muqa 900
mbpzhr
vala – old
driloni com
vipa
Fillimi / Intervista / Albert Z. ZHOLI: Flet Artistja e Madhe, Hajrije Rondo: Arti i takon popullit jo individit
Albert Z. Zholi: Flet “Artistja e Madhe”, Hajrije Rondo: Arti i takon popullit jo individit

Albert Z. ZHOLI: Flet Artistja e Madhe, Hajrije Rondo: Arti i takon popullit jo individit

– Komedia  “Tre dhëndurët” më dha Jetë nga Jeta

-Historia do ti dënojë rëndë ata që duan të zhdukin filmat nga ekrani

Komedia  “Tre dhëndurët” vepër e Dionis Bubanit që pati sukses në skenën e teatrit të Metropolit gjatë sezonit artistik, 2016, kishte si kryefjalë aktoren e mirënjohur Hajrije Rondo. Kjo komedi erdhi me regji të Sonila Kapedanit e cila kishte kohë që mendonte për këtë komedi të “fshehur” nga aktivizimi. Ajo që e bëri interesante në sytë e spektatorit ishte ardhja sërish në skenë e aktores së njohur Hajrie Rondo me rolin e Sanijes. Ky në komedinë “Tre dhëndurët” ishte i dyti i Hajrijes brenda harkut kohor  dy vjeçar,  pas rolit që pati në një tjetër shfaqje në skenën e teatrit “Bylis”. Në komedinë e Dionis Bubanit interpretuan: Hajrije Rondo- Sanija, Gëzim Rudi-Mentari, Pjerin Vlashi-Dudumi, Aleksandër Kondi -Xhevahiri, Lindar Kraja-Beniamini, Roerd Toçe-Zenuni, Marget Caushi-Eduardi, Linda Jarani-Flutura si dhe Elona Hyseni-Sanija II.  Dalja në skenë e Hajrijes kur komedia hapi siparin u prit me duartrokitje. Ky rol e bashkoi atë me brezin e ri, por dhe me shokët dhe shoqet që kishte kohë pa i takuar. Këtë rol të dhuruar nga Sonila Kapedani, Hajrija e mirëpriti, pasi ishte brenda të gjithë aftësive dhe karakteristikave të saj të interpretimit. Në këtë bisedë për AFP, Rondo përcjell vizitën e fundit në Greqi mes grave emigrante shqiptare, rëndësinë e filmit shqiptar të sistemit monist, respektin që gëzojnë artistët në popull dhe problemet e teatrit sot.

-Një komedi e bukur, një rol po aq i bukur si erdhi roli tek Hajrija?

Kur isha duke shkruar, një mbrëmje më bie celulari. Përgjigjem dhe  fillova bisedën. Ishte regjisorja Sonila Kapedani. Ajo më sqaroi për projektin e saj dhe çfarë më ofronte mua. Telefonata më tronditi më emocionoi. Me Sonilën kam luajtur tek seriali filmi televiziv “Dhimbja e dashurisë”, unë gjyshja, Sonila nusja. Këtu e kamk njohur për herë të parë Sonilën. Ajo më dha detaje që në fillim për komedinë, duke përcjellë të vërtetën e rolit që ishte brenda karakterit të roleve të mia. Lamë takim dhe të nesërmen shkova dhe bisedova. Ramë dakord. Kur e rilexoja tekstin, pashë që ishte shumë brenda meje, sikur të ishte shkruar enkas. Mund të them se komedia “Tre dhëndurët”  për mua është një komedi e shkëlqyer karakteresh e situatash, të vendosura në një familje shqiptare gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo vlen për të theksuar është puna dhe gërmimi i regjisores për ta nxjerrë këtë komedi nga pluhuri i harresës. E them këtë, pasi kjo komedi është shumë aktuale dhe sot.  Me këtë vepër Dionis Bubani, ka treguar vlerat e tij të veçanta krijuese në gjininë e komedisë dhe e bën atë  një nga komedianët më të vlerësuar në çdo kohë. Ka shumë situata. Për mua kjo vepër erdhi në skenë edhe si një homazh kushtuar autorit të saj. Komedia bën fjalë për një familje avokati të cilët kanë një vajzë. Avokati një burrë që e njeh kohën, zhvillimet dhe mundohet të përshtatet me çdo qeveri. Në çdo pushtet donte ofiqe. Madje ai ka dëshirë që vajzës ti japë një burrë me emër, të pasur, një burrë me pushet. Me pushtetin e momentit. Ai zgjodhi 3 kandidatura dhe sipas kohës, herë vlerëson njërin apo tjetrin, kush ishte më shumë i lidhur më shumë me pushtetin. Gruaja e tij Sanija, ishte një grua tipike shqiptare nga jugu, familjare. Ajo nuk punon por kujdeset për shtëpinë dhe vajzën. Vinte nga një familje e pasur dhe kishte sjellë një pajë të majme, takëme prej floriri. Për çdo gjë që i thoshte burri, thoshte Amin! Ishte shumë e lidhur me xhaminë.  Ajo nuk i kupton gjitha idetë e bashkëshortit për martesën e së bijës. Kështu e bija ngeli pa martuar.

-Duke qenë se bëhej fjalë për një grua jugu ju ishit e tëra brenda rolit?

-Sigurisht. Madje kam fjalë të urta dhe folklor jugor që i kam mësuar përmendsh për gratë e jugut që mundohesha ti fusja në tekst. Më dukeshin me vend. Kjo brenda bisedës me regjisoren.

-Si punove në këtë rol?

Punova si tek gjithë rolet e tjerë por më me dëshirë. Punova me mall me emocion. Doja të mposhtja dhe sëmundjen. Vija e para në prova. Mundohesha të isha korrekte. Vura veten në provë dhe pse isha me kinoterapi. Por lamë një okazion që unë të kisha dublonte nëse nuk do të isha mirë. Ashtu u bë.  Ditët që nuk isha unë provat i bënte dublantja, një vajzë e talentuar nga Fieri, që punonte shumë.  Edhe kur nuk shkoja në prova, unë në shtëpi bëja vetë prova apo riprodhoja pjesën. Isha në garë me veten. Pra përgatitesha në shtëpi që të shkoja në prova e përgatitur. Provat zgjatën rreth 37 ditë. Por dhe të gjithë aktorët e rinj, ishin të gjithë të dëgjueshëm, ishin kokulur dhe pranonin vërejtjet.

-Nga kush more vlerësimin më të mirë në këtë komedi?

Nga Marjeta Larja. Ajo e ndoqi që në premierë komedinë. Atë ditë kishin ardhur Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Marjeta Larja, Merita Dabulla, etj.. Fjalët që më tha Marjeta ishin: “Dëgjo, 5 minutat e para u mora me pamjen tënde, me atë që dinim që ishe sëmurë, por kur ti filove të luaje, harruam çdo gjë,  dhe shikonim Hajrijen aktore. Ishte një mrekulli. Të uroj me zemër. Një rol që e çove në fund në mënyrë triumfale”. Të them të drejtën ato fjalë më ngrohën pasi Merita nuk të vlerëson kollaj, ndaj them se atë rol e shijova. Në të vërtetë para se te dilja në skenë i thashë vetes: Hajrije, ose dil ose rri. Mos dil që të të mëshirojnë, por dil që të tregosh vlerat që ke. Po dilja në skenë kur mbi vete kisha mbi 38 vjet karrierë. Pra nuk dola  për gjynah, dola të tregoj se profesioni është jetë. Pra në këtë rast më dha Jetë-Jeta.  Me këtë rast dua të vlerësoj dhe drejtoreshën e teatrit “Metropol” Jonida Beqaj, për idetë, vizionin dhe mirësinë që ka.

-Cilën mund të mendosh si ngjarjet që duhet marrë në konsideratë ndjeshëm kohët e fundit?

Do të sjell ndërmend kur Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj më dha titullin “Mirënjohje e Tiranës”. Është një vlerësim që nuk mund ta harroj kurrë për shumë arsye. E para se unë nuk e prisja këtë titull . Madje në darkë vajza më tha që nesër do të jesh në Bashki pasi do të kesh një takim vlerësimi nga Kryetari Erion Veliaj. Nuk më qartësoi shumë, pasi donte të ma bënte surprizë. Madje unë për këtë lëviza dhe ditën e vizitës në spital. Unë as dija se çfarë do bëja dhe çfarë do merrja. Kur shkova në Bashki u befasova. Një pritje madhështore, sa zbrita Veliaj më thotë që më fut krahun dhe mbahu. Lotova! Nuk kisha ndjerë kurrë një përkujdesje të tillë nga autoritetet shtetërore prej kohësh. Që nga hyrja deri tek salla ishte shtruar me tapet të kuq. Një pritje e bukur, e ngrohtë shumë domethënëse. Kur mora titullin u befasova dhe më shumë. Një vlerësim që se harroj kurrë. Kjo tregon se njerëzit me kulturë dhe shije e vlerësojnë artin. Arti mbetet unikal, i pazëvendësueshëm pasi përcjell historinë, veçantitë, traditat, kulturën e popullit. Mënyra se si u realizua ceremonia ishte shumë e bukur, shumë shprehëse. Për mua mbetet një ditë tepër e veçantë aq më tepër kur ma dorëzoi një djalë i ri si Veliaj. Puna e tij duket qartë. E ka bërë Tiranën si një kurorë me lule. Të vjen qejf të dalësh sot në Tiranë. Për çdo ditë dhe më e bukur. Një Tiranë moderne, plot dritë, hapësira. Një Tiranë që po ndërtohet me vizion plot kërkesa bashkohore. Tirana tashmë mund të krahasohet me kryeqytet më të mira Europiane. Kudo shikon punë. Kudo shikon ndryshime. Tirana duket një Tiranë tjetër.

-Kohët e fundit flitet shumë për heqjen nga qarkullimi dhe shfaqja filmat e sistemit komunist. Cili është mendimi juaj?

E kush e thotë këtë? Besoj dikush që nuk di të thotë ç’është arti, ç’është filmi. Të bëj një pyetje, filmat e atij sistemi, mos vallë janë hequr në Rusi, Bullgari, Çeki, Hungari, Rumani, Serbi, Kroaci apo në të gjitha vendet ish-komuniste? Jo. Arti është art. Dëgjo! Ato filma ne i kemi bërë me gjak. E kupton me gjak. Punonim orar pa orar por me dëshirë aman. Me dëshirë që sot nuk ekziston. Linim fëmijët vetëm. Linim fëmijët vetëm linim shtëpinë pa rregulluar, linim hallet tona dhe vraponim në punë. Hiq disa ideologjizma, ato filma kanë Brenda artin shqiptar, kanë historinë tonë, kanë traditat tona, kanë këngët tona, hallet shqetësimet, kanë mesazhin historik të duam atdheun. Madje mund të them se jo çdo film ishte i ideologjizuar. Jo, kishte shumë filma që nuk kanë përcjell mësimet e parisë, madje mund ët them që kanë përcjellë vetëm historinë tonë, përpjekjet për liri dhe pavarësi. Po a e mendojnë ata njerëz se si mund të hiqet të zhduket 50 vjet kinematografi? A e kuptojnë që ky do të jetë krimi më i madh që mund ti bëhet artit dhe kinematografisë shqiptare? A e kuptojnë që kjo do të bëjë që filmografia shqiptare të mos ketë ditëlindje? Si do tu thuhet brezave? Kur lindi kinematografia shqiptare? Do grenë supet? Do bëjnë të paditurin. 50-vjet histori do rrijë në boshllëk? Po a mund të lihen pa u parë artistët e mëdhenj shqiptarë dhe të mos njihen nga brezat si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, Lazër Filipi e dhjetëra të tjerë? Me se do të mbushet ky boshllëk? Në asnjë sistem apo regjim nuk është luftuar arti në këtë mënyrë se si veprohet këtu. Duan të zhdukin historinë, të zhdukin artin magjik, por gabojnë. Historia do ti dënojë rëndë idetë dhe mendimet e tilla. Arti i takon popullit jo individit.

Disa herë kur kemi qenë bashkë, ju kanë ndalur njerëz të moshave të ndryshme për të të dhënë dorën dhe për të takuar në shenjë mirënjohjeje për atë çka u ke dhuruar në ekran. Kush të ka bërë përshtypje më shumë nga këto takime?

Ah, ja kjo lidhet me kinematografinë, me magjinë e filmit. Kjo nuk ndodh vetëm me mua, por me të gjithë artistët që kanë lënë gjurmë. Me sa kuptoj, takoj, shikoj e them me bindje se filmat shqiptar të atij sistemi i shohin më shumë brezi i ri. Po, po, brezi i ri. Një ditë po shkoja për tu vizituar në QSUT. Mora autobusin tek Kopshti Zoologjik. Sa hyra në autobus një vajzë e re rreth të 20 u çua vrokthi duke më thënë zonja Hajrije, urdhëroni dhe më ndihmoi të ulem. Pas saj më përshëndetën disa njerëz. U ndjeva mirë, vajza që më ndihmoi erdhi pranë meje dhe më pyeste. Po pse me autobus. Pse nuk lëviz me makinë ti je artiste e madhe etj.. Më bëri 100 pyetje. Midis të tjerave më tha se si ndiqte filmat e ati sistemi dhe si i mbante përmendësh aktorët shqiptar duke Iipërmendur me emër në disa role. U befasova! Pastaj më pyeti, a mund të dalim një foto? Po, i thashë. Nxori celularin dhe më bëmë disa foto. Ashtu e qeshur si një pranverë seç bënte me celular. Pastaj më tha shumë faleminderit, do ta hedh në FB. Nuk e kuptova mirë se çfarë bëri por vura re se ishte shumë e kënaqur. Kur do zbrisja më shoqëroi deri tek dera duke më përqafur më puthi duart. Nuk do ta harroj kur atë sjellje. Në mbrëmje kur shkova në shtëpi më thotë vajza; Kë ke takuar sot? Kam takuar shumë i thashë. Thuajse nuk i njihja. Pse çka ndodhur? Nuk të ka bërë askush përshtypje prej atyre që takove? Ngrita supet. U mendova. Po më bëri përshtypje një vajzë e re. Më bëri përshtypje si për sjelljen por edhe për ndjekjen që u bënte filmave shqiptarë. Bëra disa foto me të. Vajza qeshi. Ajo vajzë i ka shpërndarë gjithandej në FB fotot që bëre me të, duke theksuar se ishte dita më e bukur se takoi një artiste të madhe. E kishte shpërndarë kudo madje duke bërë komente nga më të bukurat. Sa më gëzoi ajo vajzë. Pra me këtë dua të them, se kështu bëhet me të gjithë artistët. Ata kudo që shkojnë i takojnë, u kërkojnë autografe, u kërkojnë të pinë një kafe. Këtë ka bërë arti, filmi,  teatri, athere si duhet ti zhdukim?!

-Në disa aktivitete ju kam parë që interpretoni shumë bukur poezi, madje ju kam parë që mbani letra me poezi. Mos vallë janë tuajat?

(qesh). Po të miat janë. Janë poezitë që bëj vetë në kohë të ndryshme.

-Keni botuar ndonjë poezi? Sa të tilla keni në dorëshkrim?

Jo, nuk kam botuar. As e kam shkuar në mend. Por duhet ët dish se poezia ka lindur bashkë me mua. Është bashkudhëtare e jetës sime. Pra tek unë është sa vjeç jam unë. Kam shkruar që ën vogëli dhe i kam ruajtur  në shtëpi, Por më vjen keq se disa i kam humbur. Poezia më jep forcë, më jep gjykim të ftoftë, më motivon, më përcjell tjetër atmosferë në vetvete. Nuk e di sa poezi kam por di që janë shumë. I kam ashtu në dorëshkrim. Herë pas here i lexoj, rilexoj por edhe bëj ndryshime. Lexoj shumë poezi dhe duke lexuar shumë shoh se ku dhe çfarë mund të ndryshoj. Bashkëshorti më thotë botoi. Po kështu edhe vajza, por unë hezitoj. Mendoj se nuk kanë aq vlerë artistike sa poezitë e poetëve të mirë.

-Po tematika e poezive ka të bëjë vetëm me filmin dhe teatrin?

Jo, jo. Temat janë nga më të ndryshmet, për dashurinë, familjen, natyrën, vendlindjen, fëmijët, por edhe problemet sociale. Pak kanë të bëjnë me filmin dhe teatrin. Shkruaj kur më vjen frymëzimi. Kur lëviz dhe shikoj diçka që më pëlqen. Poezia më jep forcë por edhe më lehtëson nga shumë halle. Kur mërzitem, kur lodhem mundohem të shkruaj poezi. Dhe vërtetë kur marr lapsin dhe shkruaj hyj në një botë tjetër. Kjo më bën që të harroj çdo gjë. Madje edhe dhimbjet kur jam sëmurë. Poezia në këto raste është adrenalina ime. Më duket se më heq si me magnet shumë shqetësime. Pastaj para se të bie të fle filloj i lexoj. Madje ja lexoj dhe bashkëshortit. Ai i pëlqen dhe më thotë botoji. Unë stepem, Por ndoshta atij i duken se unë pasi janë poezitë e mia, mundohem ti interpretoj më bukur (qesh). Por po i shoh dhe njëherë, po i shoh. Edhe mua po më mbushte mendja se nuk duhet të rrinë aty në sirtar të zverdhura nga koha. Mbase e kanë dhe ato vlerën e tyre.

Gjithë këto role, tashmë dhe pse jeni në pension keni jetë aktive. Jeni ftuar në shumë filma dhe në teatër. Keni ndonjë peng? Pra ndonjë rol që të ka ngelur peng?

Besoj se deri tani jo, se pengu i artisti është ai rol që duhet të bëj më të ardhmen. Pra pengu shkurt është: Rolin më të mirë nuk e kam bërë. Rolet shumë herë nuk komandohen, nuk i porosit, por të vijnë nga regjisorët. Ndaj unë mendoj se kam kohë ende që të mos ngelem me pengje. Përderisa po aktroj, punoj, them që do ti realizoj çka kam dëshirë. Mbase rolin më të mirë e kam përpara.

– Keni qenë jashtë shtetit këtë kohë?

– Po, kam qenë në Greqi e ftuar në një aktivitet nga gratë emigrante, ose më mirë e ftuar tek Konferenca e parë e grave emigrante në Greqi që u zhvillua, në  Athinë. U mblodhën nga të gjitha shoqatat e grave në Greqi që nga Selaniku, Patra, Janina, Kreta në lokalin “Orfeus”. Ishin rreth 500 gra. Më bri përshtypje pritja e tyre. Unë bëra një përshëndetje duke bërë prezent arritjet e tyre, që dhe në emigracion ato mundën të mbajnë traditat zakonet e vendit. Ato kanë treguar aty vlerat më të mira të grave shqiptare. Aty takova dhe çiftin Haxhijani nga Saranda, Theofil dhe Violeta Haxhijani.  Ishte një aktivitet i madh që për mua mbetet unik. Njëkohësisht takova dhe këngëtaren Sofika Hodo e cila mbetet një këngëtare e mirë dhe ka munduar të tregojë vlera dhe në emigracion. Ishin disa ditë të bukura dhe plot takime mbresëlënëse me njerëz që kurrë nuk prisja ti takoja në atë vend. Rastësia mbreti i botës. Dolëm fotografi të panumërta dhe pashë se si respektonin artin shqiptar në emigracion duke më përcjellë shumë mbresa nga ato që shihnin në kanalet shqiptare.

Box

 

Filmat me Dhimitër Anagnostin

Me regjisorin e talentuar Dhimitër Anagnosti ka luajtur dy filma “Përrallë nga e kaluara”  dhe “Vëllezër dhe shokë”. Për Hajrijen, Anagnosti mbetet një regjisor i talentuar, një regjisor vizionar dhe plot ide. Dy bashkëpunimet e saj me të kanë qenë nga më të bukurat dhe më mbresëlënëset. Tek filmi “Përrallë nga e kaluara”   ka marrë shumë urime madje dhe nga fëmijët e emigrantëve në Greqi. Për vetë temën që ka trajtuar dhe interpretimin e të gjithë aktorëve ai mbetet një ndër filmat më të realizuar dhe më të komentuar në Shqipëri vitet e fundit, pas restaurimit. Ky është film është restauruar në vitin 2915. Mbetet një nga filmat më të bukur shqiptarë, gjithmonë aktual ku Hajrija në rolin e Tanës ka nxjerrë kryerolin e saj deri tani.

Aktorët dhe rolet e tyre në këtë film janë:

  • Elvira Diamanti….Marigo
  • Admir Sorra……..Gjino
  • Robert Ndrenika….Vangjeli
  • Hajrie Rondo…….Tana
  • Xhevdet Ferri……Trimi
  • Mimika Luca……..Nëna e Marigose
  • Xhemil Tagani……Papa Sotiri, prifti i fshatit
  • Mira Minga………Kotja
  • Mehdi Malkaj…….Milua, budallai i fshatit
  • Zef Mosi………..Maliqi
  • Birçe Hasko……..Dasmori gaztor
  • Aristotel Stefani..Nje nga dasmoret
  • Margo Arseni
  • Baftjar Çena

 

-Keni marrë pjesë në shumë aktivitete shoqatash, si jeni ndjerë?

Jam ndjerë shumë mirë me ftesat e tyre pasi jam munduar të jap ndihmën time modeste për atë çkanë kërkuar. Arti i përket popullit. Jam ndjerë dhe kam bashkëpunuar mirë me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me Drejtor, z. Ilir Çumani, Ishte eksperiencë e bukur. Mes njerëzve ndihem mirë.

Roli i filmit “Dhimbje e dashurisë”?

Një film interesant. Ishte regjisori i talentuar Ylli Pepo që më ftoi në këtë film. Më mori në telefon dhe më thotë se kam një rol tek një telenovelë e Bashkim Kozelit. Keni rolin e Kanos. Kano është një grua pensioniste. Faleminderit i thashë që më ftove, pasi e kam një peng që nuk kemi asnjë realizim bashkë që para 30 vjetësh kur më ftove tek “Emblema e dikurshme”. Në atë film Ylli Pepo më kishte besuar rolin që luajti Rajmonda Bulku, por unë isha shtatzënë dhe kështu që nuk mora pjesë. Ishte viti 1978, kur unë isha shtatzënë me djalin dhe filmi u luajt në Apolloni. Kështu fillova bashkëpunimin pas 30 vjetësh me Ylli Pepon.

Shkolla e sotme të aktrimit?

Nuk ka atë kërkesë llogarie. Unë bashkohem me këtë mendim që kanë shumë regjisorë apo aktorë. Në monizëm kishte shumë probleme disa që trajtohen në këtë film. Të gjithë kemi vuajtur në sistemin komunist. Të gjithë ishim njëlloj (përjashto 5 %). Visheshim thuajse njëlloj. Të gjithë me tallona- Të gjithë njëlloj të mobiluara shtëpitë. Fruta për fëmijët nuk bëhesh fjalë. Ku zinim radhë për qumësht. Ku në çdo rol do të ishte dhe heroi pozitiv, pra ideologjizmat ishin të pashmangshme. Por për shkollë, kërkesat ishin të mëdha. Për teatrin, filmin, kërkesat dhe kritika ishte e madhe.

 

Rolet dhe karriera

Ka realizuar plot 132 role në 38 vjet karrierë. Delvina qyteti i lindjes i ngjizi brenda vetvetes dashurinë për aktrimin, për të vazhduar studimet në Tiranë dhe për të vazhduar rrugën e suksesit në Fier. Ajo përjetoi vitet më të bukura me Teatrin “Bylis”, vitet në të cilat kjo trupë u kthye në një shkollë të vërtetë për teatrin shqiptar. Energjike, këmbëngulëse, e palodhur, studiuese këto janë tiparet kryesore të Hajrijes. Roli i Tanës tek komedia “14 vjeç dhëndër”, (sipas saj) deri tani  mbetet roli më i dashur për të, por dhe më i spikaturi dhe i shumë duartrokituri nga spektatori. “Mulliri i Kostë Barbit” ishte roli i saj i parë. Ishte roli i një vajze, ku tema e dramës ishte nga LANÇ.  Ishte në vit të dytë. Ky rol duket se i hapi rrugën e skenës. Pastaj… “Mosha e Bardhë” e Mihallaq Luarasit. Në këtë dramë kishte rol kryesor, sërishmi rolin e një vajze. Nga roli në rol e ndjente veten më të sigurt. Tek “Regjisori”  i Gogolit që e vuri në skenë Birçe Hasko, kishte një rol karakteri. Gruan e një mekaniku. Kishte një rebelim kjo grua pasi i kishin hequr burrin nga puna. Në përgjithësi gjatë studimeve km luajtur role karakteresh.