KEK
Fillimi / Botimet / Më 5 tetor 2016 përurohet në Prizren përmbledhja poetike, “Helikë e thyer”, e poetit, Bajram Bekteshi
Helikë e thyer - Bajram Bekteshi

Më 5 tetor 2016 përurohet në Prizren përmbledhja poetike, “Helikë e thyer”, e poetit, Bajram Bekteshi

Nesër, në orën 17.30, në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren u përuruar  përmbledhja  me poezi, “Helikë e thyer”, e poetit, Bajram Bekteshi. Poeti, veprimtari dhe ushtaraku, Bajram Bekteshi ka nxjerrë në dritë përmbledhjen më të re  poetike: “Helikë e thyer”. Ashtu sikur edhe në përmbledhjet e botuara më herët, ai vazhdon të shpreh botën e tij të pasur krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen. Duke ngarendur për ta zënë frymëzimin në kalim, në fluturim e sipër, vazhdimisht e mbanë të zgjuar imagjinatën dhe arrin ta fokusojë motivin, ngjarjen, skicën, informatën, të cilën pastaj e kumton me vargje poetike, të skalitura artistikisht dhe të kuptueshme për lexuesit. Me përmbledhjen “Helikë e thyer”, poeti deri tani ka nxjerrë në dritë 10 libra me poezi, të cilat tashmë janë pjesë e poezisë shqiptare të kohës dhe shquhen për origjinalitet, stil autentik dhe shprehje të një botë të pasur të meditimit, vrojtimit dhe komunikimit të çiltër e të dashur me lexuesit… Libri ka 114 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi StarGraf, Ferizaj.

Bajram Bekteshi, i dashuruar përjetësisht në fjalën poetike

Ashtu sikur edhe në përmbledhjet e botuara më herët, edhe në këtë libër me poezi, Bajram Bekteshi  vazhdon të shpreh botën e tij të pasur krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen. Duke ngarendur për ta zënë frymëzimin në kalim, në fluturim e sipër, ai vazhdimisht mbanë të zgjuar imagjinatën dhe arrin ta fokusojë motivin, ngjarjen, skicën, informatën, të cilën pastaj e kumton me vargje poetike, të skalitura artistikisht dhe të kuptueshme për lexuesit.

Bajram Bekteshi është i dashuruar përjetësisht në fjalën poetike. Ai tashmë është njëzuar me të dhe nuk shqitet dot nga ajo, sepse e ka zbuluar mënyrën më të pëlqyeshme, por edhe më të dashur  për komunikimin me veten dhe lexuesin. Në pamundësi për ta “ndrequr” botën, ashtu sikur rëndom pretendojnë veçmas poetët, Bajram Bekteshi është prore në luftë kundër antivlerave dhe atdhemohuesve, në luftë me mbetjet e rrezikshme të së kaluarës, që herë-herë ngrehin kokën, në luftë për të mbrojtur me çdo kusht gjakun e derdhur për liri, sepse edhe vetë është me mesin e atyre që kanë skuqur me gjak tokën e atdheut, gjatë kohës së pushtimit. Andaj, ai ka shqetësime më shumë se të tjerët, andaj edhe i jep të drejtë vetes të godasë, ashtu sikur ka goditur armikun, në front, me bashkëluftëtarët, me ata që sot janë dëshmorë, invalidë e veteranë të vërtetë. Ai ka qenë dhe mbetet i vetëdijshëm se liria fitohet me gjak, por lirinë duhet mbrojtur me punë, djersë e po të jetë nevoja, sërish edhe me gjak.

Pavarësisht çasteve pesimiste, pavarësisht shqetësimeve gjithnjë të pranishme, realiste dhe të përfillshme lidhur me harresën dhe kujtesën e dobët të bashkatdhetarëve e të disa prej bashkëluftëtarëve, poeti ka besim të patundur në moton mobilizuese të luftës së UÇK-së, “Ecim para vëlla, kthim prapa s’ ka”.

Poezia e Bajram Bekteshit vazhdon të jetë poezi e angazhuar, në shërbim të lexuesve,  në shërbim të liridashësve dhe atdhetarëve, në shërbim të brezave, që kurdoherë do të shprehin nderim dhe respekt për të rënët, për heronjtë e luftës dhe të punës, për ata, pa gjakun e djersën e të cilëve nuk do të kishim korrur fitoren vendimtare kundër të keqes shekullore.

Me përmbledhjen “Helikë e thyer”, poeti deri tani ka nxjerrë në dritë 10 libra me poezi, të cilat tashmë janë pjesë e poezisë shqiptare të kohës dhe shquhen për origjinalitet, stil autentik dhe shprehje të një botë të pasur të meditimit, vrojtimit dhe komunikimit të çiltër e të dashur me lexuesit…

Poezia e sotme shqipe, jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet shqiptare ka shumë emra meritorë, por pak të njohur, në radhë të parë sepse shumë po shkruajmë e po botojmë dhe janë gjithnjë e më pak ata që po i lexojnë veprat e mirëfillta. Kjo më kujton atë konstatimin gjenial të këngëtarit anonim të legjendave: “Shumë po shndrit  njaj diell e pak po nxen”. Duke e përcjellë me vëmendje letërsinë shqiptare në përgjithësi  e veçmas poezinë kam vërejtur se nga vitit në vit, fjala poetike është begatuar me emra të rinj, por mjerisht kanë rënë lexuesit, mbase edhe për faktin se gjatë viteve të fundit, në shumë segmente krijuese kanë dominuar, vlerat e rrejshme, shundi, kiçi dhe forma të tjera të zvetënuar e të tëhujësuara  të krijimtarisë artistike në përgjithësi.

Pavarësisht rrethanave, arti gjithmonë ka çarë shtigjet. Poetët e vërtetë dhe veprat e tyre kanë jetuar dhe do të jetojnë edhe pasi ata të largohen nga jeta. Është keq kur vepra vdes para autorit dhe kjo po ndodh me shumë krijues.  Besoj se poezia e Bajram Bekteshit do të jetojë gjatë,  dhe kjo me siguri se do të ndodh sepse Bajrami  tashmë ka sharruar thellë në krijimtari dhe nuk e nxjerr dot këmbët nga ajo.  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Adem Lushaj: Në Deçan promovohet romani, PREMTIMI, i shkrimtares, Jetlira Avdijaj

Adem Lushaj: Në Deçan promovohet romani, PREMTIMI, i shkrimtares, Jetlira Avdijaj

(“Misteri i një aksidenti tragjik në të shkuarën. Një dashuri dhe një hakmarrje kryqëzojnë rrugët ...