Zeqirja Neziri: Ndihmesa me rëndësi për eposin heroik legjendar shqiptar

Zeqirja Neziri: Ndihmesa me rëndësi për eposin heroik legjendar shqiptar

(Zymer Ujkan Neziri, Studime për folklorin, III: Ndihmesa për Eposin e Kreshnikëve, Prishtinë, 2018) 

Personalitet i çmuar i epikologjisë shqiptare

Zymer Ujkan Neziri i përket brezit të tretë të mbledhësve, botuesve e të studiuesve të Eposit Heroik Shqiptar. Në këtë fushë studimesh e kemi të pranishëm që prej katër deceniesh. Ai me vite e dekada punoi pa ngurrim, duke mos kursyer sakrificat familjare në emër të mbledhjes dhe koleksionimit të saj. Prej fillimit të veprimtarisë akademike, varësisht prej rrethanave politike të Kosovës, nga viti 1971 ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Folklorit. Vëllimi i tretë, Studime për folklorin, III, Ndihmesa për Eposin e Kreshnikëve, me kënaqësi do të pritet nga lexuesit e studiuesit. Këtij vëllimi studimesh i paraprijnë dy vëllime të tjera: i pari (2006) dhe i dyti (2008), si dhe studimi monografik në fushën e studimit të figuracionit lirik, Poetika e krahasimit (2004), të botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Fushë e ngushtë dhe specialistike e studimeve të tij është këndimi epik shqiptar. Me të është marrë në vijimësi, që nga fillimet e karrierës së tij akademike. Ka bërë kërkime në gjithë truallin etnik shqiptar: Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi, si dhe në Maqedoni e në trojet shqiptare të mbetura nën Serbi. Me fondin e mbledhur: 2 herë (1979-1988 dhe 2012-2017) me nga 15 vëllime ose mbi 200 mijë vargje konsiderohet midis mbledhësve më të suksesshëm të Eposit Heroik Shqiptar.

Libri më i ri i studimeve të tij kap një hapësirë prej mbi 400 faqesh, ku përmblidhen 12 studime dhe tre referime me temë të përbashkët folklorin shqiptar. Shoqërohet me treguesin e emrave të njerëzve e personazheve, vendeve, si dhe treguesin e figurave mitike dhe fotodokumente. Krahas titullit në shqip është dhënë përkthimi i tij në anglisht. Nëntë studimet e para shoqërohen me shkurtore dhe me rezyme në anglisht. Në fund të çdo studimi jepet bibliografia përkatëse profesionale. Ndahet në dy pjesë: Ndihmesa për Eposin e Kreshnikëve është pjesa e parë dhe Ndihmesa për epikën historike dhe për folkloristikën është pjesa e dytë.

 

Sheshtimi vigjilent i prurjeve studimore

 

Në pjesën e parë janë përfshirë nëntë studime, që u kushtohen personaliteteve të ndryshme (vendas e të huaj), që janë marrë me mbledhjen dhe botimin e Eposit Heroik Shqiptar dhe dy punime u kushtohen çështjeve të veçanta të tij.

Studimeve të këtij sythi i prin punimi “Studiuesit e huaj për Eposin e Kreshnikëve: Vuk Karaxhiq”. Në të përflitet ndihmesa e Vuk Karaxhiqit dhënë afirmimit, në aspektin historik të këngës epike shqiptare, por edhe dëmit që Vuku i ka sjellë folkloristikës shqiptare me pikëpamjet e tij të shtrembëruara. Marrja e Zymerit me këtë çështje synon të ndriçojë tre aspekte që lidhen: (a) me këngët epike fragmentare; (b) me subjektet joshqiptare prej të cilëve është herrur lënda; dhe (c) dëmin që Vuk Karaxhiqi i ka sjellë epikës shqiptare, gati për dy shekuj në vijim. Ky punim njëherazi dëshmon kohën e lindjes së kësaj pikëpamjeje që i mohonte shqiptarëve pavarësinë e krijimit të Eposin Heroik Shqiptar, e që lidhet me vitin 1830.

Studimi i dytë me titull “Ndihmesa e Nikollë Ivanajt për mbledhjen dhe për botimin e Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Trieshit të Malësisë së Madhe” i kushtohet rëndësisë së madhe historike të veprimtarisë së këtij mbledhësi të kësaj tradite shumë të pasur kombëtare shqiptare. Janë analizuar 11 këngë në dorëshkrim (2.000 vargje) të Nikollë Ivanajt. Theksi kryesor vihet në metodologjinë e punës. Në sheshtimin e lëndës së kontributit të Ivanajt në folkoristikën shqiptare, Zymeri ka shfrytëzuar edhe materialet e arkivuara, përkatësisht dorëshkrimet e Ivanajt që ruhen në Tiranë, në Arkivin e IAKSA.

 

Mbledhës, afirmues dhe studiues shembullor i këngës epike shqiptare

 

Studimi i tretë “Ndihmesa e Allbert Llordit (Albert Lord) për mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve: këngëtarë nga Shqipëria e Veriut është më i madhi dhe shkencërisht më i ploti. Albert Lordi i përket brezit të dytë të mbledhësve të njohur të Eposit Heroik Shqiptar ndërmjet dy luftërave botërore. Veprimtarinë e tij Zymeri e ka konsultuar në Arkivin e Universitetit të Harvardit. Punimi është shterues dhe mëton të japë ndihmesë në ndriçimin e dy çështjeve të rëndësishme të punës së Lordit: klasifikimin e lahutarëve dhe metodologjinë e punës me ta.

Në njësinë e parë të klasifikimit të lahutarëve vlerësohet puna prijatare e Lordit në klasifikimin e lahutarëve sipas: rajoneve etnogjeografike, mënyrës së përdorimit të instrumenteve, besimit fetar dhe moshës; si dhe të tipologjisë së repertorit të tyre sipas: madhësisë, llojeve të këngëve dhe  punës me bashkëpunëtorët e tij në terren.

Me këtë vëmendje të madhe që i kushtohet këtij studiuesi amerikan arsyetohet rëndësia e madhe dhe vendi i çmuar që duhet ta ketë ky mbledhës e studiues amerikan i këngëve të Eposit Heroik Shqiptar.

 

Punë me përmasa të mëdha në mbledhjen e Eposit të kreshnikëve

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, krahas Zihni Sakos e Qemal Haxhihasanit, në Tiranë edhe në Prishtinë në mbledhjen e këngëve të Eposit Heroik Shqiptar u bë një punë e përmasave të mëdha. Midis mbledhësve të brezit të parë të kësaj tradite ndër shqiptarët e Kosovës dhe të atyre që kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar dallohen Zekeria Rexha e Anton Çetta.

Studimi me titull “Ndihmesa e Zekerija Rexhës për poezinë tonë epike gojore” i kushtohet ndihmesës së çmuar të këtij studiuesi në mbledhjen e këngëve epike shqiptare në Kosovë. Vëmendja studimore përqendrohet në vlerësimin e metodologjisë së mbledhjes, sistemimit e përzgjedhjes së lëndës folklorike. Librin e tij Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë (të vitit 1951) e konsideron si modelin më të mirë, për kohën të përfaqësimit të folklorit, sidomos të epikës gojore shqiptare.

Studimi “Ndihmesa e Anton Çettës për mbledhjen dhe për botimin e Eposit të Kreshnikëve merret me vlerësimin e punës së palodhshme kërkimore në terren të Anton Çettës në fushën e mbledhjes së folklorit shqiptar. Analizohet veprimtaria e gjatë dhe e palodhshme e këtij personaliteti të shquar të etnokulturës e folkloristikës në vendin e punës, në IAP dhe veprimtarinë politike e shoqërore të Kosovës. Një vlerësim më vete i bëhet punës së Anton Çettës në mbledhjen, përzgjedhjen dhe botimin e folklorit shqiptar. Këtë veprimtari të Anton Çettës e kufizon vetëm në fushën e këndimit epik duke e ndarë në dy faza: të mbledhjes e të depozitimit të lëndës në Arkivin e IAP-së (1954-1975); dhe të përzgjedhjes e të botimit të saj (1975-1995).

Pasojnë dy studime kushtuar ndihmesës së dy personaliteteve të rëndësishme, Demush Shalës e Nimon Alimusajt, të cilët i përkasin brezit të dytë të mbledhësve, botuesve e studiuesve të epikës shqiptare të Kosovës. Në punimin “Ndihmesa e Demush Shalës për studimin e Eposit të Kreshnikëve flitet mbi personalitetin e Demush Shalës si mbledhës, botues dhe studiues i pasionuar i folklorit shqiptar. Aty rrihen edhe çështje të Eposit Heroik Shqiptar, që prej tij kanë qenë objekt debatimi, si në libra, ashtu edhe në studime të veçanta. Një vëmendje e veçantë i kushtohet studimeve të Shalës në rrafshin krahasues shqiptar-sllav të epikës shqiptare.

Punimi “Ndihmesa e Nimon Alimusajt për mbledhjen dhe për botimin e Eposit të Kreshnikëve në Rrafshin e Dukagjinit ndriçon veprimtarinë e këtij mbledhësi duke nënvizuar se “falë punës së tij u bënë të pavdekshëm lahutarët e anës së sipërme të Rrafshit të Dukagjinit”. Vëllimin “Nga lahuta e Dukagjinit, këngë kreshnike dhe balada” të Alimusajt e konsideron të një rëndësie të veçantë.

 

Libër që plotëson një zbrazëtirë të ndjeshme në studimet epikologjike shqiptare

 

Vlerësimi i ndihmesës së mbledhësve, botuesve e studiuesve të mësipërm mbyllet me bashkëngjitjen e dy studimeve, të cilat ngushtësisht lidhen me çështje të ndryshme të Eposit Heroik Shqiptar. Në studimin “Mërgimi në eposin heroik legjendar shqiptar dhe martesa e kreshnikut me vajzën e bukur të kralit” analizon pesë këngë, që mbërthejnë temën dhe motivet e largimit të heroit nga Krahina dhe martesën e tij në trojet armike. Personazh kryesor dhe bartës i veprimit është Sokol Halili. Këngët janë nga anë të ndryshme të trojeve etnike. Në këtë udhëtim të motivit të këngës autori duke analizuar mënyrën e shtegtimit të këngës nëpër krahina arrin në pikën kulminante: gjetjen e paraformës (arketipit).

Studimi i fundit i këtij sythi të librit sjell konstatimet e Zymer Ujkan Nezirit rreth punës së bërë në projektin ”Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi (Malësia e Madhe, me qendër në Tuz, dhe Kraja), Maqedoni (Maqedonia Perëndimore), Serbi (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i realizuar me sukses në vitet 2012-2014-2016. Ai, si bartës i tij, me shifra të sakta flet mbi sasinë (103 mijë vargje) e materialit të mbledhur folklorik të këtij projekti të renditur në 15 vëllime; mandej, sasinë  (mbi 5 mijë minuta me rreth 65 mijë vargje) e pjesës së incizuar me kamerë; si dhe sasinë (16 vëllime) e materialeve të anketave, në rreth pesë mijë faqe. Në vijim, duke përfunduar, Zymeri shton: “Projekti është vlerësuar lart në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Milano, Londër, Harvard (Kembrixh), si shumë i rëndësishëm për etnokulturën shqiptare e botërore dhe është shpallur fitues i çmimit evropian Mendim Special nga Europa Nostra 2016, në Madrid, në kategorinë hulumtim”. Me punën e palodhshme, në këtë projekt Zymeri arrin të dëshmojë se Eposi Heroik Shqiptar, më së paku edhe pas dy mijë vjetësh vazhdon të bëjë jetë të gjallë në mjediset shqiptare, ku e ka pasur dhe e ka gurrën e tij të pashterrshme.

 

Studimi ndërdisiplinor i Eposit Heroik Shqiptar

 

Në pjesën e dytë të librit, Ndihmesa për epikën historike dhe për folkloristikën janë përfshirë tre artikuj studimorë. Në punimin “Roli i eposit heroik shqiptar në krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës” vlerësohet kontributi i Jakup Sahitit në fushën e përkimeve midis letërsisë gojore e të shkruar. Ndërkaq në recensionin “Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë të Blerina Sutës rëndësia e këtij studimi i atribuohet fushës së studimeve krahasimtare të veprës së Gjergj Fishtës përballë romantikëve sllavojugorë.

Studimi “Ndihmesa e Rexhep Qosjes për ngritjen e kuadrove shkencore në fushën e folkloristikës” vlerëson kontributin e akademik Rexhep Qosjes në ngritjen e kuadrove shkencore (magjistratura dhe doktorate) edhe në folkloristikë. Veçohen tri fusha folklorike, në të cilat është faktuar kjo ndihmesë: poezia epike, studimet teorike për figuracionin e stilin në poezinë popullore dhe studimet krahasimtare.

 

Personalitet me formim të thelluar shkencor

 

Vëmendje më e madhe e studiuesit Zymer U. Neziri, në këto studime përqendrohet në punën e studiuesve që kanë pasur lidhje me subjektet krijuese të folklorit. Kjo i ka dhënë përparësi Zymerit në fuqizimin e rolit dhe vendit të rapsodit si krijues, kultivues e bartës i këngës nëpër shekuj. Në aspektin teorik, është për t’u marrë shembull kjo pikëpamje teorike, sepse ndihmon vlerësimi i personalitetit të rapsodit të kalohet nga një autorësi e paemër (anonim) në një individualitet të përcaktuar me emër e mbiemër. Në këtë drejtim Zymeri është ndër të parët që në studimet epikologjike shqiptare promovon personalitetin e rapsodit, krijuesit të letërsisë gojore.

Zymeri është dëshmuar si njohës i regjur i mjeshtërisë së gjurmimit të lëndës folklorike, i regjistrimit, tejshkrimit (transkriptimit) dhe i krahasimit të brendshëm të saj; i vendosjes së saj në sistem referimi ndaj arketipave; i lidhjes së argumentuar të tekstit poetik me kontekstin historik a prehistorik; i përzgjedhjes dhe i renditjes së lëndës. Këto janë vetëm disa nga veçoritë e panumërta të punës së tij shkencore e që janë dëshmi e një përgatitjeje serioze dhe e formimit të thelluar shkencor profesional, që dëshmohet edhe në veprën e tij, Studime për folklorin, III: Ndihmesa për Eposin e Kreshnikëve.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …