RKL: Fushata kundër vlerave të UÇK-së vazhdon, por ata që bashkuan armët për çlirimin e Kosovës, “prej luftës nuk largohen...” I

RKL: 18-vjet më parë, Qirezi, Likoshani e Prekazi në flakët e luftës çlirimtare, Ibrahim Rugova organizonte zgjedhje të lira, nën okupimin serb

18-vjet më parë, luftëtarët e Komandantit të UÇK-së,  Adem Jashari, kishin marrë urdhër nga Komandanti që t’iu ndërpritej lëvizja dhe patrullimi forcave policore serbe në relacionin: Drenas, ish-Gllogovc-Likoshan-Qirez-Polac.  Më 27 shkurt 1998, Musë Jashari, Rasim Kiçina, Beqir Rexhepi, Beqir Meha, Sabit Lladrovci, Isë Ferati, Skënder Gjeli, Jahir Hajdari, Xhemë Kodra, Zeqir Rexhepi e të tjerë, natën e kishin kaluar së bashku në shtëpinë e Beqir Brahim Rexhepit, në Qirez.

Të nesërmen në mëngjes, grupi i armatosur i UÇK-së, ndahet në dy pjesë. Musë Jashari me disa luftëtarë zë pritë në vendin e quajtur,  “Lisat Gjashtënjakë” ndërsa në grupin tjetër, Beqir Rexhepi me disa bashkëluftëtarë, në vendin mes lagjeve, Ahmetaj dhe Gjelaj në Likoshan. Ata sapo dalin hasin në një patrullë policore dhe fillojnë ta godasin. Patrulla e policisë serbe ishte zënë në befasi por ata iu kishin kundërpërgjigjur sulmit. Gjatë luftimeve bie në altarin e Atdheut  Rexhep Rexhepi, xhaxhai i Beqir Rexhepit, i cili pas sulmit, me bashkëluftëtarët e tij  ishte tërhequr në drejtim të maleve. Në të njëjtën kohë, një ballafaqim i ashpër  ishte zhvilluar edhe te “Lisat Gjashtënjakë” ku patrullën serbe e kishin asgjësuar: Musë Jashari, Rasim Kiçina, Sabit Lladrovci e luftëtarë të tjerë. Gjatë luftimeve ishin plagosur disa luftëtarë, të cilët, pa humbur kohë bashkëluftëtarët e tyre i kishin ndihmuar të tërhiqeshin.

Forcat policore serbe kishin marrë përforcime dhe kishin filluar të hakmerreshin duke goditur popullatën civile në Likoshan e në Qirez. Atë ditë ata kishin vrarë:  Beqir Sejdiun, Ilir Nebihun, Rukie Nebihun, (shtazënë) Xhemshir Nebihun, Nazmi Sejdiun, Bedri Sejdiun, Bekim Sejdiun, Ibish Ramën, Ismail Behramin, Behram Fazliun. Nga familja Ahmeti janë martirizuar: Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti, dy të fundit të mitur.

Në mbrëmje, gjatë luftimeve kishte rënë edhe Beqir Rexhepi. Po atë ditë kanë rënë edhe Muhamet Gjeli e Naser Gjeli.

28 shkurti i vitit 1998, mori jetët e 24 shqiptarëve të Qirezit e Lokoshanit. Katër nga ta ranë dëshmorë, ndërsa 20 të tjerë, u kapen gjallë nga policia serbe, e cila i vrau dhe i masakroi barbarisht, në mënyrën më mizore, me qëllim për të ngjallur panik te popullata civile.

Luftimet në Qirez e Likoshan, i bënë të ditur regjimit të kriminelit Milosheviq, se shqiptarët nuk do të pyesin më për çmimin e lirisë dhe nuk do të ndalën në luftën e tyre për ta çliruar vendin, pavarësisht politikës durimtare të Ibrahim Rugovës dhe porosive së miqve ndërkombëtarë, të cilët kërkonin që  çështja e Kosovës të zgjidhej në tavolinë të bisedimeve, duke premtuar një autonomi të gjerë.

LIkoshani e Qirezi ishin preludi i asaj që do të zhvillohej vetëm një javë më vonë në Prekaz të Ulët, ku për tri ditë rresht nuk u ndërprerën luftimet mes forcave të panumërta të policisë së Serbisë dhe luftëtarëve çlirimtarë dhe ku ra duke luftuar ballë për ballë kundër forcave serbe edhe Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me 21 anëtarë të familjes së ngushtë dhe 44 pjesëtarë të tjerë të familjes së gjerë Jashari të Prekazit të Ulët të Drenicës. Gjatë atyre ditëve të luftës dhe  rrethimit në Prekaz  kanë rënë edhe një dëshmor i fshatit Duboc, dy nga fshati Tërstenik dhe një nga fshati Llaushë, të cilët kanë ndodhur te jasharët.

Janë shpallur dëshmorë:

Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Sh. Jashari, Prekazi i Ulët, pastaj:

Adile B. Jashari, Afete H.Jashari, Afije A. Jashari,  Ajvaz K. Jashari  Ali R. Jashari, Avdullah Z. Jashari, Bahtije M. Jashari, Beqir B. Jashari, Besim H. Jashari, Blerim H. Jashari, Blerim Z. Jashari, Blerina H. Jashari, Bujar Z. Jashari, Elfije S. Jashari, Elheme U. Jashari, Faik T. Jashari, Fatime H. Jashari, Fatime S. Jashari, Fatime Xh. Bazaj Terstenik, Feride R. Jashari, Fitim A. Jashari, Hajrije Z. Jashari, Hajzer Z. Jashari, Halil B. Jashari, Halit I. Jashari, Hamdi S. Jashari, Hamëz Sh. Jashari, Hamide A. Jashari, Hamit H. Jashari, Hanife Z. Jashari, Hidajete R. Jashari, Igball R. Jashari,  Igballe R. Jashari, Isak F. Halili, Duboc, Kajtaz M. Jashari, Kushtrim A. Jashari, Lirie H. Jashari, Mihrije F. Jashari, Murtez Z. Jashari, Nazmi Z. Jashari, Osman Sh. Geci, Llaushë, Qazim O. Jashari, Qerim H. Jashari, Ramiz S. Jashari, Sabrije Z. Jashari, Sadik H. Jashari, Salë Sh. Jashari, Selvete H. Jashari, Shaban M. Jashari, Shahin Q. Jashari,  Sherif B. Jashari, Sinan R. Jashari, Smajl A. Jashari, Smajl Xh. Bazaj,  Tërstenik, Ukshin Q. Jashari, Valdete R. Jashari, Zahide Sh. Jashari dhe Zarife B. Jashari.

Këta 83 dëshmorë e martirë, të rënë brenda një jave në tri fshatra të Drenicës, ishin dëshmi  e një dhune fashiste që po ushtronte regjimi kriminal e diktatorial i Beogradit kundër shqiptarëve liridashës të Kosovës. Rëniet në Prekaz, Likoshan e Qirez reflektuan me dinjitet e qëndresë  te mbarë popullata liridashëse shqiptare, e cila ishte bindur tërësisht se politika paqësore e durimtare e Ibrahim Rugovës dhe atyre që e pasonin nuk do t’i sillte kurrfarë lirie vendit. Pas këtyre rënieve dhe masakrave, që kryen serbët, politika pacifiste e kohës filloi t’i fajësojë grupet e armatosura,  dhe jo regjimin kriminal të Beogradit, i cili i kishte ofruar edhe bisedime paqësore. Pikërisht pas këtyre rënieve e masakrave, Ibrahim Rugova kishte mbajtur zgjedhjet e lira, në kohën kur në Kosovë kishin zbarkuar dhjetëra mijëra forca policore dhe ushtarake dhe lufta kishte filluar, me Betejën e Rezallës së Re (ish-Ludovik) dhe dy ditë më vonë me daljen publike të UÇK-së më 28 nëntor të vitit 1998, në fshatin Llaushë. Regjimi i Beogradit nuk i pengoi zgjedhjet me qëllim për t i shkuar në ndihmë politikës durimtare, pacifiste të Rugovës.

Dy javë pas luftimeve e masakrave serbe në Drenicë, Ibrahim Rugova mban, pa u penguar  nga regjimi serb, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale

Vetën dy javë më vonë  më 22 mars 1998 u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zgjedhjet u mbajtën në 29 zona – njësi zgjedhore, për tu zgjedhur presidenti dhe 130 deputetë, 100 prej të cilëve dolën në zgjedhje të drejtpërdrejta, kurse 30 vendet tjera u shpërndan sipas proporcionit.

Kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të 22 Marsit 1998, ishte caktuar gjykatësi Tadej Rodiqi.

Më 19 mars 1998, Ibrahim Rugova i bëri apel popullit të dalin masovikisht në zgjedhjet parlamentare e presidenciale më 22 mars.

Në apelin e Ibrahim Rugovës atëherë thuhej se ato zgjedhje ishin shumë të rëndësishme dhe historike.

“Me këto zgjedhje mbahet dhe forcohet rendi demokratik në Kosovë, duke u afirmuar vota e lirë e qytetarëve. Me këto zgjedhje forcohet legjitimiteti i udhëheqjes dhe institucioneve të Kosovës, krijohen mundësi më të mëdha të ndërtimit të shoqërisë dhe të shtetit civil. Me këto zgjedhje forcohen më shumë lidhjet e Kosovës me miqtë e saj të shumtë në botë, sidomos me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, patë thënë, Ibrahim Rugova.

Më 19 mars edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një kumtese, fton anëtarësinë e vet dhe mbarë zgjedhësit në Republikën e Kosovës, që të dalin në votimet e 22 marsit për zgjedhjen e kryetarit të Republikës së Kosovës dhe të deputetëve për Kuvendin republikan.

Zgjedhjet në ato rrethana i kishin bojkotuar: Partia Parlamentare e Kosovës, së bashku me UNIKOMB-in, PSDK-në (krahu i Luljeta Pulës – Beqiri), Partia Liberale Shqiptare, Këshilli Koordinues i degëve të LDK-së në Prishtinë, Unioni i Pavarur i Studentëve të UP-së, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë.

Pas zgjedhjeve zyrtarët e lartë të LDK-së u organizuan me qëllim të diskreditimit të luftës së UÇK-së. Asokohe, njëri ndër kreatorët e kësaj politike, Jusuf Buxhovi kërkonte nga Ibrahim Rugova që duke u mbështetur në rezultatin e zgjedhjeve, ( të cilat i kishte fituar bindshëm, “ta pacifikonte Drenicën e pabindur dhe të mos lejonte që të përsëritej shkurti i vitit 1945”, apo koha e Shaban Palluzhës).

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: Adoleshentët, shkolla, familja dhe shoqëria I

Sjelljet devijante të adoleshentëve e kanë burimin në faktorët ekonomikë, socialë dhe psikologjikë. Baza është …