MIT
mbpzhr 2018
kek
Airport Adem Jashari
Fillimi / Kultura / Zeqir Bekolli: Poezia fuqi e pasionit të saj shpirtëror
Zeqir Bekolli: YMER ALUSHANI-LUANI I GRYKËS SË LLAPUSHNIKUT

Zeqir Bekolli: Poezia fuqi e pasionit të saj shpirtëror

(Zade Kuqi,”Trëndafili i pasionit”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Pjetër Bogdani”,  Prishtinë, 2017)

Poetja Zade Kuqi, që “shpërtheu” me përmbledhjet e saj, me titujt: Amaneti piu detin”, “Pa mua, botë, mos u fundos” dhe “Buzëqeshja” e përgjakur” ( 2016), Fluturimi i jaseminët”, dhe “No pasaran” (2017) , këtë herë doli me përmbledhjen tjetër “Trëndafili i pasionit”, për të shtuar kështu opusin e  saj krijues me përmbledhjen e gjashtë, që përbëhet nga 4 kapituj me afro 200 poezi. Kjo përmbledhje, kaq voluminoze, hyn në vargun e përmbledhjeve dhe të stilit të saj krijues të skalitur gjatë jetës së saj, dhe përbën një vlerë të çmuar për krijimtarinë e letërsisë sonë bashkëkohore. Stili dhe mënyra e qasjes së saj ndaj ambientit, shoqërisë, fenomeneve që e rrethojnë, e të cilat janë të pranishme edhe në këtë përmbledhje, Zaden e bëjnë një poete të përkushtuar për artin e bukur-poezinë, por edhe e radhisin në mesin e poetëve e poeteve më të suksesshme të kësaj periudhe në Kosovë.

Trëndafili figurë përkëdhelëse

Është karakteristike, se në secilën nga përmbledhjet e saja, Zadja nxjerr nga një poezi që përbën një “kryevepër” të përmbledhjes. Nëse te përmbledhja “Amaneti piu detin” e kujtojmë një të tillë të emërtuar “Shqiptarja”, te përmbledhja “Trëndafili i pasionit”, epitetin e poezisë më të mirë e përbën poezia “Këngë gege”, e cila pos simbolikës dhe krahasimeve dëshmon për fuqinë krijuese të poetes për t’ju kënduar edhe segmenteve tona kombëtare duke e nxjerrë në shesh fuqinë e tyre qoftë ajo edhe shpirtërore.

Fjalën Trëndafil, pos në titullin e përmbledhjes e hasim kudo edhe nëpër vargjet e kësaj përmbledhjeje. Trëndafili, është një shkurre zbukuruese, me gjemba dhe me lule të mëdha , me erë të këndshme e me ngjyra të ndryshme. Por, në këtë përmbledhje e hasim si figurë përkëdhelëse poetike, që në rastin konkret mund të jetë një djalë ose burrë, që ka bukuri dhe njomësi prej luleje të cilin e mban të fshehur, apo mund të thuhet se është pjellë e ndjenjave apo imagjinatës së saj. Ndaj, gjatë leximit të poezive të kësaj përmbledhjeje, fjala Trëndafil, fshihet edhe pas pasionit, përkushtimit të poetes për vargun dhe personazhin e saj, që endet nëpër botën e saj shpirtërore dhe vazhdon të mbetet atje pa u shpërfaqur, sepse ajo vazhdon ta mbajë atë për vete edhe atëherë “kur helmi i shpirtit,…” e ngrinë, kur e do të jetë pjesë e jetës, e qytetit të saj, por edhe e netëve kur nuk ka gjumë. Me një fjalë Trëndafili është edhe hija e saj, që e përcjellë kudo dhe e ngulitur thellë, shumë thellë në zemrën e saj. Këtë “personazh” të poezisë së saj e hasim më shpesh në ciklet me poezi të kësaj përmbledhjeje Trëndafili I dhe II.

