Mr.sc. Ymret Reshiti: Ndikimi i mendimit politik dhe karakterit shumë dimensional të Ukshin Hotit në çështjen shqiptare

Mendimi politik i Ukshin Hoti paraqet mendimin më    guximshëm politik shqiptar në ish Jugosllavi që nga vitet 1945-1991, ngase u bë   intelektual dhe zyrtari i   parë i  ish krahinës së  Kosovës që   mori  mbi supe misionin  e shenjtë të  mbrojtjes dhe  legalizimit  të së drejtës së  Kosovës për republikë, në kohën kur fatet e popullit shqiptar nën Jugosllav ishin në rrezik.

Gjatë  kësaj periudhe kohor   mendimi politik për  Çështjen Shqiptare në ish  Jugosllavi dhe  çështjen e republikës së  Kosovës,  shtrinte shtrat dhe zhvillohej në ilegalitet të thellë nga  veprimtarët e kohë.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 sollën zgjimin kombëtarë në Kosovë dhe kudo që kishte shqiptar, dhe pikërisht ishte kjo ngjarje që solli edhe shpërthim intelektual të profesor Hotit,  këtij uragani të mendimit politik të çështjes kombëtare shqiptare,  i cili rrezatoj dritë atdhedashurie mbi errësirën që politika sllave na kishte krijuar para syve tanë,nën parullën e bashkim –vëllazërimit dhe internacionalizmin socialist.

Ishte profesor Hoti,  i cili  lidhur me demonstratat e studentëve të  prillit të  vitit 1981 në  mbledhjen e OB të LK-së në fakultetin Filologjikë  me 19.11.1982, bëri  mbrojtjen e demonstratave të studentëve, me argumente shkencore duke theksuar se  demonstrata dhe kërkesa për Kosovën  republikë ishte evolucion  i kohë,  i shkaktuar  nga pabarazia  statusore ekonomike e Kosovës  si njësia    e  varfër në  federatë dhe pikërisht kjo pabarazi  kishte shkaktuar Jazin e madh  social të Kosovës  me njësit tjerat të zhvilluara të Jugosllavisë.

Si politikan vizionar dhe i guximshëm, profesor Hoti përpiqej të  bindte  politikën zyrtare në  Kosovë, Serbi dhe Jugosllavi, se  do të  ishte i dobishëm  avancimi politik  statusor i Kosovës   nga krahina në  republikë, duke potencuar  rolin   esencial që  ka vendosja politike në  përcaktimin e parakushteve për zhvillimin ekonomik  dhe    hovshëm në  këtë  krahinë. 

Ai insistonte fortë     këto ngjarje    kuptohen në  ligjshmëri me shkaqet  dhe rrethanat  dhe mos të  merren    fragmentuara dhe shkëputurazi sepse të   gjitha bashkërisht  përbënin  një  unitet dialektik  shkak – pasoj. Në  kontekst të  kësaj   prof. Hoti thoshte:   Për këtë shkak kjo që ngjau, dhe kërkesat që u shtruan në atë mënyrë, esencialisht ndodhën brenda kësaj ligjshmërie dhe nuk mund të shpjegohen jashtë saj. Me fjalë të tjera, kërkesa për Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik.

Mendimi politik i profesor  Ukshin Hotit ishte mendim që përbrenda tij kultivon demokracinë me vlerat e saj më sublime, atë  lirisë së mendimit dhe të fjalës. Atë demokraci të cilën e kultivoi  brenda vetës së tij të madhe edhe pse jetonte në një ambient fare të ngushtë, për përmasat e tij intelektuale që i pati, që jetoi në një ambient  ku çdo qastë  përballej me përndjekjen, burgimin, izolimin dhe lënqimin( bojkoti). Profesor Hoti në gjykimin e vitit 1994,  i drejtohet me këto fjalë gjykatës serbe:” Ju të gjithë e dini se republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se republika e Serbisë de facto e njeh”. Liria e mendimit dhe fjalës  u mishëruan pandashëm me profesor Hotin,  i cili kudo që gjendej  kultivonte dhe mbronte me fanatizmin intelektual dhe patriotik këto vlera, në gjykime, burgje, izolime, në gazeta, protesta dhe tubime, kudo që i jepej mundësia. Ai paraqet avokatin më të madh të Çështjes Kombëtare, i cili krijoi një praktik të re gjyqësore, që nuk njihej deri atëherë nga gjyqësori ngase përmes fjalës së tij të  mbrojtjes, para gjykatës serbe, në mënyrë brilante  bëri mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, me fakte dhe dëshmi historike,  politike, ekonomike, sociale dhe praktike, kështu duke demaskuar para botës  regjimin serbo sllav, i cili përmes gjykimit të shqiptarëve, po  e gjykonte dhe e dënonte të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar.

 Mendimi politik i  Ukshin Hotit ishte mendim  paqësor dhe jo ekstremistë,  ngase jepte porosinë paqësore,  pasi që  ndiqte rrugën institucionale të realizimit. Profesor Hoti shprehej “,Duke e njohur edhe de jure republikën e Kosovës, serbët nuk bëhen popull më i vogël dhe as shqiptarët popull më i madh. Në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë”. Luftën e parashihte si proces të pashmangshëm, bazuar në  zemër ngurtësinë e politikës  serbe  për të pranuar Kosovën si republikë, ashtu siç e shihte si proces të pashmangshëm pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimin Kombëtar. Për luftën profesor Hoti thoshte :“Një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrë njëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta. I takon virtytit të mençurisë së një populli përpjekja që idealet e veta t’i sendërtojë pa gjakderdhje. Do të duhej të ishte në natyrën e idealit të sendërtohej pa gjakderdhje”.

 Mendimi politik  i Ukshin Hotit ishte force nxitëse dhe  shtytëse, në lëvizjen e proceseve politike në vend e rajon sepse kreativitetin shkencor të politikës e ndërlidhte me rrethanat politike që mbretëronin  asokohe. Aksioma e mendimi politik të  Ukshin Hotit  ishte: Veprim, rezistencë, qëllim, unitet, rezultat. Mendimi politik i profesor Hotit kërkonte rezistencë aktive ndaj regjimit Serb. Sipas Profesor Hoti,  rezistenca  aktive  nënkuptonte aksionin ” se duhet të jesh më i pranishëm në ngjarjet, më agresiv në kërkesat, më i vendosur në pikëpamjet tua dhe më demokratik në hapësirën informative”.   Mendimi i tij  politik mishërohej me argumente shkencore dhe në  lidhje dialektike me tërë proceset politike  të kohës , diku duke ju prirë e diku duke  i shtyrë ato tutje.

 Mendimi i tij politik i Ukshin Hoti ishte i drejtpërdrejt dhe bindës. Në shprehjen e mendimit të tij, i shmangej dykuptimësive, sipërfaqësisë dhe përgjithësimeve. Ai dëshironte që të kuptohej drejtë ajo që e mendonte dhe që e shprehte  sepse vetë kështu mund të kuptohej “esenca e  çështjes” dhe mund të gjendej zgjidhja. I vetëdijshëm se mendimi i  tij ishte i drejtë, e mbronte deri në imtësi me guximin dhe  me sakrificën më të madhe intelektuale dhe patriotike. Profesor Hoti me bindje thoshte se “Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik, dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij një shtet të vetëm shqiptar”. Në lidhje me luftën e popullit Shqiptarë  për vetëvendosjen e Kosovës dhe bashkimin kombëtar  shqiptar në një shtet, bindja e profesor Hotit  shkonte  deri në sakrificën e tij, i cili thoshte: “ Nuk ekziston asnjë arsye me peshë që të mos fitohet kjo luftë. Ndoshta do të humbet ndonjë betejë, por lufta doemos do të fitohet, sepse kurrë njëherë nuk do të pajtohemi me rënien e jetës”.

 Mendimi politik i Ukshin Hoti nuk kishte kurrfarë ngjyre ideologjike, pos idealeve të shenjta të popullit.  Nuk është e drejtë që ai të akuzohet, herë si majtistë e herë si djathtist, vetëm pse  promovonte  më shumë se çdokush tjetër konceptin e  demokracisë. Ishte   çështje  e maksimës së tij  të ndërlidhjes së tij me popull dhe për popullin.  Profesor  Hoti  angazhohej që demokracia ndër shqiptarët të linde natyrshëm, pa imponime  dhe pa kopjime . Vetëm  Demokracia autentik ishte demokracia e vërtet  me tërë fizionominë e saj natyrore dhe ai ishte kundër fragmentarizmit të demokracisë dhe stereotipave të saj. Sipas prof. Hotit “ Demokracia Autentike me një linjë të qartë të zhvillimit dhe të orientimit të vet dëshiron që t’u ofrojë mundësi të barabarta, të gjitha opsioneve -që të shfaqen, të gjitha specificiteteve-që të shprehen, dhe të gjitha angazhimeve -që të marrin trajtë…ajo nuk dëshiron ta detyrojë shoqërinë t’i përshtatet demokracisë, por që demokracinë t’ia përshtatë shoqërisë.”

 Mendimi politik i Ukshin Hotit është mendim thellësisht intelektual, që  vinte në spikamë urtinë . Profesor Hoti thoshte “Okupatorët provojnë që përmes individit të kontrollojnë masat e gjera…” Ai përkujtonte  udhëheqjen  politike të Kosovës për obligimin që kishin ndaj popullit, që  të mos bënte gafe   në dëm të çështjes së Kosovës ose ,,axhamillëk” . Sipas tij “Vrapimi pas famës mund të shpjerë në donkishotizëm, kurse veprimet politike kanë kuptim në vete, vetëm atëherë kur një njeri apo shumë sish me veprimet e tyre bëjnë që fama t’u vijë pas “. Gjatë një ligjërimi të profesor Hotit në një  tubim, një aktivist politik i kishte drejtuar një pyetje provokative profesor Hotit duke i thënë ”se mos doni të na ktheni komunizmin?”Por profesor Hoti me urtin që  kishte, ia ktheu: “Jo, por duam t’ua çrrënjosim feudalizmin”.

 Mendimi politik i Ukshin Hotit është mendim  vizionar. Në lidhje me perspektivën e kombit shqiptar, profesor Hoti thoshte: “Perspektiva e bashkimit të shqiptarëve në një shtet shqiptar rrjedh pikërisht nga nevoja e zhvillimit, nga nevoja e rritjes së brendshme dhe nga theksimi i dobisë së përgjithshme prej saj”. Vizioni i Ukshin Hoti tejkalonte kombëtaren dhe mbizotëronte ndërkombëtaren. Si luftëtar i denjë për lirinë dhe pavarësinë, ai insistonte që edhe Evropa e Bashkuar  të ishte faktor i rëndësishëm dhe domethënës në proceset globale, në shërbim të vetvetes dhe jo në shërbim të diktatit të të tjerëve. Profesor Hoti thoshte:”  Evropën e Bashkuar nuk e shoh si mbështetje të diktatit të një apo dy fuqive, por në mbështetje të popujve të saj. Evropa do të duhej të ishte në funksion të vetvetes, e jo në funksion të dominimit të jashtëm.”

  Mendimi politik i Ukshin Hoti për shumë vite u bë institucion i fuqishëm  që brumoste thukët argumentet shkencore dhe praktike,  mbi të drejtën e Kosovës për republikë dhe zgjidhjen e drejtë të Çështjes Shqiptare në Ballkan. Mendimi i  tij politik u bë Muzë mbrojtëse  dhe  fije  shpresë për rinin e rebeluar studentore kundër zgjedhës serbo jugosllave, dhe si fanar u rrezatoi mendjeve të tyre të njoma, duke iu trasuar rrugën e drejtë dhe autentike të çlirimit, pavarësisë dhe bashkimit. Mendimi politik i profesor Hotit u bë pikë strehë dhe  pikë referimi në krijimit dhe zhvillimit e rezistencës së armatosur  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Mendimi i politik si doktrinë politike Ukshinhotiane

 

Dekada e vitit 1981-1991 mbeti nën hijen e mendimit politik të Ukshin Hoti, si mendim i vetëm që i kundërvihej  propagandës dhe elaborateve serbo sllave ndaj Kosovës dhe Çështjes Shqiptare në Ballkan,prandaj, nuk do të ekzagjerojmë nëse themi se  kjo dekadë mund të quhet si  dekada e mendimit politik Ukshinhotian.

Vlera e mendimit të tij politik dhe filozofik, janë vlera të pamohueshme, të  pakapërcyeshme,  që burojnë nga një mendje  thellësisht intelektuale, që  mendimin e tij politik autentik, e ngre mbi të vërtetën historike juridike të kombit shqiptar, në rrethana tepër të vështira për kombin, i cili mendim pastaj u formësuar në doktrinë politike Hotiniane.

Ukshin Hoti është princi  i mendimit politik shqiptar,  krahas princave tjerë, të kombit shqiptar si: Sami Frashri, Ismajl Qemajli, Hasan Prishtina, Fan Noli,Gjergj Fishta etj.

Dimensioni i mendimit të tij politik, më së miri profilizon figurën e ndritur të profesor Ukshin Hotit, të cilin e bënë KOLOSË të mendimit politik Shqiptar.

Sa herë që do të mblidhemi për të folur  për Ukshin Hotin, gjithnjë e më shumë do të  kuptojmë  se kemi thënë mjaftë pak …fare pak  dhe do të bindemi, se për të kemi për të thënë  shumë e më shumë, ndër vite e   brez pas brezi.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …