Qirez Likoshan

Zeqir Bekolli: Likoshani dhe Qirezi shënojnë fillimin e luftës në Kosovë

Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, përkatësisht, më 28 dhe 1 mars 1998, në Likoshan dhe në Qirez të Drenicës, ndodhi njëra prej betejave të përgjakshme, që u shoqërua me përballje luftarake ndërmjet njësiteve të UÇK-së dhe policisë e ushtrisë serbe. Ato ditë u vranë 24 banorë të Likoshanit-Qirezit dhe një nga fshati Gradicë i komunës së Drenasit, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë dhe një grua shtatzënë.- Ushtria e policia serbe gjatë ushtrimit të krimit mbi popullsinë civile, përdoren mjetet të blinduara dhe helikopterë. Likoshani dhe Qirezi, fshatra të komunave Drenas, përkatësisht Skënderaj, të shtunën dhe të dielën, më 28 shkurt dhe 1 mars 1998, deri në orën 15 përjetuan një terror 26 orësh, i cili u shoqërua me krim të policisë dhe ushtrisë serbe . Lagjet e Gjelajve (Likoshan) dhe ajo e Prekazve të Qirezit, befas u gjetën nën terrorin shtetëror serb dhe përjetuan masakren, që serbët bënë mbi popullatën e asaj ane. Banorët e këtyre fshatrave, ato ditë u qëlluan pandërprerë nga armët automatike, të mjeteve të blinduara dhe të artilerisë kundërajrore.

Të shtunën, në ora 11 e 40 minuta, në fshatin Likoshan, një veturë e markës “Niva” e stacionit të policisë serbe të Drenasit, është ndeshur më një patrullë të UÇK-së, te Lisat Binjakë. Me këtë rast vetura e policisë serbe nuk ka lëvizur nga vendi. Të vrarë në vend kanë mbetur disa policë serbë. Mirëpo, pas dhjetë minutave, patën thënë dëshmitarët,veturës i ka ardhur në ndihmë një veturë e policisë , një picgauer dhe një helikopter i cili ka shtënë mbi fshatrat Likoshan e Qirez. Në ndërkohë, nga drejtimi i aeroportit të Prishtinës, duke fluturuar fare ulët mbi shtëpitë e fshatit Dobrashefc, ka ardhur edhe helikopteri tjetër i cili, më pastaj ka shtënë mbi shtëpitë e lagjes Gjelaj dhe të Prekazve të Qirezit. Këto të shtëna, patën thënë dëshmitarët, patën zgjatur deri në orën 23.15 minuta të ditës së shtune. Ndërkaq, helikopteri i tretë mbi këtë lagje është sjellur duke shtënë gjatë tërë kohes dhe bashkë me dy helikopterë tjerë janë larguar dhjetë minuta para ores 18. Shtetrrethimi i fshatrave nga policia dhe ushtria serbe ndodhi edhe ditën e dytë, më 1 mars 1998, deri në orën 15,15 minuta. Meqenëse, në cilësinë e gazetarit, ndodhesha fare afër rrethit, me të larguar forcat serbe, hyra në fshat,në Likoshan. Në oborrin e familjes Muhamet Gjelaj, takova të birin Kadriun, i cili vetëm pak minuta më parë kishte hyrë në oborrin e tij. Ai na njoftoi për vrasjen e babait të tij Muhametit (67) dhe vëllait Naserit (37),por trupat e tyre nuk i gjetëm në vendin e ngjarjes.Në lagjen Ahmeti, Xhevdeti, erdhi ndërkohë, na njoftoi se në familjen e tij ishin arrestuar 14 anëtarë, në mesin e të cilëve edhe një mysafir nga Gradica. Ahmeti (1948), Ganiu(1952),Elmiu (1954),Hamza(1954),Dritoni (1975),Naimi (1976),Lumniu (1978), Shemsiu (1979), Basriu (1979) dhe Elhemja (1982) dhe Berham Fazliu nga Gradica ishin mbytur me torturë fare afër trollit të Ahmetajve.Për vrasjen e tyre u mor vesh vetëm ditën e varrimit të 24 të vrarëve, më 3 mars 1998.

Me rastin e tërheqjes nga vendi i krimit policia dhe ushtria serbe, me vete kishte marrë 16 të vrarë të cilët i kishte dërguar në morgun e Prishtinës.  Një pamje tragjike pashë në shtëpinë e Sheremet Sejdiut. Beqiri, Nazmiu, Bedriu dhe Bekimi, katër vëllezërit Sejdiu u vranë nga kriminelët serbë. Bedriu e Nazmiu, pos që ishin binjakë, Bedriu posa kish diplomuar, kurse Nazmiu ishte apsolvent. Në shtëpinë e Brahim A. Rexhepit, i pashë të trupat e Beqir e Rexhep Rexhepin, që të dy pjesëtarë të UÇK-së, të cilët u vranë në përleshje me forcat serbe. Ndërkaq, në familjen Nebihu, i gjeta të varë , Rukije Nebihun, shtatzënë dhe nënë e tre fëmijëve dhe Xhemshir Nebihun. Trupi i të ndjerës, Rukije kishte një pamje aq të dhimshme, sa vetëm një njeri me një qëndrim të fortë mund ta përballonte. Koka e saj ishte deformuar plotësisht nga plumbat.

Fotografitë me pamje të llahtarshme, pas orës 21 të datës 1 mars 1998 ia dorëzova ndërmjetësit amerikan Gelbard i cili atë natë ndodhej në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili u trondit nga pamjet që i pa.

Të rënëve dhe të vrarëve, më 3 mars 1998 iu organizua një ceremoni varrimi shumë madhështore, në të cilën morën pjesë afro gjysmë milioni njerëz nga tërë hapësirat shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …