Faik Miftari: “Mbreti me shtatë yje”

Para ca kohësh, me rastin e vizitës që bëra në Novi Pazar, pata rastin të takohem edhe me myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorliçin, lider karizmatik, udhëheqës shpirtëror, por edhe nacional jo i vetëm boshnjakëve të Sanxhakut, por lirisht mund të them edhe i boshnjakëve në tërësi.Në këtë shkrim do të ndalem në tri çështje kryesore nga bashkëbisedimi me myftiun Zukorliç, që sipas mendimit tim do të ishte interesant për opinionin tonë publik shqiptar. E para, është politika dhe pozita e Sanxhakut në një të ardhme evropiane, e dyta, myftiu i Evropës në aspektin e integrimeve evropiane dhe e treta, çështja shqiptare në përgjithësi e Kosova në veçanti dhe raportet  me boshnjakët në përgjithësi e me Sanxhakun në veçanti.


 


E para, politika dhe pozita e Sanxhakut në një të ardhme evropiane.


 


Sanxhaku si rajon autonom është themeluar me vendimin e Kongresit të Berlinit në vitin 1878, qysh atëherë ka pas një pozitë specifike në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në raport me Perandorinë Habsburge. Në vitin 1912 pushtohet dhe ndahet në mes Serbisë dhe Malit të Zi, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga  Ballkani. Autonomia e Sanxhakut, në historinë më të re, themelohet më 20 nëntor 1943, në mbledhjen e Këshillit Antifashist Vendor të Sanxhakut (ZAVNOS) që u mbajt në Plevlje të Malit të Zi, në të cilin morën pjesë 252 delegat në punimet e Këshillit, ku janë zgjedhur 62 anëtarë për Kuvend, si dhe ishte zgjedh edhe Këshilli Ekzekutiv i Sanxhakut prej 10 anëtarësh, dhe për kryetar ishte zgjedhur Sreten Vukosavljeviç, një serb i asaj kohe, luftëtar i paepur për Sanxhakun si njësi territoriale politike. Në vitin 1945, pas suprimimit të autonomisë së Sanxhakut dhe ndarjes së tij përsëri në mes Serbisë dhe Malit të Zi, kryetari i Sanxhakut Sreten Vukosavljeviç ka refuzuar të nënshkruaj aktin e ndarjes së Sanxhakut dhe suprimimin e autonomisë së Sanxhakut të themeluar në vitin 1943, me ç’rast do të jetë i përndjekur nga regjimi i atëhershëm komunist. Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë përsëri doli në shesh angazhimi dhe lufta politike për rikthimin e autonomisë së Sanxhakut, tani e udhëhequr nga myftiu i Sanxhakut, Zukorliç, por në një aspekt të ri politik, atë të integrimeve evropiane dhe modeleve të Bashkimit Evropian për Sanxhakun, një rajon autonom tejkufitar ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Në bisedë e sipër alfa dhe omega e përpjekjes politike dhe fetare e myftiut Zukorliç ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen angazhimi i tij:


” Në luftën politike për autonominë e Sanxhakut ndaj Beogradit dhe Podgoricës, si dhe angazhimi i tij për autonominë e Bashkësisë Islame të Sanxhakut ndaj Sarajevës dhe Ankarasë”. Ardhmërinë e Sanxhakut myftiu Zukorliç e sheh në konceptin e integrimeve evropiane si dhe zgjidhjes politike të rajonit autonom në bazë të modeleve të Bashkimit Evropian. Myftiu lidhur me këtë temë të trajtuar e përfundoi me porosinë:” Unë, së shpejti pres që do të fitojë bashkëbisedues për zgjidhjen e çështjes së Sanxhakut nga Beogradi dhe Podgorica të cilët do të kenë kapacitetin e Sreten Vukosavljeviçit”.


 


E dyta, myftiu i Evropës në aspektin e integrimeve evropiane.


 


Myftiu Zukorliç këtë ide e hodhi në një takim të përbashkët të mbajtur në Zagreb, kohë më parë, me myftiun e Zagrebit dhe Lubjanës, ku propozoi që në kuadër të integrimeve evropiane në një të ardhme të afërt, duhet themeluar Këshillin e Myftinjëve të Evropës, bërthamën e të cilës do të përbënin pikë së pari myftinjtë  nga populli boshnjak dhe shqiptar,  të vetmit popuj autokton evropian myslimanë, si dhe prej myftinjve të diasporës anembanë Evropës ku janë të përqendruar në një masë të madhe myslimanët në Evropë. Këtu do të duhej të zgjidhen në veçanti myftinjtë që kanë autoritet në masë dhe kanë kapacite të larta fetare, intelektuale, politike, shoqërore, kulturore. Pasi që të zgjidhet Këshilli i Myftinjëve,  nga rradha e tyre ata do të zgjedhin Myftiun e Evropës, i cili do të ketë rolin e një autoriteti më të lartë shpirtëror mysliman në Evropë, si Myfti i Evropës, titulli më i lartë fetar në Evropë, por pa kompetenca organizative, pasi që ato si të tilla janë ekzistuese nëpër Evropë sipas hierarkisë  organizative të Bashkësive Islame në kuadër të shteteve evropiane.


E treta, çështja shqiptare dhe raportet me boshnjakët në përgjithësi.


 


Pas luftërave shkatërrimtare në ish Jugosllavi, trojet etnike ku jetojnë boshnjakët dhe shqiptarët kanë vazhduar  tkurrjen e tyre, ashtu që tani kemi një realitet gjeografik tjetër. Në Bosnjë e Hercegovinë kemi një oazë boshnjake (rajoni i Bihaqit) i ndarë nga trungu i saj qendror boshnjak në Sarajevë, Sanxhaku si rajon i veçantë i ndarë,  nga qendra në Sarajevë, si rezultat i krijimit të Republika Sërpskës, e tani edhe me veriun e Kosovës, si rezultat i krijimit të Asociacionit serb të komunave, i ndarë  me trungun shqiptar i Kosovës. Ndoshta në një të ardhme afatshkurtër kjo nuk paraqet ndonjë rrezik të madh, por në planin afatgjatë do të ketë rrjedhoja të papara për shkak të migrimeve të shumta, sidomos ekonomike, për të gjetur diku punë në Evropë, që edhe në mënyrë të qetë kjo edhe të realizohet me një planifikim afat gjatë.Boshnjakët në përgjithësi dhe Sanxhaku në veçanti, duhet të krijojnë  një bashkëpunim më të mire me shqiptarët në përgjithësi e Kosovën në veçanti në të gjitha aspektet,  në atë politik, kulturor, fetar, ekonomik,etj., pasi që neve na bashkojnë tre faktor parësor, sikurse boshnjakët ashtu edhe shqiptarët kanë prejardhjen e përbashkët ilire,  boshnjakët ashtu edhe shqiptarët janë popuj autokton në Ballkan,  qindra vite, para ardhjes së sllavëve në Ballkan, dhe së treti shqiptarët dhe boshnjakët janë të vetmit popujt me shumicë myslimane në Evropë.   Për të qenë në ballë të popullit për të udhëhequr gjatë këtyre proceseve historike gjatë periudhës nëpër të cilët kalojnë, duhet të jenë në krye të saj njerëz guximtar, pasi që politika nuk duron politikanë që nuk kanë guxim për të qëndruar dhe vepruar në kthesa historike, dhe se me asnjë çmim nuk  përkunden apo joshen me çfarëdo privilegje të ofruara.Myftiu Zukorliç  e mori shembullin e sakrificës së Adem Jasharit, i cili me familjen e tij në tri brezni dhe shokët nuk u tërhoqë, por luftoi me një guxim të paparë për të mbrojtur pragun  e vet shekullor, dhe u bë kurban për lirinë e popullit të vet, që tani populli shqiptar e gëzon këtë liri në saje të trimërisë dhe guximit të kryeshehidit të Kosovës, Adem Jashari. Këtë detyrë mund të realizojnë vetëm lider me ideale të larta, me guxim të paparë dhe të palëkundur në realizimin e synimeve politike të popullit të cilit i përket.


 


                Në vijim do të citoj, çfarë kishte thënë Zoka, një serb sarajevas për personalitetin e myftisë Zukorliç, i cili thotë: “ Në mbrëmjen e donatorëve me boshnjakët e diasporës së Sanxhakut në Frankfurt, myftiu Zukorliç për ndërtimin e Qendrës Kulturore Islame” Kapija e Peshterit” në Duga Poljanë dhe renovimin e një xhamie në Novi Pazar, arriti të tubojë 733.000 Euro vetëm për një natë, e cila në ditët në vijim arriti shumën 1 milion Euro. Zoka i befasuar me këtë, kishte thënë:” Këtë as Obama nuk do të kishte arrit të tubojë, por e arriti myftiu.  Për atë, myftiu ju pengon, për atë  njerëzit e dojnë, është autoritet, është karizmatik, është orator, di  të flas bukur, i cili di çka do, dhe di për çfarë lufton. Të tjerët janë mbërthyer vetëm në vetura dhe gra. Nuk dinë ç’të bëjnë, por ju mbetet të merren dhe vetëm të sulmojnë  myftiun. Të mjerët dhe të pafuqishëm janë të gjithë ata. Ku është tani Ljajiçi, ku është i ashtuquajturi Zilkiçi?  Betohem në Sllavishën tim, që i mbushi 18 vjet, për Zotin, po të kisha para, do të kisha blerë një avion dhe do t’ia kisha dhuruar myftiut Zukorliç. Ju pengon, me të vërtetë ju pengon, është i popullarizuar, i fortë, guximtar, më i mençur se të tjerë, ka synimin, ka cakun e vet që do të arrijë. Pashë nënën time, ai është mbret me shtatë yje”.


                Do të përmbyll këtë vështrim për myftiun e Sanxhakut, Muamer ef. Zukorliçin me një thënie të urtë popullore, e cila mund të ndërlidhet me personalitetin e tij: “ Luani është luan. Sa do që qentë të lehin dhe ujqit të ulurojnë, luani mbetet luan”.


22. 12. 2013                                                

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …