Ministria e Mbrojtjes ka raportuar 35 vatra zjarri në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit. Tetë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Në operacione janë angazhuar 533 forca dhe 39 mjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre janë përfshirë edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, katër helikopterë dhe dy avionë Air Tractor. Aktualisht në terren vijojnë të jenë 120 efektivë të FA-së, dy helikopterë dhe dy avionë. Një nga zonat ku vijon ndërhyrja është Dajti, mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku po punojnë 50 efektivë dhe dy helikopterë. Ministria thotë se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Situatë aktive raportohet edhe në Krujë, në Abazë dhe Zidoll, ndërsa në Gurë-Lurë të Dibrës po punohet për të frenuar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara. Në këtë operacion janë angazhuar 50 efektivë të FA-së, dy avionë Air Tractor dhe një autobot uji. Ndërhyrje po vijojnë edhe në Qafë Helmes, Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit, ndërsa në Priskë, Farkë dhe zonat përreth zjarri është vënë nën kontroll. Ndërkohë, zjarret në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh janë shuar plotësisht. Ministria e Mbrojtjes njofton se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme, me fokus mbrojtjen e banorëve dhe banesave dhe izolimin e vatrave ende aktive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
