leoni

RKL: Fushata kundër vlerave të UÇK-së vazhdon, por ata që bashkuan armët për çlirimin e Kosovës, “prej luftës nuk largohen...” I

RKL: Kush është fajtori kryesor për “Piramidën e mashtrimeve” të kategorive të luftës së UÇK-së?

Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së dhe Viktimave civile u miratua në dhjetor të vitit 2011 ndërsa Kuvendi kishte marrë vendim që  Ligji të zbatohet nga 1 janari i vitit 2012. ( Ligji  Nr. 04/ L-054, 8 dhjetor 2011).

Kanë kaluar gjashtë vjet qyshkur ishte marrë ky vendim, ndërkohë që Qeveria kishte themeluar Komisionin Qeveritar për kategoritë e luftës duke shpallur paraprakisht njëlloj konkursi për aplikim publik të të gjithë atyre që kishin marrë pjesë në luftë, ose e kishin ndihmuar atë.

Mungesa e një qasje reale dhe profesionale, ose dinakëria e personave përgjegjës të Qeverisë së asaj kohe, bëri që ky projekt të deformohet dhe të konceptohet si mundësi për të përkrahur kategoritë e luftës, për t’i ndihmuar materialisht dhe me qëllim për t’i përfituar mbi baza partiake, familjet e caktuara, për rritjen e elektoratit në zgjedhje. Ishte kjo njëlloj blerje jo e rastit e votuesve, jo vetëm për një palë zgjedhje, por e blerjes së një elektorat konstant, sidomos nga partitë që konsiderojnë se kanë dalë nga lufta, të cilën edhe e sforcojnë argumentin kryesor për merita dhe për të fituar në zgjedhje, për ta mbajtur pushtetin sa më shumë që është e mundur, pse jo përgjithmonë nëse kjo mund të arrihet.

Koha tregoi se gabimi në qasjen metodologjike të këtij problemi ishte aq i madh dhe i pafalshëm sa tani, ka filluar të shpërthejë dhe ndërkohë do të manifestohet  me tërë virulencën, e cila vështirët se do të mund të kontrollohet.  Kjo po bën që të përballemi edhe  me një problem tjetër të mprehtë social, pikërisht në kohën kur po mbretëron një gjendje tejet kaotike në çdo sferë të jetës së organizuar institucionale dhe jashtë saj.

Nëse nuk ka qenë gabimi në qasje, atëherë keni të bëjmë me një dinakëri djallëzore, e cila sapo ka filluar të vlojë dhe nuk kam dyshim se projektuesit edhe kësaj radhe do t’ ia dalin t’i fshehin këmbët, meqë fajin do ta hedhin te të tjerët, për t’ i djegur dhe për t’ i hedhur si lecka pa vlerë, disa nga bashkëluftëtarët.

Padia e ngritur nga Prokuroria kundër 12 të pandehurve për falsifikim të të dhënave për kategoritë e luftës, është vetëm fillimi i shembjes së kësaj Piramide, e cila po ndodh në kohën e aktivizimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, bisedimeve me Serbinë dhe gjendjes gjithnjë e më të rënduar sociale të qytetarëve të vendit tonë.

Krerët e këtij projekti e kanë ditur fort mirë numrin e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve. Secila zonë ka pasur të evidentuar numrin e ushtarëve, por edhe të pjesëtarëve të logjistikës, qoftë asaj të organizuar, duke filluar nga Këshilli i Emergjencës, pastaj edhe  fondet financiare jashtë Kosovës.

Dihet po kështu botërisht se prej tetorit të vitit 1998, UÇK-ja ishte strukturuar  dhe ishin krijuar të gjitha formacionet përkatëse të operativës, si zonat e nën-zonat, pastaj brigadat, batalionet, togjet,  njësitë speciale dhe tërë nomenklatura në krye me Shtabin e përgjithshëm, i cili thënë të vërtetën asnjëherë nuk arriti të konsolidohej si duhet, por çuditërisht ka funksionuar, në radhë të parë falë gatishmërisë dhe shpirti të sakrificës së luftëtarëve të lirisë, eprorëve të caktuar, të cilët gjatë tërë kohës së luftës asnjëherë nuk u larguan nga vijat dhe pikat e fronteve, por edhe strukturave të tjera relevante, në vend, Shqipëri dhe në disa shtete të Evropës perëndimore.

Po të kishte pasur vullnet, përkushtim dhe angazhim meritor, çështja e kategorive të luftës do të ishte zgjidhur me qasjen përkatëse metodologjike, duke filluar nga kreu, ashtu sikur zgjidh problemet ushtria kudo në botë.

Për luftëtarë aktivë të lirisë, tani veteranë, shënimet ka qenë dashur t’ i deponojnë në radhë të parë eprorët, komandantët prej komandantëve të togjeve, të njësive, të batalioneve e brigadave. Ai komandant përkatës që nuk ka mbajtur shënime dhe nuk do të kishte arritur të dëshmonte pjesëmarrjen në luftë të pjesëtarëve njësisë së caktuar, për të cilët ka qenë i caktuar nga instanca më e lartë, do të duhej të ishte larguar nga radhët, duke i marrë edhe statusin e veteranit. Në raste të tilla do të duhej të vendosej përmes disa dëshmitarëve.

Vetëm në këtë mënyrë do të kishte funksionuar dhe duhet të funksionojë procesi i evidentimit të kategorive të luftës.

Shpallja e konkursit solli kaosin, sepse të drejtën për aplikim e kishin të gjithë qytetarët  e Kosovës, dhe unë personalisht habitem si nuk kanë konkurruar të paktën 100.000 familje me pjesëtarë nga radhët e popullatës, e cila edhe pse në kushte dhe rrethana të represionit fashist, shfaronjës  nga ushtria  dhe policia serbe, nuk u dorëzua dhe nuk pranoi ta lëshojë tokën e përgjakur të Kosovës. Por pjesa më e madhe e tyre nuk kanë konkurruar, sepse kanë dinjitet, kanë idealizëm, kanë njerëzi dhe moral kombëtar e njerëzor, sepse me të drejtë logjikojnë se luftën dhe ndihmën e tyre ia kanë falur çlirimit të atdheut, jo për ta kompensuar materialisht pas luftës, sepse ata nuk ishin mercenarë, por bij e bija besnike të këtij kombit, të vuajtur e të stërvuajtur  gjatë shekujve.

Të tillët, nga kjo kategori bazike e idealistëve të kombit nuk konkurruan, sepse ata atdheut i kanë dhënë dhe i japin, dhe nuk kërkojë ta zhvasin atë sikur bëjnë politikanët e vendit, me ndonjë përjashtim krejt të rrallë.

Në konkursin për kategori të luftës, konkurruan një pjesë madje edhe e bashkëpunëtoreve të hapur  të gjitha regjimeve, me qëllim për të mbyllur valvulat e mercenarizmit familjar, dhe çuditërisht shumë prej tyre zhbiruan çdo vrimë dhe u shpallen veteranë-luftëtarë, jo vetëm për të zhvatur  ato 170 euro “mëshirë” të Qeverisë, por për të fituar “moral kombëtar”, për të rrahur gjoks për patriotizëm, ashtu si baballarët e tyre për patriotizmin jugosllav të Rankoviqit e Titos, ndërsa  gjysh stërgjyshërit për Kralin e Babë-Sulltanin.

Mashtruesi i madh dhe krijuesi i kësaj Piramide është Qeveria e Kosovës dhe ajo do të duhej ta pranonte fajin, por edhe pasojat e krijimit të kësaj gjendjeje kaotike në mesin e veteranëve, duke bërë ngatërrime të pafalshme, duke shpallur të shpifur veteranët e vërtetë dhe duke i shpallur veteranë edhe ata që nuk kanë qenë fare në luftë dhe që e kanë kundërshtuar  atë deri në qershor të vitit 1999.

Pajtohem me mendimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi i cili kërkon që çështja e veteranëve të sillet sërish në Kuvend dhe të fillojë nga e para, sepse ndjekja penale për 22.000 veteranë do të zgjaste me vite të tëra dhe do të degradonte përfundimisht  tërë procesin, pa dhënë asnjë rezultat.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …