Ramadan Bozhlani: A dëgjuat ndonjë pyetje nga të zhdukurit gjatë ikjes nëpër Serbi?

Shpresa e mëshirës kaloi nga një fytyrë tek një fytyrë tjetër dhe nga një vit tek një vit tjetër deri sa u ligështua nga forca morale dhe u dergj nga lëngata. 

Moralistët hoqën dorë me keqardhje dhe dëshpërim nga teoritë e tyre, atdhetarët u zhgënjyen ndërsa vetëm ata që këmbëngulen në përndezjen e fantazisë luksoze në kushte mjerane siç janë politikanët kryelartë mbetën të poshtëruar karshi atyre që me dhimbje vendosën të shpërngulen nga trualli arbëror i ushqyer me gjakun fisnik. 

Shtëpitë e arnuara nga plagët e luftës sot po ndërrojnë titullar, e disa të tjera po e përjetojnë aktin fatal mbylljen e dyerve me shtat dryna.

Pyetjet e të trishta të mësimdhënësve: kush mungon sot?

 

Ju përgjigjen me zë të përvajshëm nxënësit: ata më të zellshmit që i shikonim  si e ardhmja e vendit, kanë marr rrugën për emigrim!

Familje, shkolla, lagje, qytete dhe vendlindje lamtumirë se shpresa po na zhvendos në toka të tjera përmes udhëve të torturueshme.

Ndarjet e këtilla tepër të vështira po e ujitin me lotët e dhimbjes tokën për të cilën u flijuan në emër të lirisë.

 

Shtatë vjetori i pavarësisë do t’i gjejë nëpër përrenj, nëpër male dhe nëpër rrugë të dërrmuar, të lagur, të baltosur, të frikësuar, të tmerruar dhe me ankthe mu në shtetin e atyre që qenien tonë kombëtare e torturuan, e dhunuan, e masakruan, e pushkatuan dhe u  munduan me të gjitha forcat akademike, diplomatike, politike dhe ushtarake te çbanojnë nga trualli amnor e me kënaqësi edhe nga ky planet, por, motivet e ikjes janë edhe më tragjike: kafshata e bukës, shërimi i sëmundjeve dhe e ardhmja e fëmijëve. 

Edhe familjarët e të zhdukurve udhëtojnë për të njëjtat arsye nëpër ato rrugë dhe mund të shkelin mbi eshtrat e familjarëve të tyre sepse ai shtet mban peng eshtrat e afërsisht dy mijë të zhdukurve. 

A ka gjë më të rëndë nën këtë qiell se sa familja të shkel mbi eshtrat  e anëtarit të tyre të zhdukur që nga lufta, dhe ai atje nën tokë të klith nga gëzimi se familja e tij mbi tokë erdhi për t’ia kthyer eshtrat në vendlindje, por ata mbi tokë i preokupojnë edhe një mijë brenga të tjera dhe nxitimthi mundohen ta kalojnë territorin e atij shteti që ju ka hap plagë të pa shërueshme.

Klithja në formë të pyetjes e nxjerrë nga eshtrat e të zhdukurve nga nën toka e Serbisë e çan dheun dhe i ndjek pas: kush po ju detyron ta braktisni atdheun, për të cilin ne u flijuam ?!

 

“Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”,   Migjeni përmes kësaj fraze shtrin fuqinë e fjalës poetike për ta kapur dramaticitetin e mjerimit të njeriut shqiptar edhe në vitin 2015-të.

Vetëm për një çast të mundohemi t’i ndjejmë shumë prindër kur fëmijët e tyre kanë nevojë për shërim dhe parat për kontrolle mjekësore dhe barna duhet t’i sigurojnë duke trokitur nëpër porta të shumta. A nuk është ky një terror emocional për çdo nënë e baba?! E ka edhe shumë situata të tjera të ngjethura që zemrën njerëzore e copëtojnë në mijëra pjesë.

Preokupimet e larmishme dhe të pandashme prej shumë vitesh shumicën e popullit e orientuan drejt një vendimi të tillë fatal, dhe përball këtij vendimi kushdo e në veçanti ata që ishin përgjegjës për mirëqenien e tyre privohen nga e drejta morale për ta vë para përgjegjësisë këtë karvan njerëzish të rrënuar moralisht. 

Ky fenomen po i trondit edhe eshtrat nën varre por siç duket shqiptarët po kërkojnë me vendosmëri prespektiv, i kanë mbyllur veshët e stërlodhur nga broçkullat dhe s’ka njeri që i spraps dhe t’i rikthehen në botën e tyre të zhveshur nga shpresa dhe ëndrrat, nëpër sofrat e tyre ku kryepjata është e mbushur me lëng dhe nëpër ambientet e tyre ku më shumë zotëron terri se sa drita.

 

Gjysma e qeverisë së sotsme mbart mallkimin dhe përgjegjësin për këta lot të derdhur të dhimbjes sepse ajo ishte ne krye të tyre përgjatë tetë viteve, le te merr inciativen fisnike për të ja konfiskuar pasurin atyre që u pasuruan në kurriz të popullit dhe për t’i rehabilituar këta njerëz që do të kthehen me varfanjak se sa ishin.

Ndërsa kryeministri le të merr një inciativë tjetër fisnike duke u kërkuar pagat e gjashtë mujorit të paralizës institucionale deputetëve si dhe uljen e rrogave të tyre në emër të rehabilitimit të këtyre të mjerëve.

 

Shpresa kthehet me plane konkrete që kanë synim fonde për mirëqenien e tyre, e jo deklaratat  e thata dhe foshnjore se tek e fundit ju do të mbartni mallkimin historik për humbjen e dinjitetit të këtij populli fisnik.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …