Vlora Çitaku: PDK nuk hyn në koalicion me Vetëvendosjen, do të mbetet në opozitë

Partia Demokratike e Kosovës ka rikonfirmuar se nuk do të jetë pjesë e një qeverie të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se roli i saj do të mbetet ai i opozitës. Pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se partia është e interesuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, por kjo nuk nënkupton bashkëqeverisje me LV-në. “PDK-ja ka pozicion të qartë politik: ne do të jemi në opozitë. Jemi të interesuar që institucionet të konstituohen sa më parë, në mënyrë që të adresohen nevojat e qytetarëve”, tha Çitaku. Bashkëpunimi për krijimin e institucioneve ose për çështje me interes shtetëror nuk duhet të interpretohet si gatishmëri për hyrje në qeveri. “Jemi vite larg me Lëvizjen Vetëvendosje. Mund të bashkëpunojmë për konstituimin e institucioneve dhe interesat e qytetarëve, por jo për bashkëqeverisje”, u shpreh ajo. Duke folur për procesin e zgjedhjes së Presidentit, Çitaku theksoi se kjo nuk është thjesht një çështje e ndarjes së një posti institucional, por një proces me ndikim të drejtpërdrejtë në vazhdimësinë e qeverisjes. PDK-ja dhe Vetëvendosje mbeten thellësisht të ndara në një sërë politikash strategjike, duke përmendur raportet me Shtetet e Bashkuara, projektin e gazsjellësit amerikan, zhvillimin e sektorit privat, lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe politikat në arsim. Sipas saj, këto dallime politike e bëjnë të pamundur një bashkëqeverisje mes dy subjekteve, pavarësisht bashkëpunimit institucional për funksionalizimin e organeve të shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

30 Gushti - Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur shënohet edhe në Kosovë me disa aktivitete përkujtimore

Arkivat që Serbia i mban të mbyllura – çelësi për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 të zhdukurve në Kosovë

Dyshimet për një varr masiv në veri të Kosovës kanë rikthyer në qendër të vëmendjes …