Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Suzanna Shkreli për anëtare të Kongresit Amerikan

Ja, kanë mbetur edhe katër javë deri në zgjedhjet e përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që më 8 nëntor votuesit amerikanë të hedhin votën, në nivel kombëtar, për president, për të gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër antarësh të ri të Senatit amerikan. Një kandidate që synon anëtarësimin e saj në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të ri amerikan, është edhe Prokurorja shqiptaro-amerikane, Suzanna Shkreli.

Ajo e filloi fushatën në fillim të korrikut, per-ne-kongresin-amerikan, dhe tani gjendet në kulmin e një fushate që duket gjithnjë e më shumë si një fushatë serioze dhe bindëse, se mundësitë për një fitore të Suzanna Shkreli ditën e zgjedhjeve, janë reale.  Fushata e saj dhe mbështetja që ajo ka gjetur tek votuesit e distriktit ose të zonës elektorale të saj, në të vërtetë, ka habitur analistët politikë të zgjedjeve dhe njëkohsisht suksesi i deritanishëm i fushatës së saj ka shqetësuar aq shumë kundërshtarin e saj republikan, sa që ditët e fundit, ai është detyruar të sillte në atë distrikt Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, Z. Paul Ryan, personin numër një të republikanëve, për të bërë fushatë në favor të kandidatit republikan, kongresistin e tanishëm Mike Bishop. Vizita e republikanit numër një të këtij vendi në zonën elektorale të Suzanna Shkrelit, në përpjekje për të shpëtuar kandidatin e Partisë Republikane nga një humbje e mundëshme, nënvijon seriozitetin me të cilin republikanët e konsiderojnë kërcënimin që vjen nga kandidatura e Suzanna Shkrelit, ndaj  kandidatit të tyre.

Kur Suzanna filloi fushatën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në fillim të korrikut që kaloi – megjithse filloi vonë sepse kandidatja e mëparshme e demokratëve u tërhoq për arsye shëndetsore — Shkreli deklaroi se ishte gati për një ndërmarrje të tillë megjithë punën e rëndë që nevojitej dhe me gjithë ashpërsitë me të cilat karakterizohen normalisht fushatat politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos fushata për zgjedhjet e këtij viti. Ajo është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe gjithëpërfshirëse, me një program të qartë në mbështetje të interesave të qytetarëve të zonës elektorale ku jeton, e të cilët ajo shpreson që tani e deri më 8 nëntor, t’i bindë që të votojnë për të.   Fatbardhësisht, Shkreli ka siguruar mbështetjen e fortë të Partisë Demokrate dhe ka marrë tanimë mbështetjen e organizatës më të madhe në Amerikë, e cila veprimtarinë e saj ia kushton zgjedhjes së më shumë femërave në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan. Njëkohsisht, Suzana Shkreli është duke llogaritur edhe në ndihmën dhe mbështetjen e pa kursyer të komunitetit shqiptaro-amerikan anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.

Andaj, ky shkrim është edhe një apel, drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarëve kudo që të ndihmojnë fushatën e saj.   Sot është dita dhe ky është momenti për komunitetin shqiptaro-amerikan që ta tregojë veten si gjithmonë më parë i gatëshëm për të marrë pjesë masive, jo vetëm në përpjekjet  e tyre për të ndihmuar kur e lypte nevoja, shqiptarët dhe të drejtat e tyre në trojet anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, por të tregojnë gjithashtu se janë të gatëshëm të mbështesin komunitetin e vet në këtë vend, duke mbështetur kandidatët, si Suzanna Shkreli, për poste të ndryshme shtetërore dhe federale.

Në këtë frymë mbështetjeje për të cilën është dalluar deri tani komuniteti, kandidatja shqiptaro-amerikane për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është takuar para dy javësh me një grup aktivistësh të komunitetit në New York dhe të djelën më 9 tetor – siç mund të shihet në njoftimin më poshtë — ajo ka në plan të marrë pjesë në një takim fond-mbledhës për fushatën e saj, në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, të sponsorizuar nga Shoqata Malësi e Madhe, Shoqata Kosova, Shoqata Dukagjini, Shoqata Vatra dhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i shtetit Miçigan.

Ndërkaq, gjithashtu, Dr. Gjon Buçaj sapo njoftoi se në Kryeqëndrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut, organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë organizon të djelën me 9 tetor nga ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzanna Shkrelit.

Frank Shkreli: Bashkimi kombëtar nuk është ide abstrakte

Tre Tetori shënon Ditën e Bashkimit Gjerman. Çdo vit në këtë datë, Gjermania feston ditën kur në vitin 1990 Gjermania lindore dhe Gjermania perëndimor u bënë një. Bashkimi paqësor i Gjermanisë pas ndarjes prej disa dekadash nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e vendosur të “miqëve tanë amerikanë”, thuhet në portalin e misioneve diplomatike të Gjermanisë, në Shtetet e Bashkuara.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Presidenti gjerman Joachim Gauck theksoi se në këtë ditë, ne kujtojmë të gjitha ato që kemi arritur gjatë disa viteve të kaluara të historisë tonë. “Ne festojmë”, shtoi ai, “dëshirën për liri, të kërkuar nga qytetarët në Leipzig, në Plauen, në Berlin dhe në shumë qytete dhe lokalitete të tjera të Gjermanisë lindore. Ishte Revolucioni i tyre Paqësor që e bëri të mundur bashkimin e dy shteteve gjermane”, nënvijoi presidenti Gauck.  Presidenti gjerman theksoi gjithashtu se sot “festojmë arritjen e një shteti, në të cilin miliona qytetarë, me një ndjenjë vet-besimi, iu përveshën punës dhe realizuan objektivin kombëtar, që ishte bashkimi.”

Udhëheqësi gjerman, në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, përmendi edhe gjendjen aktuale në Gjermani që ai i cilësoi si “të turbullt dhe të vështirë”, ndërsa përballemi rishtas me detyrën për të siguruar bashkimin e brendshëm të vendit tonë, nënvizoi ai. Duke folur për krizën aktuale të refugjatëve si një sfidë e veçantë për mbarë vendin, Presidenti Gauck u shpreh se ai është i vetëdijshëm ndaj shqetësimeve të shumë qytetarëve në lidhje me gjendjen e krijuar nga refugjatët, por theksoi se, “është me rëndësi që konfliktet të zgjidhen haptazi dhe me mënyra paqësore duke u bazuar në ligjet bazë të vendit”. Gjermania, tha me këtë rast presidenti Gauck, me gjithë sfidat me të cilat përballet, është e fortë dhe stabile. Në lidhje me situatën në radhët e Bashkimit Evropian, udhëheqësi gjerman tha se qëllimi është që të rivendoset bashkimi i brendshëm dhe diversiteti. “Në duhet ta bëjmë Evropën më të fortë, me qëllim që të ruajmë paqen, lirinë, sigurinë dhe begatinë”, në mbarë kontinentin, tha ai.

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan i uroi popullit gjerman, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.  Në mesazhin e tij, krye diplomati amerikan kujtoi jetën e tij në Berlin në vitet 1950, duke thënë se ishte vet dëshmitar i efekteve të dëmshme që kishte sjellë ndarja e dy gjermanive gjatë luftës së ftohtë. Në atë kohë, shtoi ai, shumë besonin se Gjermania nuk do të bashkohej kurrë më dhe se qytetarët e dy pjesëve nuk do të lejoheshin kurrë më të jetonin së bashku nën flamurin e demokracisë.  Në mesazhin drejtuar kombit gjerman me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kryediplomati amerikan shprehu mirënjohjen e tij për miqësinë e thellë që ekziston midis dy vendeve, duke venë në dukje lidhjet që ekzistojnë midis dy shteteve, në fushën e sigurisë si dhe për vlerat dhe interesat që ndajnë këto dy vende në fushë të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare.  Çdo ditë, theksoi John Kerry, në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, “Ne konsultohemi mbi mënyrat për të shënuar përparim drejtë objektivit tonë të përbashkët për një botë më stabile, më në paqe dhe më të begatë.”  Në këtë Ditë të Bashkimit të Gjermanisë, le të ritheksojmë angazhimin tonë të fortë ndaj aleancës midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfundoi Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerry.

Është e pamundur që me një rast si ky, siç është Dita e Bashkimit të Gjermanisë, të mos na pështillet në mend edhe aspitarë e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Gjermanët i dhanë fund ndarjes artificiale më 3 shtator, 1990 dhe bënë që kombi i tyre, me gjithë historinë e vështirë për veten dhe për të tjerët, e bënë shtetin gjerman që përsëri të respektohej në botë.   Edhe kombi shqiptar është artificialisht i ndarë, për më shumë se një shekull tashti. Arsyet e ndarjes se Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishin të ndryshme dhe ndoshta të justifikueshme, në krahasim me ndarjen e tokave shqiptare, ku fqinjët e pangopur kërkonin dhe morën me dhunë tokat e Arbërit me miratimin e fuqive te mëdha evropiane te kohës. Të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë e dinë se nuk ka Shqipëri të madhe e as Shqipëri të vogël — ka vetëm një Shqipëri — atje ku flitet shqip, brenda territorit me homogjen në Evropë. Ndjenjat dhe shpresat e Shqiptarëve për një shtet për të gjithë Shqiptarët në Ballkan e kanë zanafillën tek Gjergj Kastrioti, ndjenja këto që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të parët e shqiptarëve — në prag të rrezikut të copëtimit të mëtejshëm të kombit — i thanë Evropës dhe botës, ndal se këtu ka Shqiptarë që I dalin zot këtij trualli.

Ka njerëz që thonë se për shqiptarët nuk ka ardhur koha ende për bashkim.  Madje udhëheqësit më të lartë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kur pyeten në lidhje me këtë temë, thonë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në kuadër të anëtarësimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Evropian. Mrekulli, por ama këtu qëndron problemi për shqiptarët, pasi anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të afërt, për arsye të një numri mos plotësimit të një numri kriteresh të kërkuara nga BE-ja, për të gjitha vendet që kërkojnë anëtarësim, përfshirë zhvillimin e mirëfilltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe në Kosovë.  Fatkeqësisht, pa konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pa zbatimin e ligjeve që duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe ku të drejtat e njeriut të mos konsiderohen si të shenjta për të gjithë, është vështirë të merret me mend se Shqipëria dhe Kosova do të anëtarësohen së shpejti në BE ashtu siç pretendojnë disa zyrtarë në të dy anët e kufirit. Frika është se pa konsolidimin e këtyre kërkesave nga të dy shtetet shqiptare, nuk do të ketë as anëtarësim në Bashkimin Europian dhe as bashkim e integrim të shqiptarëve.  Ndërsa pa bashkim dhe bashkërendim të qëndrimeve dhe të mendimeve të shqiptarëve, të të gjitha trojeve, për një jetë të përbashkët në të ardhmen me respekt për njëri tjetrin, fatkeqësisht nuk do të ketë as bashkim eventual të trojeve shqiptare. Si rrjedhim, statuskoja do të vazhdojë, falë vet shqiptarëve.

Megjithëkëtë, bashkimi i shqiptarëve nuk është dhe nuk duhet të jetë një ide abstrakte, e pa arritshme. Dihet se për shqiptarët kudo, bashkimi kombëtar mbetet ende një ëndërr që nuk shuhet. Ashtu edhe duhet të jetë.  Kështu  që, ndërsa kombi gjerman feston bashkimin e Gjermanisë me 3 tetor, ashtu edhe shqiptarët shpresojnë që të festojnë një ditë bashkimin kombëtar– nën flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, brenda kufijve të vet natyror, në paqe dhe bashkëpunim me fqinjët e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e pandarë e Evropës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar, krah për krah edhe me kombin e bashkuar gjerman.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …