Xhevat Shaban Thaçi (23.8.1969 – 14.12.1998)

Xhevat Shaban Thaçi (23.8.1969 – 14.12.1998)

Njëri prej luftëtarëve, tani dëshmor, që la gjurmë të pashlyeshme në Epopenë e Grykës së Llapushnikut dhe në shumë beteja të zhvilluara në rajonin e Drenicës, padyshim se është edhe Xhevat Thaçi nga LLapushniku i Drenasit.
Xhevat Thaçi u lind në Llapushnik më 23 gusht 1969. Ishte fëmija i tretë i babë Shabanit dhe nënë Zojës nga gjithsej 6 fëmijëve sa kishin lindur nga këta dy prindër.
Xhevati shkollën fillore e kreu në Arllat dhe Llapushnik, ndërsa atë të mesmen teknike në Drenas–drejtimi elektroteknikë.
Dëshmori i kombit Xhevat Thaçi që në fëmijëri ishte brumosur me ideale të atdhedashurisë. Në demonstratat e vitit ’81, ndonëse i ri në moshë, përkrah bashkëmoshatarëve të tij, arsimtarëve dhe po thuajse të të gjitha shtresave shoqërore, merr pjesë aktive, duke u dalluar në artikulimin e kërkesave të popullit tonë për liri dhe barazi. Kishte një shtat të hedhur, ndërkaq pasion kishte sportet luftarake.
Që nga ajo kohë, dëshmori Xhevat Thaçi dhe familja e tij do të jenë në përcjellje të organeve të sigurimit shtetëror dhe shërbëtorëve të tyre. Rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrifica sublime e Jasharëve të Prekazit do të përshpejtojnë masovizimin e rezistencës që gjithnjë e më tepër po merrte formën e një kryengritjeje të armatosur. Kështu, më 15 mars 1998 Xhevati angazhohet në njësitin Guri 3, ku paralel me stërvitjet merr pjesë edhe në organizimin e rojës. Është emëruar komandant togu, detyrë kjo të cilën e kreu me mjaft përgjegjësi.
Përveç Xhevatit, zërit të atdheut iu përgjigj edhe i vëllai, Mehdiu dhe dy motrat Makfirja dhe Mexhidja. Mehdiu në luftimet për mbrojtjen e Grykës së Llapushnikut është plagosur, duke dëshmuar në këtë mënyrë se pa gjak e djersë nuk fitohet liria dhe nuk çlirohet atdheu.
Gjatë periudhës maj- korrik, forcat okupatore serbe ndërmorën disa ofensiva drejt istikameve të luftëtarëve të lirisë në Llapushnik, ku Xhevati me shokë qëndruan të paepur kundrejt një force të armikut, me epërsi të shumëfishtë si në trupa, ashtu edhe me teknikë luftarake. Ka bashkëvepruar me Mehdi Hoxhën dhe Gani Elshanin që të dy dëshmor të kombit.
Më 25 shtator 1998, nga një sulm i forcave serbe, plagoset në Malin e Kozmaqit. Pavarësisht plagëve serioze që kishte marr, ai nuk u ndal së luftuari në të gjitha frontet e luftës përreth Grykës së Llapushnikut.
Meqë, në terren ndihej mungesë e madhe e armatimit, kur tashmë qindra e mijëra të rinj e të reja po i mbushnin radhët e UÇK-së, Xhevati me një grup të madh luftëtarësh kishte kaluar kufirin dhe po përgatitej për tu future në Kosovë. Në ballë u printe komandanti Mujë Krasniqi. Kështu, Xhevati me një grup të madh luftëtarësh bie në pritë që kishin ngritur forcat serbe në ditën e kobshme të 14 dhjetorit të vitit 1998 në Kuzhnin. Me këtë rast, përveç Xhevatit, në këtë betejë të pabarabartë bie edhe komandant Mujë Krasniqi – Kapuçi, me 40 luftëtarë të tjerë. Trupi i dëshmorit Xhevat Thaçi prehet në varrezat e dëshmorëve në Polac të Skënderajt.
Emri i Xhevatit është i skalitur në një pllakë së bashku me emrat e dëshmorëve dhe martirëve të Llapushnikut, si dhe përkrah emrit të babë Shabanit, i cili qe zën nga forcat serbe dhe është ekzekutuar.
Në shenjë nderimi dhe respekti për këtë dëshmor, janë thurur dhe kënduar këngë nga rapsodë dhe këngëtarë të ndryshëm, kurse familja ka marr mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së përkohshme të Kosovës. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …