Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar që votimi i pesë nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet në pako, duke mundësuar që kandidati i propozuar nga Lista Serbe të kalojë bashkë me nënkryetarët e partive të tjera. Vendimi u bë i ditur pas mbledhjes së përfaqësuesve të partive politike, ku sipas kryeparlamentarit Dimal Basha është arritur dakordim për të përshpejtuar konstituimin e Kuvendit dhe më pas votimin e qeverisë. “Ka pasur konsensus për raportin, për votimin e kryetares/kryetarit, të pesë nënkryetarëve, dhe ka një dakordim që do të bëhet votimi në pako i pesë nënkryetarëve për t’u bërë konstituimi i Kuvendit sa më shpejt dhe më pas të bëhet votimi i qeverisë”, deklaroi Basha. Ky qëndrim paraqet një kthesë krahasuar me legjislaturën e kaluar, kur Vetëvendosje kishte refuzuar të votonte nënkryetarin nga Lista Serbe dhe kishte kundërshtuar votimin në pako — çka çoi në zvarritje të procesit të konstituimit të Kuvendit. Çështja e përfaqësimit të komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit ishte bërë objekt edhe i shqyrtimit kushtetues. Në legjislaturën e 9-të, zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar u kontestua dhe Gjykata Kushtetuese vlerësoi se posti i takon partisë serbe me më së shumti ulëse në Kuvend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
