar në ato vite, me dënim për vdekje, por i cili dënim i shndërrohet në burg të përjetshëm, të cilin e vuan shumë vjet në Goli Otokun famëkeq të Kroacisë).
Trupi i dëshmorit Virgjil Elshani pushon në varrezat e fshatit të lindjes. Nëna, Vahidja, vëllezërit, Ademi, Selimi e Graniti, motrat Antigona e Albiona, por edhe tërë rrethi i gjerë familjar, ruajnë kujtime të paharrueshme për të. Për kujtim të tij, sot ruhen me kujdes, fletoret e shkollës, pjesë të uniformës së UÇK-së (uniformën komplet e kishin marrë pjesëtarët e KFOR-it, në një rast të bastisjes së shtëpisë së Virgjilit), orën e dorës, stilografin me të cilin ka shkruar ,e të tjera. Nëna, me emocione betohet se, për sa të jetë gjallë, nuk do ta humbë atë që “Xhili” i saj (siç quhej me përkdhelje Virgjili), e kishte bartur në supe dhe sjellur me shpinë, nga Shqipëria. (N. M.)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