Për Kuqin s’ka tabu tema

Ajo që e dallon këtë përmbledhje nga përmbledhjet tjera është përkushtimi i poetes për t’u marrë, krahas probleme shoqërore edhe me ato erotike. Çështja e seksit, si pjesë e erotikës, tashmë për poeten nuk është tabu temë. Ajo me një guxim deri tash të paparë, e lexuar ndër poetet tona, flet hapur për këtë temë duke e nxjerrë në sipërfaqe me të gjitha elementet e saja. Këtë e dëshmon më së miri poezia “Baladë e lirë”, ku pa kurrfarë kompleksesh, që në vargjet e para thotë:” Ma puth …, që ta di ç’ është fjala, që ta mësoj këngën, himnin e botës”. Këtu, më mirë se kudo në poezitë e kësaj përmbledhjeje vërehet qartë një dëshirë e dashuri e zjarrtë, që përshkohet nga një vrull i brendshëm, për të ç ‘mistifikuar e ç ’maskuar  figurën e femrës  edhe para shtypjes shoqërore të saj. Zadja, me këtë rast pas një trajtimi, që i bën këtij veprimi, që është njerëzor, nxjerr në shesh individualitetin e saj krijues me gatishmërinë për t’i përmbysur gjërat, në stilin e saj.

Ajo krahas përkushtimeve të fenomeneve shoqërore dhe risive që sjellë në këtë përmbledhje preokupohet edhe me artin dhe bukuritë e saj. Te poezia “Mona Liza, e panjohura mike”, Kuqi përshkruan takimin e parë me portretin e Mona Lizës, fuqinë e saj magjepse për të rrëmbyer njerëzit, edhe atë personalisht , me pamjen e saj, që piktori e derdhi në pëlhurë. Mona Lizën, poetja nuk e ka njohur si njeri, por ka mësuar shumë nëpërmjet portretit të saj, që u bë shkas për të shfletuar literaturën për ta ditur të vërtetën, që shpjegohet në shumë variante, duke e përmbyllur me vargjet: “Ah, tash e kupton sigurisht pse më je e panjohura mike imja e shpirtit”.

Kuqi do të preokupohet edhe me realitetin që na rrethon, te poezia “Heshtja nuk ka emër”, ku sipas saj ngiten “kurthe të pafund”, në qytetin ku “…zien si një kazan ushtarak i mjerimit”. Qytetin e  saj ajo e sheh si vend të “…njëqind e një vjedhjeve të gjakrave të tretura dhe të harruara”. Me një fjalë, ajo pos që nuk pajtohet, ngre revoltën e  saj kundër ndodhive të pamira që hasim çdo ditë, përballë sakrificave që bëri populli ynë, qyteti i të cilit “…ngjanë sonte me rrugë të zhdukura të Kabulit”,…” në një korb me kthetrat ngulur prore dikund….”. Është i dukshëm aludimi i saj, por edhe përpjekja për një jetë të re, në rrethana krejtësisht të reja pa ankth e dojë. Ajo dëshmon se e do vendin e saj, por jo kështu siç është, sepse për të u derdh shumë gjak. Këtë do ta ilustrojë shumë mirë te poezia Heronjtë, ku personazhin e kësaj poezie Edmond Hoxhën, i rënë në vitin 1997 e konsideron si një Trëndafil që “…qëndroi tri net i pa mbuluar…”, për “… një liri që po vononte shumë të vinte,…”. Ajo do ta përshkruan edhe rënien e 22 vjeçarit, Elton Zherka, në fshatin e Edmond Hoxhës, pa harruar të pyes: “por, shekulli i ri, si ai pararendës, si mund të mos e kthej kokën fare,…”?

Përmbledhja ka poezi me bollëk, të përshkuara me simbolika, krahasime e metafora, që secilit lexues, pa mëdyshje, do t’i lënë mbresa me rastin e leximit të vëmendshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Eriola Azizolli: Drama klasike japoneze, Noh magjeps publikun në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodokse

Eriola Azizolli: Drama klasike japoneze, Noh magjeps publikun në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodokse

“Manteli me pupla” dhe  “Merimanga e tokës”  ishin dy pjesët e interpretuara mbrëmjen e së ...