Zef Shtjefni: Familjarët e Berishës, duan paratë dhe pushtetin

Gjithë problemi është se e bëjnë këtë vetëm me ndihmën e babait, ish-President dhe ish-Kryeministër fuqiplotë i vendit për vite me radhë, ndërsa sot kryetar real i Opozitës. Familjarët e Berishës dje u pasuruan. Sot duan të ngjisin shkallët e hierarkisë së PD-së. Nesër duan të kapin majat e shtetit dhe të pushtetit. Bravo Doktor, po ia kalon edhe Enverit, sepse ai në biznes dhe në politikë nuk i përzjeu fëmijët, edhe pse kishte shumë më tepër fuqi e mundësi se ti..! Nuk besoj që të ketë shumë shqiptarë që të besojnë se familjarët e Berishës dje bënë aq shumë prona e biznese sa thonë mediat, me punë e djersë të ndershme, me talentin e tyre, me konkurencë leale mes të barabartëve, duke paguar korrekt taksat etj.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve mendoj se dyshon dhe beson të kundërtën, se të gjitha bizneset e Argitës, Shkëlzenit, Jamarbërit dhe të tjerëve që njohim e nuk njohim, e kanë origjinën vetëm tek firma e babait kryeministër. Mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve që rrinë të azhornuar me lajmet nga bota, beson se kjo e Berishës është e njëjta kulturë, e njëjta modë e degjeneruar dhe dalë boje tashmë në të gjitha vendet të ashtuquajtura demokratike ballkanike e sidomos ato të botës arabe, si  Libia, Egjipti, Libani, Algjeria etj, ku pushtetmbajtësit e popullit kanë abuzuar rëndë me pushtetin dhe me një marifet a një tjetër, u kanë krijuar mundësi të shumta familjarëve të tyre të përvetësojnë miliona.

Ndryshimi i kësaj kulture hajnie me vendet e “demokracive” arabe, qëndron vetëm në faktin se tek ne favoret, abuzimet e vjedhjet bëhen më të rafinuara, bëhen më profesionale, më  të përlyera me ligjin dhe hajnat tanë i kushtojnë shumë më tepër kujdes fshehjes dhe ruajtjes së parave dhe pronave, se sa kolegët e tyre arabë. Por në fund të fundit rezultati është njësoj. Të gjithë abuzojnë me pushtetin dhe fusin duart thellë në pasuritë e vendeve të tyre. Do të më thotë dikush, po dhe në Europë vjedhin politikanët. E kam dëgjuar sa herë këtë refren bajat në media, sidomos nga ata që e vizitojnë Europën si turistë, apo ata që qëllimisht duan të justifikojnë veten apo padronët e tyre.

 

Mbase edhe në Europë ka ndonjë politikan që vjedh. Ama mund t’u jap sa të doni fakte se si u është bërë jeta ferr. Këtej e kanë të vështirë të vjedhin, sepse me sistemet e kontrollit që kanë ndërtuar, nuk mund t’i mbajnë dot pronat që nuk i vërtetojnë se i kanë nga burime të ligjshme. Në mënyrë të ligjshme është e mundur të bësh çfarë të duash. Atëherë pse të vjedhësh në Europë e të kesh telashe gjithë jetën. Është hesap i thjeshtë ky, që këtu e bën çdo kush. Le ta provojnë politikanët në Europë të kenë llogari në Qipro, Zvicër apo Monaco; të blejnë një apartament 1+1 pa  demonstruar se e kanë me të ardhura të ligjshme. Ndërsa unë pyes: Po Saliu ynë, gjithë atë shtëpi mes bllokmenëve të rinj, në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, vilën hollivudiane në Gjirin e Lalzit etj.,etj., si i fitoi? Me një kapërcim të befasishëm ai erdhi nga një apartament i vogël, që kishte në një lagje të Tiranës, në mes të bllokmenëve sapo mori mandatin e dytë..!A nuk do të ishte më e ndershme për të dhe për kryeministrin e vendit që të pranonte kredinë e butë që i ofroi Qeveria “Nano” e të bëhëj me një shtëpi të ligjshme..? Atë Berishën e thjeshtë të lagjes së Tiranës e deshi gjithë Shqipëria, deri sa na rrënoi në 1997 e deri sa iku nga shtëpia e thjeshtë. Por Berishën sot, që përpiqet të na mbajë peng të gjithëve, që përpiqet më kot të na zërë diellin me shoshë, nuk e beson e nuk më asnjëri.

 

Nuk e besojnë se shtëpia e tij është e vjazës apo e djalit dhe nuk e besojmë as çfarë na dërdëllis për ditë për punët e Qeverisë së majtë. Ai duhet ta dijë mirë se pasuritë që nuk bëhen me djersë, me ligj e me ndërshmeri, nuk gëzohen. Këta lloj pasurish të sjellin bela gjithë jetën. Ata që i shkojnë pas akoma Saliut sot në rrugën e sherreve dhe tymnajës e pengesave që krijon, janë të përlyer me të dhe e dinë fare mirë se duke sjellë Europën dhe ligjet e saj tek ne, abuzimet e tyre me pasuritë e vendit do të dalin si vaji mbi lakra. Abuzimin me pushtetin kultura berishiste e kishte kthyer në kult aftësie, në meritë dhe pjesë normale e karrierës qeverisëse e drejtuese nga qendra në bazë. E filloi këtë rrugë para tij edhe “Nano 2” , por jo me rrethin familjar. Kjo lloj sjellje më duket se është pushtllëku më i madh që një politikan e drejtues i një rangu të lartë i bën votës së popullit të vet, i cili i beson atij qeverisjen. Cili shqiptar mund ta besojë se faturat e avokates së rëndomtë Argita nuk kanë pasur gjithnjë edhe përqindjen e firmës së të atit kryeministër, në çdo akt e kontratë që ajo ka firmosur me bizneset  e huaj dhe të vendit.!?

 

Kush e beson se Shkëlzeni fitonte aq miliona çdo muaj e çdo vit, duke ndërruar gjithë ditën banakët e klubeve, çdo muaj avionët e vendet më atraktive turistike të botës dhe kur askush  nuk i ka thënë një herë: puna e mbarë. Ja keni kaluar dhe familjes së Enverit, Mehmetit, Ramizit me shokë o zoti ish-predident e ish-Kryeministër. Po të donte, Enver Hoxha kishte shumë më tepër mundësi se ju të shpërndante nëpër botë në emër të familjarëve të tij gjithë arin e pasuritë e tjera të vendit. Por me sa duket këtë nuk e ka bërë. Ai diktatori tjetër, idhulli juaj Zogoll, i mori arkat e floririt të shtetit shqiptar me vete dhe i shpenzoi rrugëve të botës si refugjat. Kur ti ishe kryeministër, jo vetëm që nuk ia përmende këtë të birit, por i dhatë pinjollëve të tij, pa një e pa dy edhe pronat e tjera të përfituara nga paratë e shqiparëve. Ndërsa ty dhe familjarëve të tu, me sa duket, nuk u mjaftojnë më paratë. Ju i doni të dyja: edhe paratë, edhe pushtetin. E keqja është se i doni pa punë të ligjshme, pa meritë dhe pa djersë. Por më e keqja akoma është, se kështu doni dhe t’i trashëgoni.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …