Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku
Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku

(24 janar 2011) Intervistë me komandantin e FSK-së, gjeneral, Sylejman Selimi

RKL: Gjeneral i nderuar, tashmë keni shënuar dy-vjetorin e themelimit të FSK-së, cilat janë  disa nga të arriturat kryesore  deri tani?

 Sylejman Selimi: Që nga themelimi para dy vitesh, të arriturat në FSK, janë të dukshme, janë të prekshme dhe çdo gjë që ka qenë e planifikuar ne e kemi realizuar. Mund të them se në fillim jemi përballur me vështirësi, të cilat na kanë përcjell gjatë vitit të parë dhe të dytë,  po në përgjithësi ne i kemi tejkaluar. Vështirësitë kryesore kanë qenë mbi pjesëtarët e kolegët e mi të cilët kemi punuar në trupat mbrojtëse të Kosovës dhe këtë aspekt ka qenë një proces i vështirë gjatë themelimit të FSK-së. Megjithatë,  sot pas dy viteve FSK-ja  ka të arritura jashtëzakonisht  të mëdha duke u nisur nga personeli, pjesa civile,  e cila është reduktuar nga pajisjet nga infrastruktura dhe në përgjithësi jemi në rrugë të mirë që gjatë këtij viti, apo vitit të ardhshëm ta përfundojmë si strukturë FSK-në dhe t’ i arrijmë të gjitha kapacitetet operacionale, të cilat i kemi para vetes.

RKL: Forca e Sigurisë së Kosovës u tregua në nivel emergjent për të ndihmuar zonat e përmbytura të Shkodrës, cila është përvoja që keni fituar në këtë drejtim,duke qenë se FSK-ja edhe më parë,gjatë përmbytjeve në vendin tonë është ballafaquar me intervenime të natyrës së tillë?

Sylejman Selimi: Faktikisht  për përmbytjet në Shqipëri, kryesisht  në Shkodër,  ne patëm një kërkesë nga ushtria shqiptare nga ministri i Mbrojtjes. Ne i shkuam në ndihmë forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe këtë e kemi bërë me kënaqësi. Brenda 4 orëve jemi mobilizuar, kemi bërë përgatitjet e posaçme,  të cilat janë për këtë detyrë, konkretisht për kërkim shpëtim dhe jemi treguar jashtëzakonisht efikas, gjë që këtë e kanë dëshmuar edhe vetë qytetarët, nga të cilët kemi pasur fjalët më të mira, ashtu sikur edhe  prej shtetit shqiptar prej Ministrisë së Mbrojtjes prej udhëheqësve të ushtrisë shqiptare po njëkohësisht edhe prej KFOR-it NATOS. Angazhimi ynë atje ka marrë një lavdatë  total për pjesëtarët e FSK-së. Është një përvojë e mirë që t’u ofrojmë ndihmë qytetarëve tanë kudo që ndodhen, po është edhe një përvojë  mirë që në   të ardhmen ne të marrim pjesë edhe në vendet tjera.

RKL:  Cili është komenti juaj lidhur me deklaratën e sekretarit të Aleancës Veriatlantike, Andres Fogh Rasmussen se është tepër herët që të flitet për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe se Forca e Sigurisë nuk është ushtri?

Sylejman Selimi: Ne i kemi vënë shumë detyra vetes, por  ende nuk jemi konsoliduar. Gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm duhet patjetër të konsolidohemi, ta dëshmojmë edhe para qytetarëve tanë,  por edhe para miqve ndërkombëtar, që jemi një forcë profesionale, që ne nesër mund të marrim edhe përgjegjësi shtesë. Tash për tash është një realitet, që ne nuk i kemi këto kapacitete, për arsye se ne gjatë këtij viti duam ta plotësojmë numrin në 2.500 pjesëtarë aktiv, dhe 800 rezervë, pastaj duhet që të ndajmë buxhet shtesë prej buxhetit të Kosovës, që të blejmë pajisje më moderne. Ne tash i kemi dy lloje të armatimit të gjatë dhe të shkurtë, mirëpo ne duhet të investojmë dhe t”i blejmë mjetet e blinduara dhe helikopterët  që është e paraparë edhe me strukturë dhe gjithashtu është një detyrë që kemi  para vetes,  të cilën nuk mund ta realizojmë as këtë vit. Vitin tjetër duhet një mobilizim shtesë të institucioneve të Kosovës, kryesisht Qeverisë dhe në këtë aspekt për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale duhet të deklarohet NATO-ja. Për FSK-në se është detyrë e institucioneve të Kosovës se çfarë mendon të bëjë me FSK-në dhe çfarë sistemi të mbrojtjes ta ketë në Kosovë.

RKL: Në cilat segmente FSK-ja, bashkëpunon me forcat paqeruajtëse të KFOR-it

Sylejman Selimi: Me segmente e KFOR-it bashkëpunojmë  kryesisht në ndërtimin e forcës dhe ndërtimin e kapaciteteve të saja. Roli i KFOR-it është jashtëzakonisht i madh në forcën e sigurisë e po ashtu sikurse është  edhe roli i NATOS-, që është  një rol jashtëzakonisht i  madh si në monitorim ashtu edhe nga ekspert të ndryshëm. Edhe në këtë aspekt ekziston një bashkëpunim në të gjitha nivelet, duke u nisur nga nivelet e ulëta, pastaj nga trajnimet bazike, profesionale dhe kolektive.

RKL:Në cilat fusha keni bashkëpunuar dhe bashkëpunoni me Policinë e Kosovës dhe a keni bashkëpunim edhe me Policinë e EULEX-it?

 Sylejman Selimi : Ne kemi bashkëpunim me Policinë e Kosovës, vetëm në nivelin institucional, por jo ndonjë bashkëpunim të veçantë. Pjesëtarët e Policisë së Forcës së Kosovës me Policinë e Kosovës kanë bashkëpunim rreth trajnimeve. Shpresojmë që në të ardhmen te kemi bashkëpunim më të ngushtë. Ndërkaq me policë e EULEX-it, nuk kemi bashkëpunime, por vetëm kur ata kanë nevojë. Ka ndodhur për shembull në Kastriot, kur ata kanë kërkuar që ne t’i mbështesim me mjetet logjistike të FSK-së. Ne me këtë rast kemi ofruar një bashkëpunim të rastit, por nuk kemi bashkëpunim në fushat që i përkasin sigurisë.

RKL: Pikërisht me 24 janar 1999, Ju e keni dhënë intervistën e parë në Radion Kosova e Lirë. Sot data 24 janar që Ju po jepni intervistë për radion tonë, atëherë ishit Komandant i Zonës së Drenicës , tani gjeneral i FSK-së, mbase është një koincidencë, por çka mund të na thoni për këtë?

Gjeneral Selimi: Faktikisht nuk e kam ditur se në çfarë date kam dhënë intervistë atëherë, por ajo  ka qenë në rrethana krejt tjera. Ishte koha kur populli ynë po kalonte në një periudhë të rëndë, ndoshta më e rënda në historinë e tij. Në atë periudhë kemi pasur një invazion të forcave serbe kryesisht në Drenicë. Kemi pasur shumë ushtarë të plagosur, shumë njerëz të zhvendosur. Dhe sot, si  rezultat i luftës sonë për liri, i luftës së të gjithë ushtarëve të UÇK-së, i luftës së drejtë të cilën ne e kemi bërë, sot   e gëzojmë këtë liri. Tani e kemi shtetin e pavarur. Pra është një koincidencë që ju ma kujtuat. Është periudha më e mirë e jetës sime. Asokohe kam mundur t”i shërbej vendit tim dhe kam qenë komandant  i Zonës Operative të Drenicës

RKL: Faleminderit për kohën që ndatë me në, ju urojmë suksese të mëtutjeshme.

Sylejman Selimi: Faleminderit edhe nga Ju, ju dëshiroj suksese dhe shfaq gatishmërinë time për bashkëpunim  çdoherë dhe në çdo kohë  për Radion Kosova e Lirë.

 

Kjo intervistë është rikthyer në faqen zyrtare të Radios, për shkak se gjeneral,  Sylejman Selimi, po mbahet në burg padrejtësisht dhe nuk do të jetë fizikisht  në mesin e ushtarëve dhe eprorëve, me rastin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës, nesër më 14 dhjetor 2018,  edhe pse ishte më meritori,  si në luftë ashtu edhe pas luftës në ndërtimin e institucioneve të vendit, veçmas në TMK dhe në FSK, ku ishte edhe komandanti i parë i saj. Stafi i Radios-Kosova e Lirë, Gjeneral Sylejman Selimit i dëshiron shëndet dhe qëndresë  të dinjitetshme, meqë tërë jetën e tij  ia ka kushtuar kombit e Atdheut.

Kurdoherë me ju Gjeneral!

 

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …