Xheladin Hamdi Xheladini (2.4.1976 - 14.12.1998)

Xheladin Hamdi Xheladini (2.4.1976 – 14.12.1998)

Carraleva e njohur e historisë shqiptare, sidomos e luftërave për çlirim nga robëria turke, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë dhe shumë martirë. Në altarin e lirisë nga ky fshati, që ishte edhe bazë e fuqishme strategjike e luftës, kanë rënë dëshmorë: Xheladin Xheladini, Milaim Beha, Rrahman Tafa, vëllai i të cilit, Ali Tafa ishte vrarë nga forcat serbe, në vitin 1990.
Xheladin Xheladini u lind më 2 prill të vitit 1976, në fshatin Carralevë të komunës së Shtimes. Babai i tij, Hamdiu dhe nëna Xhezidja, edhe pse në kushte të rënda sociale rritën, nëntë bij dhe tri bija.
Mësimet fillestare Xheladini i kreu me sukses në vendlindjen e tij, në Carralevë. Ka kryer shkollën e mesme teknike, drejtimin automekanik, në Shtime. Nuk vijoi studimet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
Më 14 qershor të vitit 1998, luftëtarët e lirisë nga Carraleva, Krojmiri, Pjetërshtica, Zborci, Shala sulmuan forcat serbe në vendin e quajtur “te Ura e Sahitit” ku edhe u barrikaduan deri në ofensivat që ndërmorën forcat policore dhe ushtarake serbe në korrik dhe gusht të po atij viti.
Më 17 qershor, Xheladin Xheladini lajmërohet në Shtabin lokal të UÇK-së në fshatin Pjetërshticë, ku asokohe ishte krijuar pika e UÇK-së. Pas Betejës në Carralevë.
Xheladini ishte sistemuar në pikën e Pjetërshticës, ku tashmë ishin inkuadruar edhe shumë të rinj dhe intelektualë të kësaj ane. Luftës iu kishin bashkuar, përveç Milaim Behës i cili kishte ardhur nga Sllovenia edhe: Rrahman Tafa, Naim Ismalji, Jakup Ismajli, Ramadan Behluli, Hasan Ismajli e shumë të tjerë. Xheladini fillimisht ishte angazhuar në vëzhgim dhe në hapjen e bunkerëve dhe të transheve.
Duke qenë se radhët e luftëtarëve të lirisë po shtoheshin nga dita në ditë, ndërsa kishte mungesë tejet të shprehur të armatimi dhe municionit, komanda e Batalionit “Ruzhdi Salihu” e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” merr vendim për dërgimin në Shqipëri të disa luftëtarëve. Më 3 nëntor të vitit 1998, Xheladin Xheladini, Astrit Bytyçi, Arben Hyseni, Enver Olluri, Bashkim Krasniqi, Isa Olluri, Bashkim Elshani, Qamil Olluri, me të tjerë, në përcjellje të Ramiz Qeriqit, i njohur si komandant “Luani”, pastaj Ali Durmishit, Dalip Rizanit, nisen për në Ngucat e prej andej në Shqipëri.
Pas një pushimi në Ngucat, ata së bashku me një grup luftëtarësh nga Zona Operative e Neredimes, të cilin e kryesonin, Afrim Musliu dhe Nuhi Jakupi, nisen dhe pas një kohe të shkurtër kalojnë kufirin. Xheladini me shokët e tij luftëtarë do të qëndrojë rreth 40 ditë në qendrat stërvitore të UÇK-së. Duke qenë se bënte dimër me acar dhe dëborë, eprorët e UÇK-së përcillnin me kujdes terrenin dhe nuk lejonin që grupet të rrezikonin, meqë depërtimi duhej që vende-vende të bëhej edhe nëpër lartësitë mbidetare deri mbi 1800 metra.
Më 13 dhjetor 1998, komandanti Mujë Krasniqi, pasi ishte konsultuar me komandantët dhe vëzhguesit e terrenit për ta kaluar kufirin, kishte tubuar luftëtarët e lirisë, të cilëve iu kishte mbajtur një fjalim. Ai kishte kërkuar nga të gjithë luftëtarët që nuk ndiheshin mirë, ose ata që ishin të sëmurë, të mos lëviznin, ndërsa të gjithë ata që ndiheshin të fortë dhe të disponuar për t’hyrë në frontet e luftës në Kosovë të bëheshin gati. Të nesërmen në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit, në krye të kolonës prej 143 luftëtarëve printe komandant Mujë Krasniqi nga Qabiqi, së bashku me Beqë Gashin, Rifat Mëziun, e të tjerë. Në relacionin e përthyer malor, të mbushur me dëborë, në vendin e quajtur “Likenet e Hasit” në Gorozhup, me të rënë agu i acartë mëngjesor, forcat serbe të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, godasin kolonën në befasi. Fillimisht sulmojnë me minahedhës mu në mesin e kolonës, pastaj me një breshëri të papushuar nga të gjitha anët fillon sulmi i rrufeshëm kundër luftëtarëve të lirisë, të cilët fillojnë të mbrohen, por të gjithë ndodheshin në rrethana tejet të pavolitshme, si për shkak të terrenit të përthyer malor, ashtu edhe dëborës së trashë edhe acarit që kishte kapluar vendin.
Xheladin Xheladini ndodhej në të njëjtin grup me bashkëluftëtarët e Batalionit të tij: Isë Olluri, Qamil Olluri, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani e të tjerë. Në një moment breshëria e armës armike godet Xheladinin me shokë, të cilët mbesin ngujuar në dëborë, pa pasur mundësi të tërheqjes. Forcat serbe kapin gjallë nëntë luftëtarë të plagosur, ndërsa të rënët i dërgojnë në Morgun e Prizrenit. Atë ditë përveç Xheladin Xheladinit, nga luftëtarët e Batalionit “Ruzhdi Salihu” kanë rënë dëshmorë edhe: Enver Olluri, nga Krojmiri, Arben Hyseni nga Godanci i Shtimes, Qamil Olluri nga Krojmiri, Ramadan Elshani nga Shtimja, Isa Olluri nga Krojmiri, Bashkim Krasniqi nga Zllakuçani, Selim Selimi nga Belinci, Naser Kelmendi nga Karaçica.
Me 20 dhjetor të vitit 1998, luftëtarët e lirisë, të cilët kishin rënë dëshmorë në malet e Gorozhupit, në mesin e tyre edhe Xheladin Xheladini, bashkëluftëtarët dhe komandantët e tyre i varrosin në “Varrezat e Dëshmorëve”, në fshatin Polac të Drenicës. Trupi i dëshmorit Xheladin Xheladini ishte identifikuar afër një vit më vonë, meqë emri ishte shënuar gabimisht dhe mendohej se ishte Qamil Olluri nga Krojmiri, trupi i të cilit ndërkohë zbulohet në varrezat e Kukësit.
Xheladini ka lënë babain, Hamdiun, nënën, Xheziden, vëllezërit: Muhametin, Bashkimin, Banushin, Ruzhdiun, Ramadanin, Shabanin, Naserin, Nazifin dhe motrat: Sahiden, Sylhanën dhe Nazmijen.
Emri i dëshmorit Xheladin Xheladini është skalitur në pllakën e përbashkët të dëshmorëve, në fshatin Carralevë, së bashku me Milaim Behën, i cili ka rënë në Senik të Malishevës, Rrahman Tafën, i rënë heroikisht në Koshare dhe Ali Tafën, i vrarë nga forcat serbe në vitin 1990 në Carralevë.
Familja Xheladini ka marrë mirënjohje për djalin dëshmor, nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK-së nga Kuvendi komunal i Shtimes dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …