Zeqir Bekolli: Gani Sylaj “Burg pas Burgu” libër me kujtime

“Vëllezërit Sylaj  janë armiq të Jugosllavisë, nacionalistë, irredentistë, separatistë dhe tejet të rrezikshëm, të cilët synojnë shkatërrimin e Jugosllavisë, vëllazërim-bashkimin dhe bashkëjetesën”.

Kjo shprehje u përsërit shumë herë gjatë një takimi te ish-Lidhjes Socialiste në komunën e Drenasit, në prani te dy aktivistëve nga Beogradi, të cilët silleshin vërdallë në këtë komunë, në periudhën e ndryshimeve kushtetuese. Këto pohime i dëgjoja nga fundi i sallës, ku në cilësinë e korrespondentit të gazetës “Rilindja” përcillja punimet e takimit. Fjala ishte për dy vëllezërit të cilët i njihja kaherë e ndaj të cilëve villej vrer në atë takim nga militantë të ish- LKJ-së, të cilët garonin se cili ishte më pro jugosllav se tjetri, para aktivistëve serbë.

Jo rastësisht e nisa këtë shkrim me këtë citim, që përkon edhe me pohimin e autorit në librin “Burg pas burgu”, ku mes tjerash, thotë se pjesa dërmuese e hetuesve dhe e torturuesve ishin shqiptarë , pjesë e sigurimeve të Kosovës, apo të Maqedonisë, të cilët mbi trupin e të burgosurve politikë shqiptarë bënin gara se cili ishte ma pro jugosllav se tjetri, sidomos kur në këto seanca ndëshkuese merrnin pjesë edhe inspektorët serbë.

Dy detyra

“Burg pas burgu”, është libri me kujtime i autorit, tash të ndjerë, Gani Sylaj, i cili para se të ndahej nga kjo botë e kishte lënë në dorëshkrim këtë libër i cili e pa dritën disa muaj pas vdekjes së tij.

Tashmë është e ditur se autori, kohë më parë, publikoi edhe librin me kujtime “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, në të cilën përshkruan fazat e para të kyçës së tij në veprimtarinë ilegale, bashkimin me “Lëvizjen Kombëtare për Bashkim” e cila më pastaj do të shndërrohet në “Grupet Marksiste Leniniste të Kosovës” dhe një varg veprimtarish të organizuara nga veprimtarë të këtyre grupeve.

Nëse në librin e parë, autori do të flas për kyçje në ilegale, dhe veprimtarinë e zhvilluar, në librin e dytë, që është vazhdim i kujtimeve nga jeta e tij në burg, do të përqendrohet në periudhën që kaloi brenda grilave, duke e përshkruar në mënyrë tejet të sinqertë realitetin e ri me të cilin është përballur. Ganiu, ashtu siç ishte i sinqertë në jetë, këtë sinqeritet e bartë edhe në këtë libër, duke përshkruar në mënyrë reale dhe pa ngjyra emocionale të vërtetën, që nga dita kur u prangos në Prishtinë, u soll në shtëpinë e tij të lindjes në fshatin Kizharekë, me pranga në duar, duke mos i lënë anash qelitë e tmerrshme, torturat dhe përballje me hetuesit gjatë ditëve e netëve të gjata pa gjumë.

Që në nismë të librit, “Burg pas burgu”, autori tregon se me rastin e prangosjes, i kishte parashtruar vetës dy detyra: E para, të mos nxirrte asnjë fjalë nga goja, që do t’i rrezikonte shokët e ilegales dhe veprimtarinë e nisur, dhe e dyta të realizojë synimin jetësor, që nëpërmjet paraqitjes së tij dinjitoze para gjyqit ta shpaloste të vërtetën për pozitën e popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi, copëtimin e tokave shqiptare, nëpërkëmbjen e shqiptarëve dhe nevojën për çlirim, në mënyrë që kjo aspiratë shekullore të internacionalizohej sa më shumë që ishte e mundur.

Nga leximi i librit, del qartë se këtyre synimeve, gjatë qëndrimit në burg, autori iu kishte përmbajtur me sukses, duke mos nxjerrë asnjë emër, gjatë procesit të gjatë të hetuesisë dhe torturave të panumërta, por edhe duke u mbrojtur para gjykatave në stilin e personaliteteve tona të mëdha: Fazli Grajcevci, Avni Rrustemi, Metush Krasniqi, Shaban Shalës, Rexhep Malës,,… e të tjerë. Duke prezantuar të vërtetën për shqiptarët nën ish-Jugosllavi dhe nevojën për kryengritje, Ganiu, në një mënyrë do ta nxjerrë në sipërfaqe edhe synimin e ilegales për çlirimin e viseve shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin me Shqipërinë, duke dhënë shenja se pas një synimi të tillë ishte një popull i tërë i cili në asnjë mënyrë nuk po pajtohej me shtypjen dhe robërinë serbo-jugosllave.

Sikur në librin e parë “Ilegal viteve shtatëdhjetë” dhe në të dytin “Burg pas Burgu”, strategji e punës dhe e veprimtarisë, ose më mirë të thuhet objektiv i ilegales ishte çlirimi i viseve shqiptare dhe bashkimi me Shqipërinë, si karakteristikë e veçantë, e jo internacializmi proletar, që ishte karakteristikë, apo ideologji e GML-ve të botës. Pra, këtu ekziston dallimi qenësor ndërmjet ilegales shqiptare në ish-Jugosllavi, me grupet marksiste leniniste të botës. Por, një gjë duhet theksuar, se autori për asnjë çast nuk e fsheh të vërtetën, lidhjen e kësaj ilegaleje me Shqipërinë dhe politikën shqiptare të kohës, sepse aty mbështetej shpresa për ndihmë dhe përkrahje për çlirimin e viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Pos kësaj, rrëfimi real i autorit në librin “Burg pas burgu”, merr kuptim real, atëherë kur pa hezituar përmend emrat e hetuesve e gjyqtarëve duke filluar nga Faik Nura, Ajet Istogu,(gjyqtarin Shaqir Behrami,që ia shqiptoi denimin fillestar me dy muaj burg), Hasan Mehmetin, Bashkim Kursanin, (Adem Vukelin, që e spiunonte në dhomë),…që të gjithë shqiptarë të cilët torturonin të burgosurit, gjë që nuk ndodhë shpesh me autorë tjerë të cilët veç kanë publikuar kujtimet e tyre nga jeta nëpër burgje, e të cilët për shkaqe modestie apo të ndonjë arsyeje tjetër nuk merren me emrat, duke krijuar në këtë mënyrë dilema për lexuesin.

Autori, siç shihet në libër, në shpirt kishte kultivuar një urrejtje ndaj pushtuesve dhe veglave të tyre, ndaj edhe udhëheqjen e kohës të periudhës së autonomisë e kualifikon antikombëtare, duke filluar nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Veli Deva, Mehmet Maliqi, Mahmut Bakalli,…

Fadil Hoxha, pas luftës, u varros në Gjakovë me ceremoni ushtarake. Me një fjalë ky pohim i autorit i kundërvihet ceremonisë së këtij varrimi ushtarak, dhe nënkupton faktin se Ganiu për individë, sisteme e ngjarje e kishte mendimin e tij personal.

Pas përfundimit të hetuesisë e fazave të torturave çnjerëzore, Ganiu gjykohet në burgun e Shkupit, sepse atje bashkë me të u gjykuan edhe Muharrem Shaljani dhe Haxhi Maliqi, shqiptarë nga fshatrat e Kumanovës së Maqedonisë, me synimin se Ganiu kishte punuar në treshe me këta të burgosur, por edhe për faktin se ndjekjen dhe zbulimin e tyre e kishte bërë Sigurimi Shtetëror i Maqedonisë. Sado që autori këmbëngul se sigurimi nuk kishte të dhëna se ata ishin një treshe ilegale, ata si të tillë u gjykuan dhe u dënuan.

Ganiu, nga përshkrimi që i bën procesit me paraqitjen e tij, lë përshtypjen se terë potencialin e tij intelektual e krijues e kishte koncentruar në mbrojtjen e të vërtetës së shqiptarëve nën ish- Jugosllavi, pa llogaritur se kjo paraqitje do t’i kushtonte me 6 vite burg të rëndë. Nuk do mend se gjatë gjithë përshkrimit, jo vetëm të procesit por edhe të burgut do t’i kushtojë kujdes shokëve dhe familjes së tij e sidomos nënës e cila ishte krenare me qëndresën e tij në burg.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor në Shkup, Ganiu fare nuk brengosej për vitet e burgut, pasi kishte arritur ta zbrazë gjithë atë ngarkesë që e kishte në shpirtin e tij, para organeve pushtuese për pozitën e shqiptarëve nën ish- Jugosllavi dhe ishte ndjerë krenar kur nga një shok burgu, Hasan Bekteshi, nga Kërçova, kishte mësuar për jehonën që kishte pasur në publik procesi treditor gjyqësor në Shkup, ku kishte shpërthyer e vërteta për shqiptarët në ish-Jugosllavi, pa e përjashtuar këtu edhe atë për shqiptarët në Maqedoni. Kur i merr vesh këto, Ganiut sikur i lehtësohet një barrë nga shpina.

Si u priten demonstratat e viti 1981 nga të burgosurit në Shkup?

Një gëzim të pa përshkuar autori do ta ndjente edhe në periudhën e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, të cilat e gjejnë në burgun e Shkupit. Ato ngjarje, autori i konsideronte si fillim i kurorëzimit të përpjekjeve të shqiptarëve për liri, por edhe të Lëvizjes Kombëtare për Bashkim. Atë gëzim do ta ndante me shokët e idealit: Muharrem Shaljanin, Abedin Hysenin, Hasan Bekteshin, Haxhi Maliqin dhe Avni Elmazin me të cilët shoqërohej me rastin e transferimittë tij në burgun e Idrizovës. Por, këtë gëzim të tij do ta fashite informata që mori gjatë qëndrimit në burgun e Idrizovës, për vrasjet e vëllezërve Jusuf, Bardhosh dhe Kadri Zeka. Me këtë të fundit, Kadriun, ishte i organizuar dhe kishte kryer shumë veprimtari përderisa ai nuk kishte migruar. Por, vrasjen e këtyre tre patriotëve e konsideronte si goditje që UDB-ja i kishte bërë kokës së Lëvizjes.

Po kështu, Ganiu e kishte përjetuar rëndë edhe vrasjen e Naser Hajrizit, në demonstratën e vitin 1981, njërit prej anëtarëve të organizimit ilegal të cilin e përshkruan me epitetet më të mira të një atdhetari. Pas kësaj vrasjeje dhe pas shumë informatave për vrasje dhe burgosje gjatë demonstratave në Kosovës, tashmë e kishte të qartë se shumë nga anëtarët e ilegales gjendeshin prapa grilave dhe pikërisht për këtë priste nga çasti në çast që serish të rigjykohej. Dhe siç kishte paramenduar, ashtu edhe doli.

Në muajin shkurt të vitit 1982, Ganiun e transferojnë në burgun e Prishtinës. Atje merr vesh se nën pranga ishin edhe Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Azem Syla, Jakup Krasniqi, që të gjithë pjesëtarë të organizmit ilegal. Ganiu, pas kthimit në burgun e Prishtinës dhe daljes para gjykatësit Metush Sadiku, e më pastaj edhe para hetuesve, ishte i bindur se vitet e burgut do t’i shtoheshin, por kjo nuk e shqetësonte fare. Ai, gjatë procesit të serishëm të hetimeve kishte mësuar se një pjesë e veprimtarisë së tyre gjendej në duart e hetuesve, por kishte edhe pjesë të veprimtarisë dhe individë të cilët nuk ishin zbuluar dhe kjo e gëzonte pa masë.

Në burgun e Prishtinës, Ganiu serish do të përjetojë tortura çnjerëzore nga hetuesit, për faktin se ai nuk nxirrte fjalë nga goja. Në këtë torturë ishin të përfshirë hetuesit shqiptarë: Bashkim Kursani, Ibush Kllokoqi, Xhavit Kuçi dhe Ajet Istogu. Madje siç thotë edhe vet, Bashkim Kursani, gjatë asaj torture ia kishte thyer edhe një dhëmb. Në këtë atmosferë dhune dhe rrahjeje deri në alivanosje, Ganiu, kishte ngritur dorë ndaj hetuesve të cilëve njëkohësisht iu kishte thënë: “ …kriminelë,…xhelatë të ndyrë dhe kishte brohoritur parullën “Kosova Republikë”.

Për dallim nga paraqitja e tij në Gjykatën e Shkupit, Ganiu dhe të tjerët pothuaj se mbetën peng të kërkesës, që bëri njëri nga të burgosurit Xhevdet Syla, i cili para gjykatës kërkoi nga shokët që po gjykoheshin të mos flisnin pa e sjellë Hydajet Hysenin në atë seancë, për fatin e të cilit nuk dinin gjë shokët e ilegales. Sipas përshkrimit, që bën autori vendimet për dënime prej 4 deri në 15 vite veç ishin paraparë kaherë, kurse seanca gjyqësore në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë ishte mbajtur sa për formalitet. Pothuaj disa sekonda pas shqiptimit te dënimeve, u dha lajmi nga të pranishmit se Mehmetit i kishte lindur një djalë.

Demonstratat e vitit 1981 kishin pasur efekt te madh te të burgosurit. Falë këtij efekti, Ganiu në gjykatore kishte brohoritur parullën “Kosova Republikë”.

Këtë seancë kishte kryesuar gjyqtari Isak Nishevci, me prokuror Njazi Burgideven. Seancen e kishte përcjellë gazetari i “Rilindjes”, Rrustem Rugova, të cilin autori e kishte quajtur gazetar të pushtetit, edhe pse besoj se nuk do ta ketë ditur se ishte njëri prej gazetarëve, ndoshta të vetëm të “Rilindjes”, që mbante revole me leje.

Autori përshkrimin e sinqertë në libër do ta vazhdojë edhe për qëndrimet në burgjet e Mitrovicës e të Somborit, por edhe kundërshtimin për t’i mbajtur duart mbrapa, gjatë periudhës së shëtisë nëpër oborrin e burgut. Me këtë u pa se të burgosurit shqiptarë ishin mjaft të organizuar dhe të vendosur kur merrnin ndonjë vendim.

Në burgun e Somborit Ganiu flet me simpati për të burgosurit Faik Fazliun nga Prekazi, Sabit Gashin, Petrit Durakun, Ramadan Hazirin, Tahir Gecin, por edhe për një solidarizim te të burgosurve tjerë me të burgosurit shqiptarë.

I arrestuar, në vitin 1999, Ganiu lirohet nga burgu, më 2 prill 1990, plot pas 11 vitesh burg

botues Ndërmarrja Botuese “Buzuku”, Prishtinë 2019

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …